Hyrje: Kjo është hera e parë që prej vitit 2000 që nuk bie dakort me asnjë analist tjetër lidhur me një zhvillim në Lindjen e Mesme. Në atë kohë, kam qenë i vetmi që parashikova që Hafez al-Assad-i i Sirisë nuk do të arrinte një marrëveshje diplomatike me Izraelin. Sot, jam i vetmi që i shoh zgjedhjet në Stamboll jo si fillim i një epoke të re, por si një shkarje e përkohshme nga një epokë e vjetër. Por këtë do ta shohim. DP
Lindja e Mesme jo më kot njihet si enigmatike, një vend ku veprimet në dukje të palogjikshme janë diçka e zakonshme për mënyrën si bëhen punët aty. Princi saudit i kurorës rrëmbeu kryeministrin e Libanit, e detyroi të japë dorëheqjen vendim të cilin ky i fundit, me t'u rikthyer në atdhe, e anulloi duke rimarrë pozitën e mëparshme. Autoriteti Palestinez refuzoi me zemërim të merrte pjesë në konferencën e Bahrain-it ku mund të kishte fituar deri në 27 miliardë dollarë. Dhe tjetra, zgjedhjet e përsëritura bashkiake të Stambollit që u zhvilluan të dielën.
Zgjedhjet e mëparshme u mbajtën në mars dhe kandidati i presidentit Recep Tayyip Erdoğan humbi me një diferencë mikroskopike prej 0,16%. I pakënaqur me këtë rezultat, Erdoğan-i bëri atë që bën zakonisht çdo diktator: urdhëroi anullimin e tij, duke ofruar si shkak një teknikalitet të vogël, si dhe zhvillimin për së dyti të zgjedhjeve. Mendja ta do, që ai gjithashtu do t'i thotë qehallarëve të tij që herën e dytë ta rregullojnë punën që rezultati të dalë mirë dhe t'i garantojnë kandidatit të tij një fitore të thellë. Mirëpo, kandidati i tij jo vetëm që nuk fitoi, por ai hëngri dajak me një diferencë prej 9.22 përqind, thuajse 60 herë më të lartë se diferenca e humbjes herën e parë.
Ekrem Imamoğlu, kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Stambollit, iu drejtua mbështetësve të tij pas fitores në zgjedhje. Po sa kohë do të zgjasë ky entuziazëm ? |
Dy pyetje dalin nga kjo dramë zgjedhore.
E para, pse Erdoğan-i lejoi që të ndodhte diçka e tillë? Për afro gjashtë vjet ai ka sunduar si një diktator gati absolut, dhe do të ishte treguar konsistent po të kishte kërkuar një fitore të madhe. Ai ka nën kontroll ushtrinë, policinë, parlamentin, gjyqësorin, bankat, shtypin si dhe sistemin arsimor. Ja disa shembuj:
Erdoğan-i manipulon zgjedhjet dhe sigurisht ishte ai që anulloi zgjedhjet e marsit në Stamboll. Ndërton pallate dhe aeroporte kudo që i pëlqen dhe me çfarëdolloj kostoje që dëshiron. I jep urdhër bankës qendrore të vërë norma interesi që do ai. Drejtoi një "grusht shteti të kontrolluar". I mbushet mendja, shkon dhe bën shpime në zonën ekonomike ekskluzive të fqinjit për të nxjerrë gaz ose i shkel hapësirën ajrore. Bashkëpunon fshehurazi me ISIS-in. Ithtarët e tij nuk e kanë për gjë të frikësojnë kundërshtarët. Heq nga puna, burgos apo torturon këdo që e sfidon në Turqi përfshirë edhe të huajt. Vetë krijon dhe vetë shpërndan ushtrinë e tij private.
Qeveria turke dërgoi anijen kërkimore "Barbaros Hajredin Pasha" që merret me studime dhe sondazhe sizmografike për të eksploruar depozitat e gazit natyror në zonën detare ekskluzive ekonomike të Qipros. |
Pra me gjithë këtë pushtet, pse vallë Erdoğan-i lejoi zgjedhje të lira në Stamboll dhe nuk e manipuloi rezultatin? Diktatorët nuk para i lënë armiqtë e tyre të fitojnë në qytetin më të rëndësishëm të vendit dhe jo më në një kohë kur Erdoğan-i vetë e quajti betejën për Stambollin çështje të "mbijetesës kombëtare" si dhe parashikoi "Nëse na rrëshqet këmba në Stamboll, do të rrëzohemi në Turqi".
Çudija e zgjedhjeve në Stamboll rri mirë brenda një konteksti më të madh të asaj që e kam quajtur "enigma Erdoğan". Edhe njëherë tjetër, presidenti turk ndërmerr hapa të palogjikshëm ose kundërproduktivë: pa qenë nevoja, bëri një armik të fuqishëm, kur në vitin 2013 i shpalli luftë politike Fethullah Gülen-it, me të cilin për një kohë të gjatë kishin qenë bashkëluftëtarë islamistë. Hoqi dorë nga kërkesa për t'i mundësuar turqve futjen pa vizë në vendet e Bashkimit Europian, një synim ky shumë i rëndësishëm, duke preferuar kështu t'i përmbahet një legalizmi të kotë. Bëri një përpjekje vigane, të cilën e pagoi shtrenjtë politikisht, për të fituar referendumin e vitit 2017 duke ndryshuar kushtetutën të cilën e kishte injoruar për vite me radhë. E fundosi lirën turke në vitin 2018, sepse çuditërisht beson që normat e larta të interesit çojnë drejt një inflacioni të lartë dhe konkluzioni që nxjerr nga kjo gjë është që "normat [e larta] të interesit janë nëna dhe babai i të gjithë të këqijave."
Numri i lirave turke për një dollar amerikan gjatë dhjetëvjecarit të kaluar. Në vija të trasha, grafiku është një paralelizëm me cilësinë e qeverisjes së Erdoğan-it. |
Por asnjë nga shpjegimet e ndryshme që më vijnë në mend si përpjekje për të shpjeguar humbjen poshtëruese - vullneti i Erdoğan-it po lëkundet, e ka një as nën mëngë, do t'i rikthehet demokracisë - nuk më duken bindëse.
Pyetja e dytë që kam është: Pse askush tjetër përveç meje nuk është në mëdyshje për këtë zhvillim? Çdo analist që lexoj e trajton funksionimin e demokracisë në Turqi si krejtësisht normal, duke injoruar faktin që vendin e sundon një tiran. Titujt flasin për një "tërmet politik", një "shuplakë të rëndë" dhe një "humbje katastrofike", duke presupozuar kështu që Erdoğan-i do ta pranojë humbjen. Sipas tyre, zgjedhjet e Stambollit shënojnë fillimin e një epoke të re për Turqinë.
Por jo sipas meje. Unë e shoh gjithë këtë si anomali për t'u ndrequr. Prandaj parashikoj që impulsi prej tirani i Erdoğan-it, që për arsye të pakuptueshme është në fazë tërheqjeje, do të nxjerrë krye së shpejti. Kur të ndodhë kjo, ai do ta rimarrë Stambollin nën kontroll. Sërish mund të përdorë një teknikalitet ose ka të ngjarë ta akuzojë kryetarin e bashkisë për lidhje me Gülen-in dhe "terrorizmin". Cilado qoftë arsyeja, efekti do të jetë po ai: rikonfirmim i vullnetit suprem prej autokrati mbi të gjithë vendin.
Në retrospekt, zgjedhjet e Stambollit do të shihen si një përjashtim në rrugën e Erdoğan-it drejt kontrollit absolut. Nuk do të kujtohen si tërmet politik, shuplakë e rëndë apo humbje katastrofike, por si një interlud i shkurtër në theqafjen e pandalshme të vendit drejt rrënimit.