Kush është më i keq, Presidenti Mohamed Morsi, islamisti i dalë nga zgjedhjet, që kërkon të zbatojë ligjin islamik në Egjipt, apo Presidenti Husni Mubarak, ish-diktatori, i dëbuar ngaqë u përpoq të fillonte një dinasti? Në një kontekst më të përgjithshëm, a është më e mundshme që një rend liberal e demokrat të arrihet nën ideologë islamikë që mbizotërojnë në kutitë e votimit, apo nën diktatorë të pangopur që nuk kanë synim tjetër përveçse mbijetesës së tyre në pushtet?
Veprimet e fundit të Morsit e japin përgjigjen duke treguar se islamistët janë shumë më të këqinj sesa diktatorët.
Kjo çështje u ngrit gjatë një debati interesant të organizuar nga "Intelligence Squared U.S.", në fillim të tetorit, kur Reuel Marc Gerecht i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive dhe Brian Katulis i Qendrës për Progres Amerikan argumentuan "Më mirë islamistët e zgjedhur sesa diktatorët", ndërsa Zuhdi Jasser i Forumit Islamik Amerikan për Demokraci dhe unë arsyetuam kundërargumentin. Në fakt, askush nuk argumentoi "në favor" të ndonjërës palë. Skuadra tjetër nuk mbështet islamistët dhe ne sigurisht nuk u gëzohemi diktatorëve, Çështja ishte më tepër se cili lloj pushtetari është më pak i keq dhe mund të joshet drejt demokracisë.
Debati "Intelligence Squared" në New York City, në 4 tetor 2012. |
Katulis fajësoi diktaturat se ushqejnë "llojet e ideologjive" që sollën 11 Shtatorin dhe Gerecht këmbënguli se juntat ushtarake dhe jo islamistët, janë në përgjithësi "rreziku i vërtetë. …E vetmja mënyrë për të pasur një rend më liberal në Lindjen e Mesme është nëpërmjet njerëzve të fesë" të cilët votojnë për islamistët në pushtet. Katulis argumentoi se islamistët e zgjedhur ndryshojnë dhe shndërrohen gradualisht, duke u bërë më pak ideologë dhe më shumë praktikë; ata evoluojnë përballë kacafytjes së jetës politike, duke u fokusuar në "nevojat themelore" si siguria dhe vendet e punës.
President Mohamed Morsi duke u takuar me kryeministren e Australisë, Julie Gillard në shtator 2012. |
Jasser dhe unë iu përgjigjëm këtij katalogu pasaktësish (juntat militare sollën 11 Shtatorin?) dhe këtij të menduari naiv (besimtarët e vërtetë do të bëjnë kompromis me synimet e tyre? Një dallgë e madhe islamistësh të Irakut janë kthyer në liberalë?) duke deklaruar së pari se ideologët janë diktatorët më të rrezikshëm. Ata nuk i zbusin qendrimet e tyre kur ngjiten në pushtet por zhyten akoma edhe më thellë, duke hedhur themelet për të qendruar përjetësisht në pushtet. Së dyti, ideologët lënë pas dore pikërisht ato çështje që debatuesit tanë theksuan – sigurinë dhe vendet e punës – në favor të zbatimit të ligjeve islamike. Ndryshe nga këta, diktatorët e pangopur, pa shumë ideologji e vizion, nuk janë të fiksuar pas ndonjë forme të shoqërisë dhe mund të binden që të bëjnë më shumë për zhvillimin ekonomik, liritë personale, një proces politik të hapur dhe për pushtetin e ligjit (si për shembull në Korenë e Jugut).
Pa shihni tani, Morsi dhe Vllazëria Muslimane kanë ndjekur saktësisht skenarin që parashikuam ne. Që kur u ngjit në pushtet në gusht, Morsi (1) mënjanoi ushtrinë, pastaj u përqendrua në çimentimin dhe zgjerimin e supremacisë së tij, sidomos duke lëshuar një seri urdhërash në 22 nëntor që i japin atij fuqi autokratike ndërkohë që përhapi teori konspiracioni me Zionistë për kundërshtarët e vet. Më pas, (2) imponoi një kushtutetë me orientim islamist në 30 nëntor dhe shpalli një referendum të nxituar për datën 15 dhjetor. Tërësisht i dhënë pas këtyre dy punëve, ai ka injoruar praktikisht mozaikun e problemeve prej të cilave vuan sot Egjipti, sidomos kërcënimin nga kriza ekonomike dhe mungesën e fondeve për të paguar për ushqimet e importuara.
Çmimi i gazit butan është dyfishuar që kurse Morsi u ngjit në pushtet. |
Rrëmbimi i pushtetit nga Morsi ka nxitur egjiptianët anti-islamistë që të bashkojnë forcat në "Frontin e Shpëtimit Kombëtar" dhe të përballen me islamistët në përleshjet më të dhunshme nëpër rrugë që janë parë që prej gjashtë dekadash. Kjo e ka detyruar atë që të tërhiqet pjesërisht nga urdhërat e 22 nëntorit. Sa ironike që pasi e mënjanoi me zotësi ushtrinë në muajin gusht, teprimet e Morsit krijuan kushtet që autoriteti përfundimtar të jetë përsëri në dorë të ushtarakëve që mund të ndërhyjnë në favor të ose kundër tij. Duke zgjedhur simpatizues të islamistëve për postet e oficerëve më të lartë si dhe duke i ofruar ushtarakëve rritje të privilegjeve në kushtetutën e propozuar, ai sipas të gjitha gjasave e ka të fituar mbështetjen e tyre. Radhën duket se tani e ka ligji marcial.
Brenda vetëm tre muajve, Morsi ka dëshmuar se aspiron pushtete diktatoriale shumë më të mëdha sesa Mubaraku dhe se pushteti i tij paralajmëron një fatkeqësi shumë më të madhe për Egjiptin sesa ai e Mubarakut. Ai e ka vërtetuar qartësisht argumentin tim dhe të Jasser-it: më mirë diktatorë sesa islamistë të zgjedhur. Siç vura në dukje, gjatë debatit, Perëndimorët duhet t'ia përplasin derën në fytyrë diktatorëve ideologjikë si islamistët, ndërkohë që duhet t'u ushtrojnë presion diktatorëve të pangopur që të lejojnë shoqërinë civile. Kjo do të ofronte të vetmen rrugëdalje nga zgjedhja e gënjeshtërt ndërmjet dy formave të tiranisë.
Daniel Pipes (www.DanielPipes.org) është President i Forumit të Lindjes së Mesme. © 2012 nga Daniel Pipes. Të gjitha të drejtat e rezervuara.