"Pse është bërë Suedia, Koreja e Veriut e Skandinavisë?" Këtë pyetje i bëri si gjysëm me shaka një danez, karikaturistit suedez Lars Vilks në një konferencë në vitin 2014 ku pata marrë pjesë dhe vetë. Vilksi në mënyrë jo bindëse murmuriti diçka për njëanshmërinë e suedezëve kur bie fjala për konsensus.
Lars Vilks, Lars Hedegaard, Geert Wilders dhe Daniel Pipes së bashku në parlamentin danez në Kopenhagen, më 2 nëntor, 2014. |
Por ja ku vjen Ryszard Legutko, një profesor polak i filozofisë si dhe udhëheqës politik, me një përgjigje më të mirë. I përkthyer nga Teresa Adelson, libri i tij me titull The Demon in Democracy: Totalitarian Temptations in Free Societies ("Djalli i Demokracisë: tundimet totalitariane në shoqëritë e lira") tregon në mënyrë metodike ngjashmëritë e konsiderueshme mes komunizmit të stilit sovjetik dhe liberalizmit modern siç është përkufizuar nga Suedija, Bashkimi Europian apo Barack Obama.
(Por përpara se të shqyrtojmë argumentin e tij, dëshiroj të bëj një sqarim: Legutko diskuton për demokracinë liberale, një term të cilin e shoh si tepër kompleks, prandaj preferoj të përdor këtu termin liberalizëm.)
Ryszard Legutko. |
Legutko nuk pretendon që liberalizmi i ngjan për nga monstruoziteti komunizmit, dhe as që dy idelogjitë janë identike. Ai pranon plotësisht karakterin demokratik të të parit dhe atë brutal dhe tiranik të të dytit. Megjithatë, pasi ka pranuar kontrastin mes tyre, ai i futet temës më të mprehtë që lidhet me çfarë kanë të përbashkët këto dy ideologji.
Për herë të parë ngjashmëritë mes tyre ai i vuri re kur vizitoi perëndimin në vitet 70-të. Në atë kohë pa se si liberalët preferonin më shumë komunistët se anti-komunistët. Më vonë, me rënien e bllokut sovjetik, ai do të shihte liberalët të prisnin ngrohtësisht komunistët, por jo kundërshtarët e tyre anti-komunistë. Po pse kështu?
Sepse, argumenton ai, liberalizmi me komunizmin kanë të përbashkët besimin e fortë në aftësinë e mendjeve racionale për të gjetur zgjidhje, gjë që u shërben si shtysë për të përmirësuar qytetarin, për ta modernizuar dhe për ta mbrujtur atë derisa ta shndërrojnë në një qënie superiore. Prandaj, të dyja idelogjitë politizojnë dhe si rrjedhim degradojnë çdo aspekt të jetës, përfshirë dhe seksualitetin, familjen, fenë, sportet, argëtimin dhe artet. (Ja një pyetje e djallëzuar, por serioze: cili art është më i shëmtuar, arti komunist apo ai liberal, arti i Stalinit apo ai i Bienales së Venecias?)
Djalli i Demokracisë. |
Që të dyja ideologjitë janë të angazhuara me inxhinierinë sociale për të krijuar një shoqëri anëtarët e së cilës "në mendime, fjalë dhe vepra nuk bëjnë dallim" nga njëri-tjetri. Ato synojnë një popullatë të përbërë kryesisht nga njerëz të ngjashëm dhe pa disidentë që të shkaktojnë trazira. Që të dyja me shumë të madh e marrin si të vërtetë që vizioni i veçantë që kanë përbën shpresën më të madhe për mbarë njerëzimin si dhe përfaqëson fundin e historisë, fazën përfundimtare të evolucionit të racës njerëzore.
Mirëpo problemi qëndron në atë që skema të këtyre përmasave madhore për përmirësimin e njerëzimit çojnë drejt zhgënjimeve të forta; qëniet njerëzore, siç ka rezultuar, janë shumë më kryeneçe dhe shumë më pak të lakueshme se sa do të preferonin ëndërrimtarët. Kur gjërat shkojnë mbrapsht (të themi, prodhimi ushqimor në rastin e komunistëve apo emigracioni i pandalshëm në rastin e liberalëve), dalin në pah dy pasoja të pakëndshme.
Së pari, ideologët struken në fantazinë e tyre të cilën në mënyrë të ethshme përpiqen t'ua imponojnë personave që nuk duan. Komunistët bëjnë përpjekje kolosale për të bindur vasalët që jeta e tyre është më e begatë se ajo e ditëzinjve që jetojnë në vendet kapitaliste. Liberalet nga dy gjini - femërorë dhe mashkullore - kanë kaluar në 71 ose bëjnë të zhduken krimet e emingrantëve. Kur gjërat shkojnë vërtet keq me projektet e tyre, përgjigja e të dyja palëve nuk është një rishikim i premisave, por në mënyrë krejt të paarsyeshme, kërkojnë vënien në jetë të një komunizmi apo liberalizmi edhe më të kulluar. Ata mbështeten fort në teoritë konspirative: komunistët fajësojnë kapitalistët, kurse liberalët korporatat si për shembull kur shpjegojnë shkaqet pse San Francisco-ja është vendi në Amerikë ku ka më shumë vjedhje, grabitje dhe forma të ndryshme vandalizmi, apo pse "Seattle-i po vdes" nga një epidemi të pastrehësh që jetojnë rrugëve.
Së dyti, kur në mënyrë të pashmangshme fillojnë shfaqen disidentët, si komunistët ashtu dhe liberalët bëjnë ç'është e mundur për t'ua shtypur opinionin. E formuluar ndryshe, si njëra palë dhe tjetra janë të përgatitura që t'i çojnë me forcë popullatat e kredhura në errësirë "drejt lirisë", siç thotë Legutsko. Kjo sigurisht nënkupton kontroll dhe madje shtypje të fjalës së lirë. Në rastin e komunistëve, zyrat qeveritare të çensurës përjashtojnë çdo gjë negative mbi socializmin, dhe pasojat janë të dhimbshme për ata që nuk heqin dorë.
Ilustrim i Washington Times. |
Në rastin e liberalëve, janë kompanitë që të japin internetin, gjigantët e rrjeteve sociale, shkollat, bankat, shërbimet e bashkë-udhëtimeve, hotelet apo linjat e lundrimit që ndyjnë duart duke u hequr platformat nga ku mund të shprehen kritikëve që përdorin atë që njihet si gjuhë e urrejtjes (hate speech), ilustrim i së cilës mund të jetë dhe pohimi "skandaloz" që egzistojnë vetëm dy gjini. Sigurisht islami është një temë e mbushur me kurthe: mund të gjobitesh nëse pyet veten se a ka qenë Muhameti pedofil ose të futesh në burg për një karikaturë. Rezultati? Në Gjermani, vetëm 19 përqind e qytetarëve mendojnë që mund të shprehin lirisht opinionin e tyre në një ambjent publik.
Analiza që bën Legutko nuk ofron një plan pune për konservatorët. Megjithatë argumenti i tij duhet të shërbejë si bazë për këta të fundit. Konservatorët gjithashtu duhet të vënë në dukje elementët represivë të liberalizmit, të mburren me lirinë që ofron konservatorizmi dhe të organizohen për të ndërmarrë hapin e madh që do të nxirrte nga gremina vendet si Suedia. Kur u rrëzua vetë Bashkimi Sovjetik, që vrau 62 milionë prej njerëzve të vet si dhe kërcënoi mbarë njerëzimin me raketa bërthamore ndërkontinentale, sigurisht që mund të rrëzohen dhe bastionet e liberalizmit, dhe për këtë Legutko ofron njohuri dhe frymëzim.