Titulli i "Washington Times": "The sound of debate in Austria"
VIENË – Në Austri, në dhjetor të 2017-ës ndodhi diçka e padëgjuar më parë - diçka që vështirë se u vu re nga ndokush tjetër jashtë vendit: Për herë të parë në Europën Perëndimore, erdhi në pushtet një qeveri që mbështet politikat e anti-islamizimit dhe të anti-emigracionit.
Udhëheqësit e FPÖ-së dhe të ÖVP-së, Strache dhe Kurz. |
Qeveria në fjalë përbëhet nga dy parti shumë të ndryshme nga njëra tjetra të cilat së bashku morën 58% të votave: Partia popullore austriake (Österreichische Volkspartei, ÖVP) - partia e moderuar konservatore e sistemit, dhe Partia Austriake e Lirisë (Freiheitliche Partei Österreichs, FPÖ) - parti populiste që fut xixat, rrënjët e së cilës shtrihen në batakun e së djathtës ekstreme të nacionalizmit gjerman (jo austriak).
Marrëveshja e koalicionit dy-partiak është një ëndërr anti-xhihadiste. Duke bërë dallim mes Islamizmit (të cilin e quan Islami politik) dhe fesë Islame, marrëveshja hedh bazat për një terren të ri:
Austria garanton lirinë e besimit dhe të fesë, por lufton Islamin politik. Me Islam politik nënkuptojmë grupe dhe organizata baza ideologjike e të cilave është Islami, të cilat kërkojnë ndryshimin e rendit politik dhe shoqëror duke refuzuar kushtetutën tonë dhe duke islamizuar shoqërinë. Islami politik që mund të çojë në radikalizim, anti-semitizëm, dhunë dhe terrorizëm nuk ka vend në shoqërinë tonë.
Marrëveshja bën thirrje për vënien në jetë të këtij programi "që ditën e parë" me qëllim forcimin e "vlerave, traditave dhe kulturës austriake".
Si dikush që e sheh emigracionin dhe islamizimin (të cilave që këtej e tutje do t'i referohem si E&I) si çështjet kyçe të së ardhmes së Perëndimit, udhëtova drejt Vienës që të kridhesha në debatet nëse qeveria gjatë njëqind ditëve të saj të para i kishte përmbushur apo jo premtimet e mëdha anti-islamiste. Një javë më vonë, u largova nga Viena, pa marrë vesh asgjë. Çështja ka nxjerrë vetëm pak krye dhe deri tani pak ka ndryshuar. Me të vërtetë, askush nga ata me të cilët fola nuk shfaqi ndonjë interes të madh për këtë çështje.
Në vend të saj, zbulova që një tjetër çështje kishte ngjallur diskutime të zjarrta; përfshirja në qeveri e FPÖ-së. Kjo çështje gjithashtu ka rëndësi për mbarë Europën pasi paralajmëron debate mbi alencat mes konservatorëve dhe populistëve në vende si Franca, Gjermania dhe Suedia. FPÖ-ja ka shumë të përbashkëta me homologet e saja europiane, ndonëse (e themeluar në vitin 1956) është partia më e vjetër e këtij lloji dhe e vetmja që ka mbështetur ose është bërë pjesë e koalicioneve qeveritare tre herë (1970-71, 1983-86, 2000-06).
Armiqtë e FPÖ-së vënë theksin tek origjina e saj naziste, "politikat e mllefit" dhe vizioni i saj anti-perëndimor. Përkrahësit e saj nënvizojnë kritikën e saj të saktë të shoqërisë civile, evolucionin e saj pozitiv dhe rrezikun shumë më të madh të islamofashizmit.
Gjykimi im është që FPÖ-ja sjell realizëm, kurajo, ekstremizëm dhe eksentricitet; ka rrugë për të bërë përpara se të kthehet në një nga shumë partitë e tjera. Përpjekjet e udhëheqjes së saj për t'u përballur me probleme si anti-semitizmi (duke vizituar Yad Vashem-in apo duke i kërkuar ambasadës austriake të vendoset në Jeruzalem) janë kapërdirë me vështirësi nga baza e partisë.
Por unë e përkrah bashkëpunimin me FPÖ-në dhe jo margjinalizimin e saj për katër arsye.
Arik Brauer duke folur në mars të 2018-s për Anschluss-in (aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste) e 1938-s. |
Së pari, me rastin e 80 vjetorit të aneksimit të Austrisë nga Gjermania, artisti 89 vjeçar hebre Arik Brauer, (i cili ka qenë dëshmitar i Anschluss-it të vitit 1938) tha se nuk e shqetësojnë fort këngët idiote antisemite të kënduara nga shoqatat e djelmoshave nëpër universitete (Burschenschaftern), të cilat janë një kërcënim i vogël për hebrenjtë, por 250 milionë arabët që duan ta shohin "nëntokë". Dhe ka të drejtë.
Së dyti, një parti politike nuk ka ADN apo thelb; ajo mund të ndryshojë dhe të bëhet siç e duan anëtarët e saj. (Vini re si ka ndryshuar Partia Demokratike e Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen e racës.)
Së treti, partitë që kanë në qendër të vëmendjes krizën E&I po fitojnë më shumë popullaritet nëpër Europë, sepse ato përfaqësojnë një rrymë mendimi të rëndësishme dhe gjithnjë në rritje. Si të tilla nuk mund të anashkalohen apo të injorohen.
Së katërti, FPÖ-ja dhe parti të ngjashme luajnë një rol jetik në nxjerrjen në pah të çështjes E&I; pa to, partitë e tjera do ta kishin injoruar E&I-në. Më kanë thënë që vala masive e emigrantëve, e viteve 2015-2016 nëpër Austri, nënkupton që marrëveshja e koalicionit mes konservatorëve dhe socialdemokratëve (Sozialdemokratische Partei Österreichs, SPÖ), protagonisti i tretë kryesor në politikën austriake, do të kishte qenë e njëjtë me të lartpërmendurën. Absolutisht jo. Partitë e majta jo vetëm që janë të prirura ta mohojnë realitetin, por shpesh ato bëhen aleate të islamistëve. Partia konservatore austriake vetëm sa ka përvetësuar politikat mbi E&I-në për të ndalur humbjen e votave që po i merrte FPÖ-ja; më tutje ajo ia la dosjen e çështjes E&I FPÖ-së në shkëmbim të heshtjes së kësaj të fundit për çështjet ekonomike të cilat janë çështjet që i interesojnë më shumë ÖVP-së.
Megjithë mangësitë, partitë të cilat kanë vënë në qendër të programeve të tyre emigracionin dhe islamizimin janë kyçe për të përcaktuar nëse Europa do të mbetet apo jo pjesë e civilizimit perëndimor. E&I jo vetëm që janë çështje më urgjente se neo-fashizmi, por ky i fundit mund të shpërbëhet lehtë, kurse emigracioni dhe islamizmi çojnë drejt ndryshimesh të mëdha, të pandreqshme dhe të përhershme.