Në Riad, stacioni i parë në turin e tij trio-monoteist që do ta çojë në Jeruzalem dhe Romë (me keqardhje, Meka nuk ishte në dispozicion), Donald Trump mbajti një fjalim madhor mbi një seri të gjerë temash – Lindja e Mesme, dhuna xhidadiste, Irani, një "NATO arabe" si dhe Islami. Megjithë ulje-ngritjet, ishte në tërësi pozitiv.
Së pari, të këqiat e fjalimit 34-minutësh: Ishte i rrëmujshëm, duke kërcyer nga një temë në tjetrën e pastaj mbrapsh. Nuk ishte as elokuent e as i thellë (për shembull, "Terroristët nuk adhurojnë Zotin, ata adhurojnë vdekjen"). Nganjëherë, dilnin eufemizma të stilit-Obama, si deklarata se sprova më e madhe e historisë qendron përpara nesh, një qëllim që i lë të gjithë të tjerët në hije: "të mposhtim ekstremizmin dhe të shpartallojmë forcat e terrorizmit".
Akoma më qesharake të shpallësh hapjen në Riad, që është kryeqendra e Uahabizmit, një "Qendër Globale për Luftimin e Ideologjisë Ekstreme". Mbeta pa mend kur Trump e quajti Arabinë Saudite "tokë të shenjtë". U gëlltita kur dëgjova lavdërimin e ngrohtë për Mbretin Salman që ka kontribuar dhjetëra milionë dollar në vitet 1990 për të financuar dhunën xhihadiste në Bosnje dhe Pakistan.
Konteksti i fjalimi është thellësisht shqetësues: Marrëveshjet SHBA-Saudi shuma e të cilave kalon 380 miliardë dollarë i dhuron një regjimi tiranik edhe më shumë ndikim mbi amerikanët. Blerja 110 miliardë dollarëshe e armëve nga SHBA vendos një arsenal të gjerë në duart e një qeverie synimet e të cilës ndryshojnë në mënyrë rrënjësore nga ato të shumicës së amerikanëve.
Donald Trump duke nënshkruar marrëveshje të mëdha me qeverinë saudite. |
Pavarësisht nga këto rezerva aspak të parëndësishme, ishte një fjalim i mirë që sinjalizon një kthesë në drejtimin e duhur pas viteve të Obamas, sidomos lidhur me Iranin dhe Islamin. Më e rëndësishmja është gatishmëria e Trump për të vënë në dukje ideologjinë e islamizmit si armik. Kjo ka rëndësi të madhe: ashtu si për një doktor që fillimisht duhet të identifikojë problemin mjekësor përpara se ta mjekojë, edhe një strategjist duhet të identifikojë armikun e tij përpara se ta mposhtë. Të flasësh për "keqbërës", "terroristë", dhe "ekstremistë të dhunshëm" është të mos dallosh thelbin islamik të armikut.
Në këtë kuptim, pjesa kyçe e fjalimit (në minutën 22:25) thotë "mbetet ende shumë punë për të bërë. Kjo do të thotë që ndershmërisht të përballemi me krizën e ekstremizmit islamik dhe islamistët e terrorin islamik të të gjitha llojeve". (Varianti në shkrim i fjalimit të përgatitur thoshte: "ekstremizmi islamist dhe grupet islamiste të terrorit", mirëpo kur e lexoi Trump bëri ndryshimin e lartpërmendur. Ndonëse islamist është më e saktë se islamik, politikisht që të dyja argumentojnë të njëjtën gjë.)
Është e paparë dhe për t'u theksuar që një udhëheqës amerikan e deklaron këtë jo vetëm në kryeqytetin e Mbretërisë së Arabisë Saudite po edhe gjatë "Samitit Arabo-Islamiko-Amerian" të organizuar nga sauditët me krerët e gati 50 vendeve me shumicë myslimane të pranishëm. "Ju njoh mirë", u tha praktikisht Trump atyre. "Kështu që mos bëni lojëra me mua".
Lista e të ftuarve në "Samitin Arabo-Islamiko-Amerian". |
Ai e konfirmoi këtë pikë disa herë gjatë fjalimit të tij: "Vendet me shumicë myslimane duhet të udhëheqin në luftimin e radikalizimit"; "Kombet myslimane duhet të jenë të gatshme të marrin përsipër barrën e duhur që ta mposhtim terrorizmin dhe ta shuajmë ideologjinë e tij të poshtër"; një përmendje e çmimit në jetë njerëzish të "ISIS, Al-Kaida, Hezbollah, Hamas, dhe shumë të tjerë syresh"; si dhe thirrja e tij për të qendruar së bashku "kundër vrasjes së myslimanëve të pafajshëm, shtypjes së grave, persekutimit të hebrejve, dhe masakrimit të të krishterëve". Asnjë dyshim këtu për natyrën e vërtetë të problemit.
Propozimet nga MEF për një Komision të Shtëpisë së Bardhë për Islamin Radikal. |
Mirëpo, me një deklaratë nuk vjen ndryshimi i politikës. George W. Bush dhe Barack Obama gjithashtu kanë folur nganjëherë, respektivisht, për "islamofashizëm" dhe "islamistë". Obama madje foli edhe për "xhihadistë". Megjithatë, kjo e folur shkoqur nuk solli ndonjë pasqyrim në politikat e tyre. Në mënyrë të ngjashme, kryeministrat Tony Blair dhe David Cameron mbajtën fjalime të mrekullueshme mbi islamizmin, mirëpo që patën akoma edhe më pak ndikim në veprimet e qeverive të tyre.
Që fjalimi nga Trump të sjellë ndryshim, ai duhet të shënojë fillimin e një qendrimi të pandryshueshëm që sheh ideologjinë islamiste në zemër të konfliktit – dhe e kupton se dhuna është vetëm një nga manifestimet e këtij rreziku, e ndoshta jo më i rrezikshmi që vjen prej tij.
Një mënyrë e mirë për ta filluar do të ishte rikthim te fjalimi i Trump si kandidat në gushtin e kaluar, kur ai premtoi se "një nga aktet e mia të para si president do të jetë themelimi i një komisioni mbi islamin radikal... për të identifikuar dhe shpjeguar publikut amerikan bindjet dhe besimet themelore të islamit radikal... për të identifikuar shenjat paralajmëruese, dhe për të zbuluar rrjetet në shoqërinë tonë që mbështesin radikalizimin". Komisioni do të "zhvillojë protokolle të reja për oficerët e policisë lokale, hetuesit federal, dhe intervistuesit e emigracionit".
Le ta bëjmë pra, Zpti President – është koha që të caktoni një Komision në Shtëpinë e Bardhë për Islamin Radikal.