Me ndonjë përjashtim të rrallë, liberalët në Shtetet e Bashkuara janë në favor të niveleve të larta të imigrimit dhe e majta amerikane shkon edhe më tutje duke kërkuar Heqjen e ICE-it (shkurtim i Immigration Customs and Enforcement, agjencia federale amerikane që merret me zbatimin e ligjeve të emigracionin, kontrollin doganor dhe sigurinë në kufi). Por zhvillimet në Europë sugjerojnë që ky thuajse unanimitet një ditë mund të shpërbëhet.
Disa të majtë amerikanë kërkojnë: "Hiqni ICE-in! Hapni kufinjtë!" |
Që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e majta europiane masivisht e ka parë lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore dhe emigracionin si mënyrat më të mira për të sfiduar interesat e korporatave; thënë me fjalët e shkrimtarit progresiv David Adler (në artikullin e të cilit "Njihuni me nacionalistët e të majtës europiane" jam bazuar për këtë shkrim), këto dy gjëra përshpejtuan hapin e historisë dhe nxorrën në pah kontradiktat e kapitalizmit."
Në këtë mënyrë, e majta ndihmoi në krijimin e Bashkimit Europian dhe më pas në aprovimin e Marrëveshjes së Shengenit të vitit 1985 (e cila praktikisht eliminoi kufinjtë e brendshëm mes 26 vendeve europiane me një popullsi prej më shumë se 400 milionë banorë.) Ajo gjithashtu priti me entuziazëm jo-europianë, një qasje që arriti kulmin në periudhën 2015-2016 me marrjen nga Anxhela Merkel (një majtiste që hiqet si konservatore) të një milion e ca emigrantëve, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët u pritën në Gjermani nga willkommenskultur dmth kultura e mirëseardhjes.
Kjo prurje masive, dhe veçanërisht prania në mes tyre e islamistëve, solli një reagim të fortë nga ana e bazës historike të së majtës, pra punëtorëve, gjë që çoi në braktisjen e saj nga ana e tyre për të mbështetur partitë anti-emigracion dhe anti islamizim, që unë i quaj civilizacioniste, të cilat kohë më parë ishin parti krejt anësore. Këto parti, duke ofruar një përzierje të ndihmave sociale bujare me kontrolle të forta në kufi, po fitojnë rëndësi anembanë Europës në atë masë sa të ushtrojnë pushtet të vërtetë në pesë qeveri (të Polonisë, Çekisë, Hungarisë, Austrisë dhe Italisë.)
Të majtët gjithnjë e më shumë po kuptojnë se të zgjidhesh do të thotë të marrësh atë që Adleri e quan "një kthesë historike" duke i kthyer shpinën si tregut të përbashkët europian të punës ashtu dhe emigracionit prej jashtë Europës; ky objektiv i dyfishtë, kanë zbuluar ata së fundi, "i jep zemër shfrytëzimit, gërryen komunitetet dhe mohon sovranitetin popullor". Nacionalistët e majtë e kritikojnë lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore për arsye të ndryshme: ekonomike (humbje vende punësh dhe shkurtime të rrogave), kulturore (humbje e solidaritetit dhe ksenofobi) dhe politike (një projekt elitar që nuk mbështetet nga masat).
Me një piruetë të habitshme, kufinjtë e hapur tashmë shihen si diçka që dëmton interesat e klasës punëtore, ndërsa kontrolli strikt i kufinjve garanton të drejtata e punëtorëve. Kombi, që shihej prej kohësh si një projekt borgjez, është bërë një mburojë për punëtorët kundër të këqijave të globalizmit. Në këtë frymë, të majtët që udhëheqin në tre vëndet më të mëdha e më me influencë të Europës po kërkojnë kufizimin e lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore:
Jeremy Corbyn (djathtas), Jean-Luc Mélenchon, Sahra Wagenknecht. |
Në Mbretërinë e Bashkuar, Jeremy Corbyn, udhëheqës i Partisë Laburiste, kandidat i opozitës për kryeministër dhe majtist i krahut ekstrem, thotë që "Laburistët nuk janë kapur pas lirisë së lëvizjes të qytetarëve të BE-së si çështje principi" dhe kërkon "administrimin e arsyeshëm" të emigracionit pas Brexit-it bazuar në nevojat që ka ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar. Kolegia e tij Diane Abbott e thotë edhe më thjeshtë: Laburistët janë ... për sigurinë e vërtetë në kufi.
Në Francë, Jean-Luc Mélenchon, udhëheqës i La France Insoumise, një parti populiste dhe figurë e shquar e së majtës, i denoncon punëtorët e ardhur nga vendet e tjera të Bashkimit Europian që "po vjedhin bukën" e punëtorëve francezë. Ai lëvdon flamurin dhe himnin kombëtar francez (më tepër se equivalentët e tyre socialistë) si "simbole revolucionare", një kthesë kjo me të vërtetë marramendëse.
Në Gjermani, Sahra Wagenknecht, bashkëdrejtuese e partisë së majtë Die Linke është shprehur hapur kundër mikpritjes që u tregua ndaj më shumë se një milion emigratëve në 2015-2016, kundër hapjes së kufinjve dhe kundër dhënies pa kufi të lejes për të punuar, emigrantëve në Gjermani. Ajo ka themeluar një organizatë të quajtur Aufstehen (Çohu!) për të promovuar këto ide dhe ka arritur të vërë gishtin në plagë gjë të cilën e dëshmon fakti që gati një në tre gjermanë ka mundësi të mbështesin qasjen e ashpër të kësaj organizate.
Natyrisht, versioni nacionalist i socializmit vështirë se mund të konsiderohet si diçka e re, përkundrazi ai daton që nga Benito Musolini në Itali i cili vuajtjeve të Luftës së Parë Botërore iu përgjigj me një ideologji të cilën e quajti fashizëm; akoma më haptazi, Adolf Hitleri e çoi Partinë Nacionalsocialiste të punëtorëve gjermanë, apo partinë naziste, drejt pushtetit absolut. Duke qenë se të sjell ndër mend të tillë përbindësha, kjo prirje aktuale ka hasur në kritika të ashpra: për shembull, Matt Qvortrup i Coventry University e dënon përzierjen që Wagenknecht i bën politikave anti-emigracion me ekonominë populiste si një "përzierje e rrezikshme".
Musolini (majtas) dhe Hitleri. |
Kurse mua përkundrazi, më duket inkurajuese kjo përsëritje e nacionalizmit brenda së majtës: Europa, Amerika dhe Oqeania kanë nevojë që e majta dhe e djathta të bashkëpunojnë për të kufizuar emigrimin në masë jo-perëndimor që kërcënon të mbizotërojë madje të zhdukë qytetërimin perëndimor.
Adler vë në dukje që 40% e demokratëve në Shtetet e Bashkuara duan ende nivele edhe më të larta nga ato aktuale të emigracionit, diçka që dallon nga 5%-ëshi i votuesve laburistë në Mbretërinë e Bashkuar. A do t'i shërbejë humbja e votuesve si një mësim i paguar shtrenjtë të majtës amerikane dhe a do ta bëjë që t'i bashkohet homologëve të saj në kontinentin e vjetër? Them se është e mundur.
Grafiku i zgjedhur nga "The Washington Times" për këtë shkrim. |