Në një fjalim të 1 janarit, që është lavdëruar gjerësisht, të mbajtur në Universitetin Al-Azhar të Kairos, Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi iu drejtua udhëheqjes fetare të vendit, duke thënë se kishte ardhur koha për të reformuar Islamin. Ai është duartrokitur në Perëndim për këtë, madje është propozuar edhe si kandidat për Çmimin Nobel për Paqen, mirëpo unë kam rezerva për këtë fjalim.
E para, sado të rafinuara idetë e Sisit, asnjë politikan - dhe në veçanti një pushtetar i fuqishëm – nuk ka vënë në lëvizje Islamin modern. Reformat e Atatürkut në Turqi, po zhbëhen në mënyrë sistematike. Një dekadë më parë, Mbreti Abdullah II i Jordanisë dhe Presidenti Pervez Musharraf i Pakistanit mbajtën fjalime të ngjashme, të bukura, mbi "zërin e vërtetë të Islamit" dhe për "moderimin iluminues", por që shumë shpejt u lanë në harresë. Po, komentet e Sisit janë më të forta, por ai nuk është një autoritet fetar dhe ka shumë të ngjarë që edhe këto komente të harrohen pa lënë gjurmë.
Lidhur me përmbajtjen: Sisi lavdëroi Islamin si fe dhe u përqendrua te fikri, për kthimi i drejtpërdrejtë i të cilës do të ishte mendimi, por që në këtë rast nënkuptonte idetë e gabura. Ai u ankua se idetë e gabuara, të cilat nuk i specifikoi, po trajtohen si të shenjta aq sa as udhëheqja fetare nuk po guxon t'i kritikojë më. Por Sisi vetë kritikoi duke përdorur një arabishte kolokiale, zakonisht të pazakontë në diskutimin e temave të tilla: "Është e pakonceptueshme që idetë e gabuara që po i trajtojmë si të shenjta mund të lejohen që të bëjnë të gjithë Umman [komunitetin mysliman] një burim shqetësimi, rreziku, vrasjeje e shkatërrimi për të gjithë botën. Është e pamundur".
Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur: "Kemi arritur pikën në të cilën muslimanët kanë antagonizuar të gjithë botën. Është e pakonceptueshme që 1.6 miliard [myslimanë] të duan të vrasin pjesën tjetër të popullsisë së botës prej 7 miliardësh, në mënyrë që të begatohen myslimanët. Është e pamundur?" Mes një duartrokitje të dobët nga figurat fetare të mbledhura përpara tij, Sisi vijoi duke u thënë që të fillonin një "revolucion fetar". Pa një të tillë, komuniteti mysliman "do të bëhet fije fije, do të shkatërrohet dhe do të shkojë në ferr".
Presidenti i Egjiptit Sisi duke folur përpara udhëheqjes fetare në Al-Azhar më 1 janar. |
Bravo i qoftë Sisit që flet hapur për këtë problem; sinqeriteti i tij është në kontrast të thellë me llomotitjet e kolegëve të tij perëndimorë që pretendojnë sikur vala e dhunës së kohës sonë nuk ka të bëjë fare me Islamin. (Mes deklaratave spektakolare të gabuara, e preferuara ime është ajo nga Houard Dean, ish-guvernatori nga Vermonti, që iu përgjigj masakrës së Charlie Hebdo me fjalët: "Unë nuk i quaj më këta njerëz terroristë myslimanë. Ata janë po aq myslimanë sa edhe unë".)
Mirëpo, Sisi nuk dha detaje për revolucionin që po kërkon; çfarë mund të ketë pasur në mendje? Ndryshe nga çfarë po thonë admiruesit e tij, unë besoj se ai propagandon një version pak më të hollë të Islamizmit, të përcaktuar si aplikim i plotë i ligjit islamik (Sherihatit) në sferën publike.
Disa tregues të bëjnë të besosh se Sisi ka qenë një islamist. Ai ishte një praktikues i Islamit që mesa duket kishte mësuar Kuranin përmendësh. "The Financial Times" zbuloi se gruaja e tij mban hixhabin (shallin e kokës) dhe se një nga vajzat e tij vishet me nikab (që mbulon pjesën e sipërme të trupit aq sa mund të shihen vetëm sytë dhe duart). Presidenti i Vllazërisë Myslimane, Mohamed Morsi, e emëroi Sisin ministër të Mbrojtjes pikërisht sepse pa te gjenerali i atëhershëm një aleat.
Pak kohë pas fjalimit të tij në Al-Azhar, Sisi u bë presidenti i parë egjiptian në histori që mori pjesë në meshën e Krishtlindjes Koptike. |
Kur ishte student në Pennsylvania në 2005-06, Sisi shkroi një ese që argumentonte për një demokraci që i përshtatej Islamit, e cila "mund të mos ngjajë shumë" me prototipin e saj perëndimor dhe që "do të ketë formën apo trajtën e saj të gërshetuar me lidhje më të forta fetare". Versioni i tij i demokracisë nuk e ndante xhaminë nga shteti por bazohej "në besimet islamike", që do të thotë se agjensitë qeveritare duhet të "marrin në konsideratë pikëpamjet islamike kur kryejnë detyrat e tyre". Me fjalë të tjera, Sherihati ka më shumë rëndësi sesa vullneti popullor.
Gjithahtu në studimin e tij, Sisi anonte pjesërisht me Salafistët, ata islamistët mjekërgjatë dhe burkaveshur që aspirojnë të jetojnë si ka jetuar dikur Muhamedi. Ai e përshkruante kalifatin e hershëm jo thjesht si një "formë ideale të qeverisjes" por gjithashtu si "synimi i çdo forme të re të qeverisjes" dhe se shpresonte për ringjalljen e formës më të hershme të kalifatit.
Është e mundshme që pikëpamjet e Sisit për Islamin, ashtu si ato të shumë egjiptianëve, të kenë evoluar. Sidomos që kur u nda me Morsin, dy vjet më parë. Në fakt, ka të dhëna se është i lidhur me lëvizjen Kuraniste radikale anti-islamiste, udhëheqësin e të cilës, Ahmed Subhy Mansour, e citon në studimin e tij universitar. Mirëpo, vetë Mansour dyshon se Sisi është "duke luajtur me fjalë" dhe po pret për të parë sesa serioz është në të vërtetë Sisi për reformën.
Ahmed Subhy Mansour i lëvizjes Kuranist, me një emblem të "Ahl al-Qur'an". |
Në fakt, derisa të mësojmë më shumë për pikëpamjet personale të Sisit dhe të shohim se si do të veprojë më tej, nuk mund ta kuptoj fjalimin e tij si një qendrim kundër islamizmit në përgjithësi, por vetëm kundër formës së tij të dhunshme, domethënë llojit që shohim të vlojë në Nigeri, Somali, Syri-Irak dhe Pakistan, apo si llojin që ka vendosur në gjendje rrethimi qytete si Boston, Otava, Sydney, dhe Paris. Ashtu si njerëz të tjerë gjakftohtë, Sisi promovon Sherihatin oërmes evolucionit dhe mbështetjes popullore, në vend që të revolucionit dhe brutalitetit. Refuzimi i dhunës është një hap përpara, krahasuar me dhunën. Mirëpo, nuk përbën ndonjë reformizim të Islamit siç shpresojnë jomyslimanët – sidomos ata që besojnë se është më e mundshme të kesh sukses nëse punon për ta përmirësuar sistemin nga brenda.
Reforma e vërtetë ka nevojë për studjues të Islamit, jo njerëz me pushtet të madh dhe një hedhje poshtë të zbatimit të Sherihatit në sferën publike. Për të dyja këto arsye, Sisi nuk ka shans që të jetë reformatori i Islamit.
Shtojcë e datës 19 janar, 2015: Sisi ka ripërsëritur argumentin e tij kundër Islamizmit të dhunshëm: "Ngritja në terrorizëm... kërkon një përgjigje të menduar mirë nga komuniteti ndërkombëtar. Lufta nuk duhet të kufizohet vetëm në aspektin e sigurisë dhe atë ushtarak… por duhet të përfshijë edhe një diskurs të reformuar fetar nga i cili ideologjitë false që mund të tërheqin disa drejt përqafimit të dhunës të mund të fshihen".