STOCKHOLM, Suedi – Gjatë vizitave në lagjet kryesisht myslimane që shtrihen në dalje të pothuaj gjithë qyteteve të Europës veriore, një pyetje rikthehej vazhdimisht: Pse disa nga vendet më të pasura, më të arsimuara, më laike, më të qeta, dhe më homogjene në botë kanë hapur me dëshirë dyert e tyre për gati çdo emigrant nga vendet më të varfëra, më pak të modernizuara, më fetare, dhe më të trazuara të botës?
Pyetje të tjera vijojnë: Pse vendet kryesisht të krishtera vendosën të pranojnë emigrntë kryesisht myslimanë? Pse një pjesë e madhe e klasës politike në fuqi, me në krye Anglea Merkel të Gjermanisë, injoruan dhe trajtuan si armiq ata që gjithnjë e më shumë shqetësohen se ky emigrim po ndryshon përgjithmonë fytyrën e Europës? Pse ka mbetur në derën e shteteve më të dobët të Vishegradit në Europën Lindore që të artikulojnë refuzimin patriotik të kësaj dukurie?Ku të çon ky emigrim?
Një tabelë në stacionin qendror të trenit në Kopenhagë, në tetor 2016, që mohon përkohësisht zonën pa kufij të Shengenit. (Fotografia nga: Daniel Pipes) |
Nuk ka një përgjigje të vetme që vlen për të gjitha vendet; por prej shumë faktorëve (të tillë si sekularizimi) mbrapa këtij pranimi historik të paprecedentë të njerëzve të huaj, një faktor bie në sys i më vendimtari: një ndjenjë faji europerëndimore.
Për shumë europianë perëndimorë të arsimuar, civilizimi i tyre nuk karakterizohet edhe aq nga arritjet shkencore, nivelet e papara të begatisë, dhe sigurimi unik i lirive të njeriut, por nga kolonilizmi, racizmi, dhe fashizmi. Pushtimi brutal francez i Algjerisë, genocidi i pashoq e çnjerëzor gjerman ndaj hebrejve, si dhe trashëgimia e nacionalizmit ekstrem i bën shumë europianë, sipas analizës së intelektualit francez Pascal Bruckner, që ta shohin veten si "i sëmuri i planetit", përgjegjës për çdo problem global që nga varfëria deri te shkatërrimi i mjedisit; "njeriu i bardhë ka mbjellë dhimbje dhe shkatërrim kudo ku ka shkuar". Pasuria nënkupton vjedhje, lëkura e bardhë paraqet mëkatim.
Ilustrimi që përdori "The Washington Times" për këtë artikull. |
Bruckner e ka përcaktuar këtë si "tirania e ndjenjës së fajit" dhe unë kam hasur disa shprehje në të gjitha ngjyrat të kësaj vetë-urrejtje gjatë udhëtimeve të mia të fundit. Një prift katolik francez shprehu vrasje ndërgjegjeje për të kaluarën e Kishës. Një intelektual konservator gjerman preferonte më mirë sirianët dhe irakenët sesa bashkatdhetarët e tij gjermanë. Një shoqërues turistësh në Suedi foli keq për suedezët dhe shpresonte që të mos shihej si një prej tyre.
Vërtet, shumë europianëve u duket se ndjenja e tyre e fajit i bën superior; sa më shumë nuk u pëlqen vetja, aq më shumë krekosen – duke frymëzuar një gërshetim të çuditshëm neverie ndaj vetes dhe superioritet moral që, përveç pasojave të tjera, i bën të ngurrojnë kur vjen puna që të kushtojnë kohë dhe para për të bërë fëmijë. "Europa ka humbur besimin te vetja dhe nivelet e lindshmërisë janë përtokë", vë në dukje shkencëtari irlandez William Reville.
Mungesa katastrofike e lindjeve tani ka krijuar një krizë demografike ekzistenciale. Në vitin 2014, gratë kanë pjellë vetëm 1,58 fëmijë për kokë, në Bashkimin Europian, që do të thotë se kontinenti nuk do të ketë mjaftueshëm breza të rinjsh për të zëvendësuar të vjetrit; me kalimin e kohës, epërsia e numrit të vdekjeve mbi atë të lindjeve do të thotë një rënie katastrofike e numrit të portugezëve, grekëve, e të tjerëve. Për të mbajtur në këmbë shtetin social dhe sistemin e pensioneve është e domosdoshme importimi i të huajve.
Ritmet totale të fertilitetit të grave europiane në 2014. (Burimi: Eurostat) |
Këto dy forca motore – nevoja për të larë mëkatet dhe ngurrimi për të bërë fëmijë – gërshetohen pastaj për të inkurajuar derdhjen masive të joperëndimorëve, për atë që shkrimtari francez Renaud Camus e quan "zëvendësimi i madh". Aziatikojugorët në Mbretërinë e Bashkuar, afrikano-veriorët në Francë, turqit në Gjermani, plus somalezët, palestinezët, kurdët, dhe afganët kudo tjetër, mund të përfitojnë nga nevoja e Europës për të larë mëkatet ndërkohë që do të shërbejnë për të përmbushur nevojat e saj ekonomike. Si e vë në dukje autori amerikan Mark Steyn, "Islami është tani prodhuesi kryesor i europianëve të rinj".
Establishmenti, apo siç e quaj unë 6 P-të (politikanët, policët, prokurorët, printi/shtypi, profesorët, dhe priftërinjtë), këmbëngulin në përgjithësi se çdo gjë do të rregullohet në fund: kurdët do të bëhen punëtorë produktivë, somalezët qytetarë të mbarë, dhe problemet islamiste do të shuhen.
Kjo është teoria dhe nganjëherë ashtu ndodh. Mirëpo më shpesh se ç'duhet, emigrantët myslimanë mbeten të huaj ndaj kulturës së shtëpisë së tyre të re europiane apo e refuzojnë atë, si dëshmohet qartësisht në marrëdhëniet mes gjinive; disa madje sulmojnë në mënyrë të dhunshme jomyslimanët. Gjithashtu, më shpesh se ç'duhet, ata nuk kanë aftësitë apo nxitjen që të punojnë shumë dhe përfundojnë në barrë ekonomike.
Një tabelë në Amsterdam paralajmëron kriminelët se do të spërkaten me AND për t'u identifikuar. (Fotografi nga: Daniel Pipes) |
Vërshimi i myslimanëve të paintegrueshëm ngre pyetjen e madhe nëse civilizimi europian i mijëvjeçarit të kaluar mund të mbijetojë. A do të bëhet Anglia Londonistan dhe Franca një republikë islamike? Klasa në fuqi denoncon, shpërfill, lë mënjanë, përjashton, shtyp, e madje edhe arreston ata që ngrenë këto çështje, duke i ulur ata si ekstremistë të djathtë, racistë, dhe neofashistë.
Gjithësesi, perspektiva e Islamizimit po i nxit një numër në rritje europianësh që të luftojnë për hir të mënyrës së tyre tradicionale të jetës. Udhëheqësit përfshijnë intelektualë të tillë si e ndjera Oriana Fallaci dhe romancierin Michel Houellebecq; politikanë si Viktor Orbán, kryeministër i Hungarisë dhe Geert Wilders, kreu i partisë më popullore hollandeze.
Partitë politike anti-emigracion zakonisht fitojnë rreth 20 përqind të votës. Dhe ndërkohë që është krijuar një bindje se interesi për to do të mbetet në atë nivel, e mbase mund të shkojë në 30 përqind, nuk përjashtohet që ato mund të vazhdojnë të rriten. Anketimet e opinionit tregojnë se shumica thelbësore kanë frikë nga Islami dhe duan t'i ndalojnë e madje edhe t'i përmbysin pasojat e emigracionit, sidomos atij që të myslimanëve. Në këtë kontekst, Norbert Hofer që së fundi ka fituar 50 përqind të votës në Austri mund të shënojë një kthesë madhore.
Pajisje për fjetur në Avenue de Flandre, Paris, në shtator 2016. (Fotografi nga: Daniel Pipes) |
Pyetja më e madhe që ngrihet për Europën është, kush do ta përcaktojë të ardhmen e kontinentit, klasa në fuqi apo popullata. Në fund, ka mundësi që të jetë niveli i dhunës politike islamiste që do të anojë peshoren: një rritje e vrasjeve masive shumë të bujshme (si ato në Francë që prej janarit 2015) do të anojnë peshoren nga populli; mungesa e tyre do të lejojë klasës në fuqi që të mbeten në pushtet. Ironia pra është që veprimet e emigrantëve do të jenë ato që do të përcaktojnë kryesisht fatin e Europës.