Nga Christine Douglass-Williams
New York: Encounter, 2017. 296 faqe. Çmimi: 25.99 USD
Biblioteka ime ka një mur plot me libra për Islamin modern. Mirëpo, pothuajse asnjë prej tyre mbulon temën këtij studimi të rëndësishëm nga Christine Douglass-Williams. Kur gjithë vëmnendja është te islamistët, kush ka kohë apo energji t'i përkushtohet myslimanëve modernizues?
Vërtet, mungesa e librave mbi myslimanët anti-islamistë simbolizon sfidën e tyre akoma më të madhe: ata janë të kërcënuar, kufizuar, dhe të shpërfillur si mashtrues.
Kërcënimet u vijnë nga islamistët, propaganduesit e zbatimit të ligjit islamik në gjithë tërësinë dhe ashpërsinë e tij, si mjet për të rikthyer lavdinë mesjetare të Islamit. Islamistët sulmojnë modernizuesit me fjalë dhe armë, duke ndjerë me të drejtë se këta myslimanë liberalë paraqesin një sfidë të thellë ndaj hegjemonisë së sotme islamiste. Sado që mbizotërojnë sot, reaksionarët islamistë e kuptojnë joshjen e madhe të modernitetit, për të mos folur pastaj për fitoret e tij mbi dy lëvizjet e tjera utopian, radikale moderne, fashizmin dhe komunizmin. Ata e dinë se lëvizja e tyre është e destinuar të shuhet sepse myslimanët do të preferojnë të mirat e jetës moderne, prandaj i luftojnë modernizuesit me dhëmbë dhe thonj.
E majta i kufizon. Dikush mund të presë që ndryshimet e mëdha mes socializmit dhe islamizmit do të mjaftonin për t'i bërë të dy kampet armike. Dikush do ta kishte gabim. Intensiteti i armiqësisë së tyre të përbashkët ndaj rendit liberal i bashkon. Majtistët në masë të gjerë preferojnë programin islamist sesa atë të modernizimit dhe për këtë u kthejnë shpinën modernizuesve, duke shkuar deri aty sa t'i dënojnë ata si anti-islamikë, një fyerje vërtet e zgjedhur në këtë rast.
E djathta anti-islamike i shpërfill. Për ironi, ata janë në një mendje këtu me islamistët sipas të cilëve vetëm islamistët janë myslimanë të vërtetë ndërsa modernizuesit trajtohen si përjashtime, ëndërrimtarë, dhe mashtrues. E djathta anti-islamike e bën këtë pavarësisht se kanë me modernizuesit një armik të përbashkët – islamistët. Në vend që të bashkojnë forcat, në mënyrë perverse mban distancë prej tyre, duke mërmëritur për takijen e tyre (disimulimin), duke parë vetëm gabime në analizën e tyre, dhe duke hedhur ofendime shumëngjyrëshe prijësve të kësaj levizjeje.
Kështu që myzlimanët modernizues e kanë problem të sigurojnë besueshmëri sot dhe potencial për të ardhmen. Islamistët mbizotërojnë në lajme me përgjakjen dhe agresionin e tyre kulturor, Majtistët e përmbysin realitetin kokëposhtë, kurse tipat anti-islamistë i bëjnë gjërat lëmsh. Akoma më keq, ndërsa këta devijues i sulmojnë nga larg, modernizuesit kanë shumë pak mundësi që të përgjigjen, sidomos ngaqë establishmeti (ajo që unë e quaj 6P-të: politikanët, shtypi i printuar, policia, prokurorët, profesorët dhe priftërinjtë) në mënyrë të zellshme i injoron. Si rezultat, publiku pothuajse nuk e di fare që ekziston një përpjekje për ta modernizuar Islamin dhe pak vetë kanë respekt për këtë çetë të vogël por të fortë prijësish. Sa prej jush kanë dëgjuar për Këshillin e Marrëdhënieve Amerikaon-Islamike? Dhe sa kanë dëgjuar për Qendrën e Pluralizmit Islamik?
Këtu, hyn në skenë Christine Douglass-Williams, gazetare kanadeze dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Ajo ia kushtoi kohën e saj zbulimit të tetë modernizuesve kryesorë në Amerikën Veriore dhe u dha mundësinë që të prezantonin veten dhe pikëpamjet e tyre. Secili ka një vizion që shquhet nga të tjerët.
Christine Douglass-Williams. |
- Salim Mansur merr në shqyrtim të natyrshmen në betejën njerëzore për progres dhe merr shembuj nga historitë e Judaizmit dhe të Krishtërimit për të kuptuar evolucionin e Islamit.
- Ahmed Subhy Mansour themeloi një shkollë të re dhe fleksibël të mendimit, Kuranistët.
- Shireen Qudosi sfidon gati adhurimin ndaj Muhametit dhe debaton paragrafet problematike në Kuran.
- Jalal Zuberi nxjerr në pah ngurtësinë tekstuale të islamistëve dhe virtytet e pluralizimit.
- Tawfik Hamid nënvizon gënjeshtrën e islamistëve dhe synimin e tyre për të nënshtruar Perëndimin.
- Qanta Ahmed hedh poshtë ligjin islamik dhe argumenton se myslimanët duhet të jetojnë si qytetarë modernë.
- Zuhdi Jasser demaskon narrativën islamiste të viktimologjisë dhe nënvizon nevojën për patriotizëm.
- Raheel Raza përqendrohet në kërkesat reciproke të emigracionit, duke argumentuar se Perëndimi duhet të ngrihet në këmbë për vlerat e tij të cilave myslimanët duhet t'u përshtaten.
Pasi ka shtruar këto pikëpamje që dallojnë në mënyrë interesante nga njëra-tjetra, Douglass-Williams ia kushton pjesën e dytë të librit të saj të përbashkëtave të tyre. Ajo përqendrohet në përpjekjet e modernizuesve: Për të krijuar një vizion alternative nga ai islamist; për të riinterpretuar Kuranin dhe tekste të tjera problematike islamike; për t'iu përgjigjur akuzave për "islamofobi" me të cilat ndeshen shpesh; për të formuluar një qendrim njerëzor ndaj çështjes së Izraelit; dhe për të sfiduar hegjemoninë islamiste.
Analiza e saj e kujdesshme tregon se si lvizja modernizuese islamike përfiton nga liritë që gëzohen në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada (në dallim nga shtypja e intelektualëve që shihet në çdo vend me shumicë myslimane). Ajo gjithashtu ndihmon që pozicionimin e kësaj lëvizjeje si një përpjekje serioze inteektuale, duke i vendosur në hartë modernizuesit bashkëkohorë si kurrë më parë, e me këtë fuqizon kauzën e tyre. Duke pasur parasysh kërcënimin global të Islamizmit, kjo është një arritje konstruktive me të vërtet e madhe.