Sulmi i 3 majit në vendin ku po mbahej një konkurs i karikaturave të Muhamedit në Garland, Teksas, shkaktoi shumë diskutime për lidhjet e sulmuesve me Shtetin Islamik, të njohur gjithashtu si ISIS, ISIL, dhe Daesh. A i drejtonte ISIS ata si agjentë? A janë ata pjesë e një rrjeti të ri terrori në Perëndim?
Qartësisht, xhihadistët e Garlandit kishin disa lidhje me ISIS. Udhëheqësi, Elton Simpson, përdorte Tuitërin për të shkëmbyer thirrje për dhunë me Muhammed Abdullahi Hassan (të njohur gjithashtu si Mujahid Miski), 25-vjeçar, i rekrutuar nga ISIS dhe që ishte rritur në Minneapolis. Në 23 prill, Hassan lëshoi një mesazh në Tuitër: "Vëllezërit nga sulmi i Charlie Hebdo bënë pjesën e tyre të punës. Është koha për vëllezërit në SHBA të bëjnë të tyren", duke i bashkangjitur një shkrim nga Breitbart.com për konkursin e karikaturave të Muhamedit. Kjo duket se ka tërhequr vëmendjen e Simpsonit te veprimtaria në Garland; Simpson e rituiti thirrjen për të vepruar dhe u përgjigj: "A do të mësojnë ndonjëherë. Janë duke planifikuar për të zgjedhur fotografinë e vizatuar më të mirë të [Muhamedit] në Teksas". Hassan pastaj e nxit më tej Simpsonin: "Një njeri mjafton për ta ulur të gjithë kombin në gjunjë".
Mesazhi në Tuitër, i cili ndezi sulmin që ndodhi dhjetë ditë më pas në Garland, Teksas. |
Pas sulmit në Garland, ISIS mori përsipër autorësinë, duke i quajtur sulmuesit e armatosur, Simpsonin, 30-vjeçar dhe Nadir Hamid Soofi, 34, "dy ushtarë nga ushtarët e kalifatit", vdekja e të cilëve do të shpërblehej me "rendin më të lartë të parajsës". Radioja e tyre Bayan shfrytëzoi sulmin për të paralajmëruar amerikanët se "ajo që po vjej do të jetë shumë më e keqe dhe më e hidhur" me "ushtarë të Shtetit Islamik" që do të bëjnë "gjëra të tmerrshme".
Elton Simpson u betua për besnikëri ndaj udhëheqësit të ISIS. |
Mirëpo, me aq sa dimë, as Simpson dhe as Soofi nuk ka marrë para, nuk ka marrë armë dhe nuk është stërvitur nga ISIS. Ata gjithashtu nuk i kanë diskutuar planet e tyre me ISIS dhe as nuk kanë kërkuar leje për të vepruar. Më tej, asnjë prej të dyve nuk ka vizituar ndonjëherë Sirinë apo Irakun.
Kjo në fakt është tipike: ISIS nuk planifikon dhe drejton sulme, por përfiton nga profili shumë i njohur publik për të nxitur myslimanët që të armiqësohen me fqinjët e tyre jomyslimanë, siç ka ndodhur tashmë nnë Oklahoma City. Ofron udhëzim shpirtëror, përzgjedhje objektivash dhe frymëzim; nuk është në biznesin e logjistikës, komandës dhe kontrollit. Kur merr përsipër autorësinë nuk e bën për organizimin por për frymëzimin e aktit.
Për këto arsye, ndoshta mund edhe të shpërfillet si mburravecëri deklarata e fryrë e ISIS se ka stërvitur 71 ushtarë në 15 shtete të Amerikës, të cilat janë "gati duke pritur sinjalin tonë që të sulmojnë çdo objektiv që kemi dëshirë". Më së paku, 23 prej tyre paskëshin dalë vullnetarë për "misione si" sulmi në Garland. Mirëpo, autoritetet amerikane të sigurisë përgjojnë mijëra individë si Simpson dhe Soofi, që komunikojnë me ISIS dhe që mund të shpërthejnë në çdo kohë në akte dhune. Survejimi për vite të tëra i Simpsonit, në fund të fundit, nuk ndihmoi për ndonjë gjë. Koncepti i "ujqve të vetmuar" është bërë i parëndësishëm në epokën e xhihadit global, kur çdo mysliman besimtar ka potencialin të kthehet në një "ushtar të kalifatit".
Skena e sulmit në Garland, Texas. |
Ndryshe nga Al-Kaida (modelin e të cilës e njohim më mirë), e cila komunikonte në mënyrë intensive me agjentët e saj dhe ua drejtonte lëvizjet deri në detaje, ISIS nuk është shumë i interesuar për aspektin e organizimit të komploteve të ndërlikuara për të goditur të pafetë perëndimorë. Në vend të kësaj, preferon të kontrollojë territor në Lindjen e Mesme (si në Libi, Jemen, Siri dhe Irak). ISIS u bën thirrje myslimanëve perëndimorë që të zhvendosen në Siri; sulmet në Perëndim janë vetëm një alternativë, kryesisht e nxitur nga trafikimi i anëtarëve të tij nëpërmjet Mesdheut në Europë.
Megjithatë, modeli ISIS është më i rrezikshëm. Sulmet e tij mund të jenë amatore dhe më pak vdekjeprurëse se ato të Al-Kaidës, por ato kanë potencialin që të ndodhin shumë më shpesh. Sulmet e tij janë më të lehta për t'u ndaluar por më të vështira për t'u zbuluar e paraprirë. Taktika e ISIS-it është më efektive nëse nuk llogarit në bazë të numrit të viktimave por në bazë të ndikimit politik – për shembull heqja dorë nga përqeshja e Muhamedit.
Me fjalë të tjera, lidhjet frymëzuese janë më shqetësuese sesa ato organizative. Gjithë puna e ISIS është që vendosë publikisht në shënjestër një objektiv, në revistën e vet ose duke inkurajuar me tuitër në median sociale dhe një ushtri potenciale është njoftuar; nuk ka nevojë për të krijuar një komunikim të fshehtë, të stërvisë kuadro, të lëvizë para përtej kufijve, të zgjedhë apo të gjurmojë objektivat, të urdhërojë goditje apo të janë udhëzime taktike.
Një analizë nga BBC e ka gabim kur argumenton se nëse ISIS mund "të provojë se ka planifikuar dhe drejtuar [sulmin në Garland] – në vend që thjeshtë të kërkojë meritën pasi ka ndodhur – atëhere kjo do të kishim të bënim me një situatë të re". Aspak e vërtetë; ISIS është shumë më i jashtëzakonshëm pikërisht sepse nuk planifikon dhe drejton por thjesht flet dhe shkruan.
Vërtet, ashtu si regjimi iranian paraqet rrezikun më të madh për Lindjen e Mesme, ISIS paraqet formën e radhës, më të evoluar dhe më kërcënuese të dhunës islamiste në Perëndim. A do të na gjejnë të përgatitur këta armiq për vdekje?