Egjipti, i njohur prej mijëra vjetësh si "shporta e bukës së Mesdheut," tashmë është duke u përballur me mungesa alarmante ushqimi. Një reportazh, që të habit për mënyrën pa doreza se si është shkruar, botuar në gazetën Al-Ahram të Kajros nga Gihan Shahine, me titull "Ushqim për stabilitet" e bën mëse të qartë shkallën e shtrirjes së kësaj krize.
Si hyrje dy anekdota: Ndonëse e detyruar nga i jati të martohet me kushëririn që i ka mundësitë t'i ofrojë një çati mbi kokë si dhe ta mbajë me bukë, 20 vjeçarja me emrin Samar, thotë se ata "shumicën e javës hanë për drekë vetëm patate të skuqura dhe patëllxhanë." Motrat e saj, përkatësisht 10 dhe 13 vjeçare, që e lanë shkollën për t'u futur në punë, po bien nga pesha dhe tashmë vuajnë nga anemia kronike.
Një infermiere dhe njëkohësisht nënë e pa burrë nuk arrin t'i ushqejë katër fëmijët e saj. "Në të kaluarën, kur nuk kishim para, gatuanim dhe hanim lakër të mbushur me oriz. Por tashmë edhe këtë nuk arrijmë ta përballojmë nganjëherë, për shkak të çmimeve të larta. Fëmijët tanë gjithnjë kanë qenë të ushqyer keq por tani [situata] po përkeqësohet edhe më shumë."
Në Egjipt shkalla e obesitetit mes të rriturve dhe ajo e pazhvillueshmërisë fizike mes fëmijëve është nga më të lartat në botë. |
Këta nuk janë fëmijë të pazakontë: sipas programit të OKB-së për Ushqimin në Botë "World Food Programme" (WFP), pamjaftueshmëria e ushqimit ka sjellë pazhvillueshmërinë fizike të 31% të fëmijëve egjiptianë të moshave nga 6 muajsh në 5 vjeç, ky një ndër treguesit më të lartë në botë. Po ky program (WPF) në vitin 2009 nxorri në dukje që pamjaftueshmëria e ushqimit e ka ulur PBB-në me afro 2%. Sipas institutit kërkimor "Future Directions International" (FDI) në Australi, një në pesë egjiptianë nuk e ka të garantuar që do të arrijë të sigurojë ushqimin që i nevojitet dhe "një numër në rritje i popullsisë nuk ia del dot të blejë artikuj me vlera ushqimore në sasi të mjaftueshme". Për të mbushur barkun, të varfërit në Egjipt hanë kryesisht ushqime me shumë kalori, por me vlera të pakta ushqyese (si p.sh. kushari famëkeq i bërë tërësisht me niseshte) që shkaktojnë njëkohësisht si obesitet dhe mangësi të vlerave ushqyese. Siç raporton agjencia shtetërore egjiptiane, CAPMAS, 5.2% e popullatës po kërcënohet nga uria.
Ka shumë faktorë që luajnë rol në krizën e urisë në Egjipt, mes të cilëve, duke filluar nga më të thellët deri tek ata më të dukshmit, përfshihen:
Të metat në politikat qeveritare: Kajroja në mënyrë të vazhdueshme u ka dhënë përparësi zonave urbane kundrejt atyre rurale, gjë që ka çuar në uljen e veprimtarisë kërkimore në fushën e agrikulturës, në mungesën e mbështetjes financiare, në monopolet në sektorin privat, subvencionimet e njëanshme, kontrabandën, korrupsionin dhe tregjet e zeza. Fermerët përballen me mangësira të farave, plehrave kimikë dhe pesticideve sa të shtrenjta aq dhe të një cilësie të dobët. Por e keqja më e madhe ka qenë zvogëlimi i tokës së punueshme për shkak të përfshirjes së qeverisë në zgjerimin e shfrenuar të ndërtimeve pa leje.
Mbështetja në import për sigurimin e artikujve ushqimorë: Egjipti, që historikisht i ka përballuar vetë [nevojat ushqimore], tani - sipas FDI-së - importon 60% të artikujve ushqimorë. Vendi vazhdon të sigurojë vetë në shkallë të gjerë nevojat për fruta dhe perime, por varet ndjeshëm nga vajrat ushqimorë, mishi, sheqeri dhe drithërat që vijnë nga jashtë. Egjipti importon 2/3 e grurit (10 milionë ton nga totali prej 15 milionë, duke u bërë kështu importuesi më i madh i grurit në botë), 70% të fasuleve dhe 99% të thjerrëzave. Jo rastësisht, kultivimi i thjerrëzave ka rënë nga 85,000 akra në më pak se 10,000 akra. Ndihma bujare nga shtetet mike që eksportojnë naftë, prej rreth 20 miliardë dollarë amerikanë gjatë vitit 2013, ka qenë vendimtare për financimin e importit të artikujve ushqimorë, por është e pamundur të mos pyesësh veten se dhe për sa kohë akoma do të vazhdojë ky subvencionim.
Pikat e shitjes së kusharit ofrojnë ushqime të bëra me lloje të ndryshme niseshteje, si makarona, patate dhe oriz mbi të cilat është hedhur ca salcë. |
Varfëria: Sa më shumë varfërohet Egjipti aq më e rrezikshme bëhet një varësi e tillë nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare. Siç raporton WFP-ja, mesatarja e mëparshme prej 6.2% e rritjes reale së PBB-së ka rënë me 2.1% në 2012-13. Papunësia është në rreth 19%. Prodhimi i pambukut, dikur krenaria e Egjiptit, brenda një viti tregtar (2012-2013) ka shënuar një rënie prej më shumë se 11%. Siç raporton CAPMAS, 28% e të rinjve jetojnë në varfëri dhe 24% e tyre jetojnë vetëm pak sipër nivelit të varfërisë, një rritje kjo prej 1% brenda një viti.
Mungesa e ujit: Pasuria ujore e Nilit nuk mjafton më, një shterrim prej gati 20 miliardë metër kub çdo vit për shkak të faktorëve të tillë si rritja e popullsisë, vaditja e pamjaftueshme, gjë që ka ndikuar në zvogëlimin e prodhimit ushqimor të Egjiptit; gjithashtu digat e reja që janë në ndërtim e sipër mbi Nilin Blu në Etiopi, brenda një dhjetëvjeçari do të sjellin një pakësim akoma më të ndjeshëm [të pasurisë ujore].
Krizat aktuale: FDI-ja përmend [mes tyre] "epideminë e gripit të zogjve në vitin 2006, krizat në ushqim, karburant si dhe ato financiare të viteve 2007-2009, kërcimin e çmimeve të produkteve ushqimore në shkallë botërore në vitin 2010 si dhe përkeqësimin ekonomik të shkaktuar nga paqendrueshmëria politike që prej revolucionit të vitit 2011".
A mundet qeveria e Abdel-Fattah el-Sisi-t të reagojë në kohë për të ndryshuar këto prirje që po çojnë drejt katastrofës? Personalisht jam pesimist. Miliona banorë të Kajros të predispozuar për të ngritur krye ushtrojnë një ndikim politik më të madh se shumë fermerë që merren qetësisht me punën në fushë. Për më tepër, çështjet urgjente - nga punëtorët e pakënaqur të fabrikave tek rebelimi i Vëllazërisë Muslimane dhe armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit - rregullisht ia kanë larguar vëmendjen qeverisë nga krizat sistemike afatgjata si ajo e prodhimtarisë ushqimore.
Interesat e fermerëve egjiptianë nuk zënë një vend të rëndësishëm në listën e çështjeve me përparësi të qeverisë. |
Uria në Egjipt është një nga problemet e shumta sa të thella aq dhe tipike të Lindjes së Mesme, të cilin të huajt nuk mund ta zgjidhin, por vetëm mund të mbrohen prej tij.