Vrasja e të paktën 127 të pafajshmëve në Paris nga një bandë xhihadistësh, ditën e premte, ka shokuar edhe njëherë francezët dhe ka shkaktuar një tjetër valë solidariteti, reflektimi dhe zemërimi. Mirëpo, në fund të fundit, dhuna islamiste kundër perëndimorëve precipiton në dy pyetje: Sa do ta ndryshojë opinionin publik kjo masakër e fundit? Dhe sa kohë më shumë do të vazhdojnë institucionet që të refuzojnë të shohin realitetin në sy?
Siç sugjerojnë këto pyetje, populli dhe profesionistët janë duke shkuar në drejtime të ndryshme. I pari nga e djathta, të dytët nga e majta. Në fund, kjo përplasje zvogëlon mjaft impaktin e ngjarjeve të tilla në qendrimet dhe masat politike.
Opinioni publik lëviz kundër islamistëve në veçanti dhe Islamit në tërësi, kur ka një numër të madh të vrarësh. Tre mijë vetët e vrarë në Amerikën e 11 Shtatorit mbeten rasti me numrin më të madh të viktimave, por shumë vende të tjera kanë ekuivalentet e tyre si bombat në Bali të Australisë, atentati në hekurudhën e Spanjës, masakra në shkollën e Beslanit në Rusi apo shpërthimet në transportin e Londrës për Britaninë.
Numrat e thjeshtë nuk janë i vetmi faktor. Tipare të tjera mund të shumëfishojnë ndikimin e një sulmi duke i dhënë peshën e një gjakderdhjeje masive: (1) Fama e atyre që sulmohen sipër shembull në rastin e Theo van Gogh në Hollandë apo zyrave të "Charlie Hebdo" në Francë. (2) Statusi profesional i viktimave si ushtarët apo policët. (3) Rrethanat ku vëmendja është e madhe si në shpërthimet e Maratonës së Bostonit.
Përveç mbi 27,000 sulmeve në mbarë botën që i atribuohen Islamit që nga 11 Shtatori, apo më shumë se 5 në ditë (të numëruara nga TheReligionOfPeace.com), një rritje e madhe e emigracionit të paligjshëm nga Lindja e Mesme ka provokuar së fundi shtimin e ndjenjave të pasigurisë dhe frikës. Procesi duket se është vetë njëdrejtimësh. Nuk gjen njeri të thotë: "Dikur isha i shqetësuar nga Islamizmi, por tani nuk jam më".
Këto raste bëjnë që më shumë perëndimorë të shqetësohen për Islamin dhe çështje të lidhura me të, që nga ndërtimi i minareve te infibulimi i femrave. Mbi të gjitha, një marshim i pandalshëm drejt të djathtës është në rrugë e sipër. Anketime të qendrimeve europiane tregojnë se 60-70% e njerëzve ndajnë këto shqetësime. Individë populistë si Geert Wilders i Hollandës dhe parti si Demokratët e Suedisë janë duke fituar gjithnjë e më shumë mbështetje.
Por kur vjen puna te institucionet– politikanët, policia, print-media dhe profesorët – dhuna e pandalshme ka një efekt të kundërt. Ata që janë të ngarkuar me interpretimin e sulmeve jetojnë në flluskën e gënjimit të vetes publikisht (ajo çfarë thonë në publik është një çështje tjetër) në të cilën janë të detyruar të pretendojnë se Islami nuk ka rol në këtë dhunë, mesaduket nisur nga shqetësimi se po ta pranojnë do të shkaktojnë më shumë probleme.
Këta profesionistë 4P, në mënyrë të paturpshme hiqen sikur besojnë se ekziston një virus misterioz "i ekstremit të dhunshëm" që mesaduket zë vetëm myslimanët, duke i bërë që të përfshihen në veprime dhune barbare. Mes shumë deklaratave absurde të bëra nga politikanët, ajo më e preferuara për mua, mbetet ajo nga Howard Dean, ish-guvernatori i Vermontit, i cili tha për xhihadistët e "Charlie Hebdo": "Ata janë po aq myslimanë sa jam edhe unë".
Kjo kokëfortësi kundër llogjikës i ka mbijetuar çdo masakre dhe parashikoj se do t'i mbijetojë edhe masakrës së Parisit. Vetëm një humbje me të vërtetë masive jetësh, mbase në masën e qindramijëra vetëve, do të detyronte profesionistët e institucioneve që të hiqnin dorë nga modeli i mbrujtur thellësisht brenda tyre i mohimit të përbërëses islamike të natyrës së këtyre sulmeve.
Ky model ka si rredhojë injorimin e plotë të frikërave të votuesve të zakonshëm, pikëpamjet e të cilëve kanë si rezultat një ndikim shumë të vogël në politikat e vendit. Frika nga Sherihati, përdhunimet masive, sëmundjet ekzotike dhe gjakderdhjet injorohen dhe kush i përmend akuzohet për "racizëm" "islamofobi", a thua se fyerjet janë zgjidhje për çështjet reale.
Akoma më e habitshme është që profesionistët i përgjigjen lëvizjes së publikut për nga e djathta duke lëvizur vetë nga e majta, pra duke inkurajuar akoma edhe më shumë emigracion nga Lindja e Mesme, duke institucionalizuar më shumë kode për "gjuhën e urrejtjes" për t'ua mbyllur gojën kritikëve të Islamit dhe duke marrë në mbrojtje më shumë Islamistët. Ky model veprimi nuk shihet vetëm te figurat kryesore institucionale të të Majtës por edhe të të Djathtës (të tilla si Angela Merkel e Gjermanisë); vetëm udhëheqës europiano-lindorë si Viktor Orban i Hungarisë ia lejojnë vetes të flasin ndershmërisht për problem reale.
Hungaria e Viktor Orbánit mund të mos e ketë të gjatë në BE. Apo ai do të bëhet udhëheqësi i ardhshëm i këtij grupi? |
Herët a vonë, nuk ka dyshim se pikëpamjet e votuesve do të mbizotërojnë, por dekada më vonë dhe në rrugë shumë më të dobëta e më pak demokratike sesa duhej të kishte ndodhur.
Duke vënë trazirën vrasëse të Parisit në këtë kontekst: ka shumë mundësi që sentimentet publike të zhvendosen në një drejtim, ndërsa ato të institucioneve në drejtimin krejt të kundërt, duke bërë që tragjedia të mos sjellë pra ndonjë ndikim të madh.