Shumë konservatorë që dikur u dukej Donald Trump i papërtypshëm tani kanë ndryshuar qendrim dhe e kanë pranuar. Më i bujshmi, Mitt Romney dikur e denoncoi Trump si të pandershëm, "me dy fytyra dhe mashtrues" dhe dënoi bullizmin e tij, grykësinë, maninë për t'u dukur dhe misogjininë. Mirëpo, pas zgjedhjeve presidenciale, Romney e lavdëroi Trump ("E pres më kënaqësi administratën e re") dhe shpresonte të punonte për të.
Donald Trump dhe Mitt Romney duke darkuar bashkë. |
Ky ndryshim qendrimesh nuk shihet vetëm tea ta që kërkuan poste. Shumë cilësi të presidentit të zgjedhur që dikur konservatorët i dënonin tani dergjen në harresë, aq sa nëse ua kujton merr reagime të ngjashme me dikë që bën zhurma të pasjellshme gjatë një shërbimi lutjeje.
Përkundrazi, Republikanët janë përfshirë nga optimizmi, madje edhe ekstazia, duke festuar sjelljen e pazakontë të Trump dhe duke e lavdëruar si i vetmi kandidat që mund të kishte mposhtur të paduruarën Hillary Clinton. Siç u shpreh Kreu i Dhomës, Paul Ryan, "Trump dëgjoi një zë që po dilte nga ky vend e që askush tjetër po e dëgjonte", gjë që i dha fuqi të arrinte "fitoren politike më të pabesueshme", që ai, Ryan, kishte parë ndonjëherë.
Personalisht, nuk votova për Trump por preferoja që të fitonte ai. Pas zgjedhjeve, më pëlqeu që e pranoi, që si i ri në Washington, ai ka nevojë për anëtarë kabineti me përvojë (bën përjashtim të pashpjegueshëm Sekretari i Shtetit). Akoma më shumë, më pëlqeu gatishmëria e të emëruarve nga Trump që të çojnë përpara agjendën konservatore, sidomos e atyre që shprehën hapur pikëpamje të ndryshme nga bosi i tyre.
James Mattis dhe Mike Pence; a do të jenë në gjendje ta mbajnë Donald Trump, në binarë? |
James Mattis do t'i japë fund eksperimentit social me ushtrinë dhe do ta kthejë te misioni i saj i natyrshëm i luftë-bërjes. Jeff Sessions do të zbatojë në mënyrë konseguente pushtetin e ligjit. Steven Mnuchin do të thjeshtëzojë kodin e taksave. Tom Price do të çmontojë Obamacare. Betsy DeVos do të përqendrohet në interesat e nxënësve në vend të atyre të mësuesve dhe burokratëve. Andy Puzder do të qethë regulloret që pengojnë hapjen e vendeve të punës. John Kelly do të sigurojë kufijtë. David Friedman do të ringjallë marrëdhëniet SHBA-Izrael.
Mirëpo, kam dy paralajmërime gjigande, të dyja të lidhura me karakterin.
Së pari, Trump si ta jep diçka ashtu edhe mund të ta marrë. Si një egomaniak me fuqi të madhe politike por pa ndonjë themel ideologjik, ai mundet që, për një arsye apo një tjetër, t'i shkarkojë këta anëtarë kabineti me vlera për t'i zëvendësuar me teknokratë. Madje, më keq akoma, mund të flakë tutje orientimin konservator që ka marrë për tani. Strategjisti i tij kryesor, Steve Bannon, u mburr një herë se "do të ngrëmë një lëvizje tërësisht të re politike. Çdo gjë varet nga vendet e punës. Konservatorët do të çmenden". Vetë Trump ka paralajmëruar se nuk është i detyruar t'i përmbahet asgjëje që ka thënë: "Çdo gjë që them tani – kur nuk jam president – çdo gjë është sugjerim... Jam gjithnjë i hapur për çështjet"
Steve Bannon ka premtuar se do të ndërtojë ""një lëvizje tërësisht të re politike" që do t'i bëjë "të çmenden" konservatorët. |
E dyta, shumë varet nëse Trump do të zbutet nga zyra e presidencës apo do të vazhdojë me mnyrat e tij të vjetra. Colin Dueck nga George Mason University sugjeron që Trump fryhet në mënyrë tipike si një ndërtues pronash të patundshme, që merr qendrime retorike maksimaliste, mirëpo që "në fakt, nuk do të zbatojë vërtet ato që nxjerr nga goja". Mbase.
Megjithatë, cilësitë që kanë shqetësuar kaq shumë amerikanë mbeten aty dhe, në fakt janë shpërblyer masivisht. Trump realizoi arritjen më të madhe në jetë duke mbetur ai që ishte; gjithashtu 70-vjeçarët nuk ndryshojnë më edhe aq në atë moshë. Është mëse e mundshme që ai do të vazhdojë të sulmojë individë dhe kompani, të fiksohet me inate, të fyejë shtypin, të bëjë deklarata të bujshme, të papërgjegjshme apo të pavërteta, të tregojë injorancë sfiduese, të përfshihet në praktika të dyshimta biznesi, të bjerë në sherre mendjemadhësie, dhe të ndjekë politika tmerrësisht pa lidhje me njëra-tjetrën.
Në rastin më të mirë, Trump do të ngjajë pas Barack Obamas si Ronald Reagan pas Jimmy Carter, udhëheqës i një ringjalljeje kombëtare të optimizmit dhe fuqisë. Në rastin më të keq, të metat e tij personale do të çojnë në tensione sociale, trazira të brendshme, luhatje ekonomike, dhe luftë. Jam agnostik, sepse nuk e kam idenë se cilin drejtim po merr ky vend. Për mua, Amerika tani i përngjan një monarkie mbreti i paaftë por i parashikueshëm i të cilës ka vdekur dhe djali tij, i rrëmujaxhi dhe i paqendrueshëm i ka zënë vendin.
Tani që Trump bëhet president, i uroj sa më shumë sukses për të mirën dhe tij dhe tonën. Do ta duartrokas kur të veprojë mirë (biseda me presidentin e Taivanit, duke thyer dekada precedent të mykur) dhe do ta dënoj kur të veprojë keq (biseda e tij "e papërgjegjshme dhe e çuditshme" me kryeministrin e Pakistanit). Do ta ndihmoj administratën e tij me sa mundem por duke mbajtur distancë prej saj, duke mos qenë kurrë e pjesë e saj apo duke mos kërkuar ta justifikoj ndonjëherë.
Trump ka fituar me emërimet e tij vullnetin e mirë të konservatorëve, por të metat e karakterit të tij shkaktojnë skepticizëm dhe shqetësim. Është koha që të provojë se e meriton pozitën e jashtëzakonshme që po merr.