Përmbysja e Morsit në Egjipt më kënaq e më ngjall shqetësim njëkohësisht.
Kënaqësinë është e lehtë ta shpjegosh. Ishte mesa duket demonstrata më e madhe politike në historinë e vendit, ajo që çrrënjosi islamistët arrogantë të Egjiptit që sunduan pa e vrarë pothuajse fare mendjen për gjë tjetër përveç konsolidimit të pushtetit të tyre. Islamizmi, rruga drejt vënies në jetë të ligjeve islamike mesjetare si dhe e vetmja lëvizje e vrullshme radikale utopike e ditëve tona, u hodhën poshtë si kurrë më parë. Egjiptianët treguan një shpirt që të mbush me frymëzim.
Abdul Fatah Al-Sisi duke shpallur shkarkimin nga posti të Morsit |
Shqetësimi im, nga ana tjetër, është më i koklavitur. Historia ka treguar që fuqia tërheqëse e utopizmit radikal zgjat deri në momentin kur nis gjëma. Në letër, fashizmi dhe komunizmi tingëllojnë tërheqës; vetëm realiteti hitlerian e stalinist arriti t'i diskretitojë dhe t'i nxjerrë jashtë loje këto dy lëvizje.
Në rastin e Islamizmit, një proçes i ngjashëm sapo ka nisur; dhe vërtet, neveria për të nisi pas shumë më pak shkatërrimesh krahasuar me në dy rastet e lartpërmendura (Islamizmi nuk ka vrarë ende dhjetra milionë njerëz) dhe shumë më shpejt (pas vitesh e jo dekadash). Vetëm gjatë javëve të fundit sundimi islamist ka marrë tre goditje radhazi, me demonstratat anembanë Turqisë të frymëzuara nga parku Gezi, me fitoren bindëse të linjës së butë islamiste në zgjedhjet e 14 qershorit në Iran, dhe tani me refuzimin masiv e të paparë ndonjëherë të Vëllazërisë Musulmane në sheshet publike pergjatë lumit Nil.
Turmat në Egjipt këtë javë kanë qenë çuditërisht të mëdha. |
Por druhem se përmbysja e shpejtë nëpërmjet ushtrisë e Vëllazërisë Musulmane do të bëhet shkas për t'ua harruar fajet islamistëve.
Egjipti është lëmsh. Marrëdhëniet mes elementëve pro dhe anti- Vëllazërisë Musulmane janë shndërruar në të dhunshme dhe rrezikojnë të degjenerojnë më tej. Koptët dhe shiitët vriten vetëm për shkak të identitetit të tyre. Gadishulli Sinai është në anarki. Udhëheqja e paaftë dhe e pangopur ushtarake, që pas kuintave e sundoi mizorisht Egjiptin në periudhën mes viteve 1952-2012, ka marrë sërish frenat në dorë.
Por problemet më të vështira janë ato ekonomike. Dërgimi i të hollave nga emigrantët ka shënuar rënie që prej trazirave në Libinë fqinjë. Sabotimet e tubacioneve që çojnë gazin natyror në Izrael dhe Jordani i kanë vënë kapak atij burimi të ardhurash. Turizmi sigurisht ka marrë fund. Mungesa e efektshmërisë ka bërë që ky vend i pasur në hidrokarbure të mos ketë karburant për të vënë në punë me kapacitet të plotë traktorët e tij. Fabrikat e kohës së socializmit prodhojnë mallra të një cilësie të dobët.
Egjipti importon 70% të ushqimit dhe valuta për të paguar grurin, vajrat ushqimorë, dhe mallra të tjera të rëndësisë së dorës së parë, po shterron më shpejtësi. Vendin e kërcënon uria. Nëse të huajt nuk e mbështesin Egjiptin me një ndihmë prej dhjetëra miliardë dollarësh në vit në rrugën drejt të ardhmes së mjegullt, një skenar që ka pak gjasa të realizohet, pllakosja e urisë do të jetë e pashmangshme. Që tani rreth një në shtatë familje të varfra ka pakësuar racionin ushqimor të përditshëm.
Adli Mansur, kryetari provizor i qeverisë. |
Ndërkohë që vendi po goditet nga këto katastrofa ekonomike, periudha njëvjeçare e sundimit islamist të Morsit me shokë që luajti rol të madhe në acarimin e këtyre problemeve, mund të harrohet lehtë – dhe pesha e fajit do të bjerë mbi këdo që do të trashëgojë pushtetin. Me fjalë të tjera, vuajtjet e të shkuarës dhe ato që do të vijnë për egjiptianët mund të mos kenë asnjë vlerë. Kushedi, në dëshpërim e sipër ata mund t'i rikthehen islamistëve për t'i nxjerrë nga siatuata e vështirë/telashi që i pret. Në mënyrë të ngjashme, koha e shkurtër në pushtet e Vëllezërve Musulmanë nënkupton që myslimanë të tjerë tjetërkund gjithashtu nuk do të përfitojnë sa duhet nga përvoja mjerane e Egjiptit.
Duke kaluar tek një temë tjetër, Lee Smith e Institutit Hudson sheh mundësinë që sundimtarët e rinj të Egjiptit ta shohin mundësinë e një lufte afatshkurtër me Izraelin si të vetmen mënyrë për të "ribashkuar vendin dhe për të nxjerrë para për Egjiptin duke mjelur komunitetin ndërkombëtar të ethshëm për të ndërmjetësuar paqen" si dhe për t'i "rikthyer Egjiptit rëndësinë e dikurshme" në Lindjen e Mesme. Një luftë e tillë ka të ngjarë të mos arrijë asnjë nga këto synime – gjasat janë që forcat egjiptiane të thyhen rëndë, duke e dobësuar e varfëruar edhe më shumë vendin – por askush nuk mund ta përjashtojë këtë mundësi. Udhëheqësit ushtarakë të Egjiptit shumë herë janë përfshirë në marrëzira kundër Izraelit.
Me një fjalë, gëzimi im për largimin e Morsit zbehet nga shqetësimi im se mësimet e nxjerra nga sundimi i keq i tij, do të shkojnë dëm.