ROMË – Kur mendon për emigrantët dhe islamin, Italia nuk është ekzaktësisht vendi që të vjen në mend.
Ndryshe nga fqinjët e saj veriorë, Italia nuk ka patur ndonjë mrekulli ekonomike që të diktonte nevojën për një importim në masë të krahut të punës. Asaj gjithashtu i mungon lidhja e fortë me vende që janë burime të mëdha emigracioni, siç është rasti i Britanisë së mdhe dhe Azisë Jugore. Nuk është goditur nga akte të përmasave të mëdha të dhunës xhihadiste si Franca. Ndryshe nga Suedia, nuk kemi dëgjuar marrëzira zbutjeje dhe ndryshe nga Belgjika, në Itali nuk ka"no-go zones" të pjesshme. Në dallim nga Hollanda, aty nuk ka dalë ndonjë politikan pompoz i tipit të Geert Wilders-it dhe asnjë parti anti-emigracion nuk është bërë forcë politike me peshë siç ka ndodhur në Gjermani.
![]() Libia dhe Italia janë tani rrugëkalimi kryesor i afrikanëve për të mbërritur në Europë. |
Megjithatë, Italia meriton jo më pak vëmendje se homologët e saj veriorë për shkak të ndryshimeve masive nëpër të cilat po kalon. Madje mund të thuhet që këto ndryshime janë edhe më urgjente, më të thella dhe më të mohuara se në vendet për të cilat është folur më shumë.
Si fillim është gjeografia. Jo vetëm që çizmja e famshme e Italisë ngulet thellë në detin Mesdhe, duke e bërë vendin një objektiv tundues për emigrantët e paligjshëm që hyjnë nga deti, por territori italian shtrihet drejt Afrikës së Veriut: ishulli i vogël i Lampeduzës me një popullsi prej 6,000 banorësh, shtrihet vetëm 113 km nga bregdeti i Tunizisë dhe 300 km nga Libia. Në vitin 2016, 181,000 emigrantë janë futur në Itali, thuajse të gjithë të paligjshëm dhe thuajse të gjithë nga deti.
Emigracioni ka qenë një sfidë mjaft e madhe që nga koha kur Muammar Qaddafi i Libisë e ndryshonte fluksin e emigrantëve siç i donte qejfi, duke përfituar kështu lëshime nga Italia, një lojë kjo që i ka paraprirë asaj të Recep Tayyip Erdoğan-it të Turqisë me Gjermaninë. Por që prej rrëzimit të Qaddafi-t nga pushteti në tetor të vitit 2011, anarkia në Libi paraqet probleme akoma më të mëdha. Të paktën Qaddafi-n mjaftonte ta paguaje për të marrë në këmbim atë që kërkoje, kurse sot është e vështirë të merresh vesh me një mori të fortësh lokalë dhe trafikantësh të qenieve njerëzore.
Si për ta keqësuar dhe më shumë prirjen drejt asaj që intelektuali francez Renaud Camus e ka quajtuar zhvendosje e madhe e popullsisë, 285,000 italianë janë larguar nga atdheu i tyre në vitin 2016, një rritje kjo e ndjeshme kundrejt viteve të mëparshme.
Pastaj është historia. Prania musulmane në Siçili zgjati për thuajse pesë shekuj (827-1300), dhe ndonëse më pak e famshme se Andaluzia, islamistët e mbajnë mend atë periudhë dhe duan ta rimarrin Siçilinë. Roma, selia e Kishës Katolike, përfaqëson simbolin më të madh të inatit dhe ambicjes islamiste, duke e bërë atë një objektiv tepër të mundshëm të dhunës xhihadiste.
Prirjet demografike janë edhe më të këqija se ato të Europës Veriore, me një normë të pjellorisë së përgjithshme [TFR, shkurtimi në anglisht; shënim i përkthyesit] (numri i fëmijëve për grua) 1.3, mjaft më e ulët se ajo e Francës fqinje (2.0). Gazetari Giulio Meotti më tregon që TFR-ja mes emigrantëve është 2.0, kurse ajo e italianëve indigjenë rreth 0.9. Disa qytete të vogla përballen me rrezikun e zhdukjes; njëra prej tyre, Candela, që ka njohur një tkurrje të popullsisë nga 8,000 në vitet 90-të në 2,700 në ditët tona, ka reaguar ndaj kësaj prirjeje duke ofruar para për të nxitur emigrantët që janë produktivë nga pikëpamja ekonomike që të zhvendosen aty. Ministrja e shëndetësisë së Italisë, Beatrice Lorenzin, e ka quajtur këtë prirje demografike "një apokalips".
![]() Një shenjë domethënëse se ç'kohë kanë ardhur: Mbishkrimet në mure janë kundër deportimit të emigrantëve illegalë, por pro dëbimit të turistëve. |
Të kombinuar bashkë, këta faktorë janë dëshmi e një krize civilizimi për Italinë. Por muri i refuzimit për ta parë të vërtetën në sy është ngritur thuajse tërësisht. Është e vërtetë që Lidhja e Veriut dhe Lëvizja 5 Yje i janë kundërvënë emigracionit të shfrenuar, por kjo nuk është një çështje e dorës së parë për ta. Pavarësisht se sa i njëanshëm dhe shpërfillës është debati për emigracionin dhe islamizmin në veri, në Itali është edhe më keq. Zërat që folën për këto çështje një dekadë më parë, si Magdi Allam, Oriana Fallaci, Fiamma Nirenstein, Emanuele Ottolenghi, dhe Marcello Pera tashmë nuk dëgjohen më. Ajo çka mbizotëron është refuzimi për ta parë të vërtetën në sy.
Papa Françesku e ka vënë veten në rolin e avokatit kryesor mbrojtës të emigracionit të shfrenuar si dhe të pritjes krahëhapur dhe pa nota qortuese të emigrantëve, duke e bërë kështu akoma më të vështirë një debat të arsyeshëm mbi këtë çështje. Sikur të mos mjaftonte prirja politike, qeveria e çorientuar e kryeministrit Paolo Gentiloni promovon klishetë standart të krahut të majtë, dhe mezi pranon të njohë zhvendosjet tektonike që po ndodhin.
Pasi udhëtova në 12 qytete të Italisë, u largova me përshtypjen që për shumicën e italianëve, kriza është tepër e tmerrshme për t'u përballur me të. (Lexuesit amerikanë mund ta krahasojnë këtë me ngurrimin e bashkëkombasve të tyre për t'u përballur me rrezikun e rrezatimit elekromagnetik). Më vjen ndër mend imazhi i një parku në Padova për të dhënë idenë e Italisë së ditëve tona: Një statujë rrethohet nga katër stola. Shtatë gra në moshë janë ulur rrasur e plasur në njërin nga stolat, kurse në tre të tjerët janë rehatuar sa gjatë e gjerë tetë afrikanë. Imazhi në fjalë përmbledh si neverinë reciproke, ashtu dhe ndjesinë e plotë të superioritetit të emigrantëve.
![]() Në këtë foto të marrë më 25 tetor në parkun Giardini dell'Arena të Padovas, 7 gra italiane janë ulur rrasur e plasur në një stol, ndërkohë që 8 afrikanë janë rehatuar sa gjatë e gjerë në tre stolat e tjerë. |
Çfarë u duhet më italianëve që të zgjohen dhe të fillojnë të merren me katastrofën demografike dhe sociale që kërcënon kulturën e tyre jashtëzakonisht të veçantë dhe tërheqëse? Ja një ide: një sulm xhihadist i përmasave të mëdha në Romë.