ROMË – Këto ditë, Italia është kudo nëpër lajme për shkak të dy zhvillimeve kryesore. Së pari, ministri i brendshëm Matteo Salvini - kundër të gjitha kundërshtimeve nga media, gjyqësori dhe kisha - ua mbylli portet e vendit emigrantëve të paligjshëm duke reduktuar kështu numrin e të ardhurve nga deti Mesdhe me 97% nga viti 2017 në vitin 2019. Së dyti, partia e tij civilizacioniste "Lega" nga 6% të votave në zgjedhjet e parlamentit europian të vitit 2014, muajin e kaluar fitoi 34% të tyre për të njëjtat zgjedhje duke u bërë kështu partia më popullore në Itali.
Një krahasim i numrit të emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në Itali nga deti prej 1 janarit në 12 qershor në periudhën 2017-2019. Burimi: Departamenti italian i Sigurisë Publike. |
Të para nga jashtë Italisë, këto zhvillime dramatike sugjerojnë që një masë në rritje e 61 milionë banorëve të Italisë ka reshtur së mohuari problemet e fundbotshme të emigracionit dhe islamizimit të Italisë dhe është e gatshme të përballet me kërcënimet egzistenciale që i kanosen vendit. Por a është vërtet kështu? A kanë bërë italianët vërtet një kthesë në betejën për të marrë në dorë fatet e tyre? Çfarë nënkupton në të vërtetë mbyllja e porteve dhe sa domethënëse është ngjitja që po shënon Lega?
Për të hulumtuar mbi këto pyetje, kalova një javë në Romë ku u takova me 25 politikanë, dipllomatë, gazetarë dhe intelektualë mbështetës të pikëpamjeve të ndryshme. Salvini krahasohej me këdo duke filluar nga Juan Perón tek Margaret Thatcher. U largova i impresionuar nga shtrirja e betejës në zhvillim në të cilën civilizacionistët gëzojnë një avantazh sa të çastit aq dhe vulnerabël i cili mund të përmbyset nëse hidhen hapa të gabuar.
Pika e kuqe shënon ishullin italian të Lampeduzës, territori europian më afër Libisë. |
Akoma më keq, dy forcat kulturore më dominuese në Itali - partia komuniste dhe kisha katolike e Romës - janë që të dyja universaliste dhe si të tilla nuk e vlerësojnë shumë atë që e dallon Italinë si komb. Natyrisht të dyja këto forca janë pro emigracionit në shkallë të gjerë, siç del në pah nga deklaratat e zjarrta të papës Françesko. Më 27 maj për shembull, ai e quajti praninë e emigrantëve "një ftesë për të rigjetur disa nga përmasat më esenciale të egzistencës sonë kristiane".
Përveç këtyre dy arsyeve të mëdha, italianët e tjerë kanë më shumë arsye praktike për të mirëpritur prurjen e pandalshme të emigrantëve. E majta italiane nuk mund të mos ta ketë vënë re se si vota e e emigrantëve i ka ndihmuar homologët e saj në vende të tjera (p.sh. Franca). Shërbimet e emigracionit të financuara nga shteti, në të cilat ishin punësuar 36,000 vetë, larguan nga puna 5,000 punonjës kur ra numri i emigrantëve të paligjshëm dhe aktualisht pritet që të largohen edhe 10,000 të tjerë. Korrupsioni, përfshirë këtu prostitucionin dhe përvetësimin e fondeve, është i përhapur në shërbime të kësaj natyre dhe ku Mafia nxjerr "përfitime të mëdha në kurriz të emigrantëve."
Në krahun tjetër qëndrojnë ata që dëshirojnë të lartësojnë jo vetëm kombin italian dhe kulturën e tij të lavdishme kombëtare, por dhe krahinat e saj të shumta që dallohen nga njëra tjetra dhe që kanë histori të gjata, dialekte ndërsjellësisht të pakuptueshme dhe kuzhinë me emër. Marrim për shembull Venecian, e cila qe e pavarur për njëmbëdhjetë shekuj me radhë (697 - 1797), zhvilloi një metodë unike të punimit të qelqit (Murano) si dhe shkollën e saj të kompozimit të muzikës. Krenaria civilizacioniste për këtë trashigimi është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëndrimet universaliste.
Si person,Matteo Salvini, 46 vjeçar, e çon impulsin civilizacionist drejt ruajtjes. Një politikan karriere i cili iu bashkua radhëve të Legës së Veriut që në moshën 17 vjeçare, ai u bë anëtar i këshillit të qytetit të Milanos në moshën 20 vjeç dhe u ngrit në rang brenda partisë derisa më në fund, në vitin 2013, ai arriti të vihet në krye të saj duke mundur udhëheqësin më të hershëm të partisë. Si udhëheqës i ri, ai arriti shumë shpejt ta kthejë partinë e tij nga krahinore në kombëtare (duke hequr dhe fjalën "e veriut" nga emri) dhe e bëri kontrollin mbi emigracionin mesazhin e tij kryesor.
Ministri i brendshëm Matteo Salvini vesh shpesh fanella të zonës për të vënë theksin mbi krenarinë krahinore, si në këtë foto të marrë në jug të Italisë. |
Salvini luan një rol kaq dominues brenda Legës si dhe drejtues në politikën e Italisë sa drejtimi që do të marrë e ardhmja e vendit varet shumë nga përparësitë, aftësitë, thellësia, vizioni dhe qëndrueshmëria e tij. Nëse do t'ia dalë me sukses që ta kthejë mbylljen e porteve në një zgjidhje afatgjatë të problemit të emigracionit dhe islamizimit, atëherë fitorja e tij aktuale në zgjedhje paralajmëron arritjen e një momenti vendimtar për Italinë. Por nëse ai dështon në përpjekjen e tij, italianëve për një kohë të gjatë nuk do t'u jepet sërish mundësia për të mbajtur nën kontroll kufinjtë dhe për të mbrojtur identitetin dhe sovranitetin e tyre.
Në vija të përgjithshme, Italia ka potencialin që së bashku me Hungarinë ta nxjerrin Europën jashtë rënies aktuale. Por një perspektivë e tillë e lumtur kërkon aftësi të mëdha dhe më shumë se një të pickuar nga fati.