Kjo ese është përfshirë në librin që u shkrua në kuadrin e konferencës së Middle East Forum, "Katari: Aleat i Shteteve të Bashkuara apo kërcënim global?" e cila u mbajt në Uashington, më 6 shkurt, 2019.
Që në mes të viteve 1990, në ambjentet e politikës së jashtme qarkullonte një gjëagjëzë: pasi bie Bashkimi Sovjetik, cilat janë dy fuqitë më të mëdha të botës? Përgjigja ishte: Shtetet e Bashkuara dhe Katari. Me fjalë të tjera, ambicjet e e pamasa të një vendi që në atë kohë kishte një popullsi autoktone prej 150,000 banorësh, kanë qenë të qarta prej kohësh.
Piktura e Paul Gauguin, Quand te maries-tu? (Kur do të martohesh?) |
Tashmë, influenca e Katarit nuk është më një gjëagjëzë. Ajo ndjehet që nga Claridge's Hotel tek piktura e Paul Gauguin-it "Quand te maries-tu?", nga Al Jazeera tek Kampionati Botëror i 2022-shit, nga përpjekjet për pirateri informatike tek skandalet e ryshfeteve. Qeveria i ka drejtpeshuar me pompozitet lidhjet e jashtme, të simbolizuara nga baza ajrore Ul-Udeid që përdoret kryesisht nga forcat amerikane përballë Komandës së Kombinuar të Forcave të Përbashkëta Katar - Turqi.
Pjesërisht, ky rekord i jashtëzakonshëm është bërë i mundshëm nga pasuria e jashtëzakonshme që i ka rënë popullatës së vogël të vendit (e cila aktualisht është pak më shumë se 300,000 ose rreth një përqind e popullatës së Shangait.) Fusha e gjerë e gazit Notre Dame i nxjerr popullsisë së vendit (që dallon nga numri i tëhuajve në vend që është shumë më i madh) një të ardhur për frymë prej 500,000 dollarë amerikanë ose diku tek pesë herë më e lartë se ajo e shtetit të dytë më të pasur, Luksemburgut.
Gjithashtu pjesërisht, roli i pamatë i Katarit reflekton në natyrën e vendit dhe të udhëheqjes së tij. Ashtu si në Arabinë Saudite, edhe në Katar dominon ideologjia ekstreme e Vehabizmit, e cila i jep popullatës vendosmëri dhe ambicje të tepruara për madhësinë e saj. Udhëheqja e saj e kohëve të fundit, në fillim emiri Hamad (që mbretëroi nga 1995-2013) dhe tani i biri, Tamim-i (2013 - ), sikurse dhe ndihmësit dhe të afërmit e tyre, ia lejojnë vetes kënaqësinë e pompozitetit kalimtar e simbolizuar bukur nga emri HAMAD (me gërma latine) që shtrihet një kilometër për së larti dhe tre kilometra për së gjëri, të cilin emiri Hamad në pak kohë e në mënyrë misterioze e pati gdhendur në vitin 2010, në rërën e një ishulli dhe në mënyrë po aq misterioze e pati fshirë dy vjet më vonë.
Emri HAMAD në rërë, në tërë lavdinë e tij. |
Influenca e Katarit duket ndoshta më qartë në mbështetjen ndaj grupeve xhihadiste në vende të ndryshme si Iraku (Al-Qaeda), Sirija (Ahrar al-Sham, Jabhat al-Nusra), Gaza (Hamas) dhe Libija (Brigadat Mbrojtëse të Bengazit). Përveç kësaj, Katari mbështet rrjete të rëndësishme islamike në mbarë botën - përfshirë këtu Vëllazërinë Muslimane në Egjipt, AKP-në në Turqi dhe Jamaat - e-Islami në Bangladesh.
Në Doha, qeveria u ka garantuar talibanëve hapësira për zyra. Figura të rëndësishme islamiste si udhëheqësi shpirtëror i Vëllazërisë Muslimane, Yusuf Al Qaradawi dhe kryetari i Hamas-it Khaled Meshaal kanë jetuar për dhjetëvjeçarë të tërë në Doha.
Në Perëndim, pushteti i Katarit ushtrohet më me kujdes dhe harliset pa hasur pengesa. Për shembull, financon xhami dhe institucione të tjera islamike, të cilat nga ana e tyre ia shprehin mirënjohjen duke protestuar jashtë ambasadave të Arabisë Saudite në Londër dhe Uashington.
Por Doha nuk mbështetet vetëm tek diaspora islamiste në Perëndim për të promovuar programin e saj. Ajo punon gjithashtu për të ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë mbi publikun dhe politikëbërësit perëndimorë.
Rrjeti televiziv Al Jazeera është bërë një nga transmetuesit më të mirë dhe më të mëdhenj në botë. Kanalet e tij në gjuhën angleze fabrikojnë propagandë të rafinuar kundër armiqve të Katarit, të cilës i veshin retorikën liberale perëndimore. Iniciativa e fundit e Al - Jazeera-s - kanali i saj i rrjeteve sociale AJ+ - i drejtohet amerikanëve të rinj progresistë. Dokumentarët e shfaqur mbi të këqijat e Izraelit, Arabisë Saudite dhe administratës së Trumpit futen mes rubrikave të shkëlqyera që mbulojnë fushatat për të drejtat e transgjinorëve dhe apeleve prekëse për gjendjen e vështirë të azil kërkuesve në kufirin me Amerikën e Jugut - çështje në dukje të papërshtatshme për një transmetues të kontrolluar nga një regjim vehabist.
Doha kërkon gjithashtu të ushtrojë ndikim mbi institucionet arsimore perëndimore. Fondacioni Katar i kontrolluar nga regjimi u jep dhjetëra milionë dollarë shkollave, kolegjeve dhe institucioneve të tjera arsimore nëpër Europë dhe në Amerikën Veriore. Vërtet, Katari është aktualisht donatori i huaj më i madh i universiteteve amerikane. Fondet e tij financojnë mësimin e gjuhës arabe dhe leksionet mbi kulturën e Lindjes së Mesme dhe animi i tyre ideologjik është nganjëherë paturpësisht i qartë, si në rastin e planit mësimor në shkollat amerikane të titulluar: "Shprehja besnikërinë tënde Katarit."
Tani që qeverive përkatëse të Arabisë Saudite, të Emirateve të Bashkuara, të Egjiptit dhe vendeve të tjera arabe u janë hapur sytë ndaj rrezikut që paraqet Katari, a nuk është koha që dhe perëndimorët të bëjnë të njëjtën gjë? Konferenca e Middle East Forum e mbajtur më 6 shkurt pati si qëllim të hedhë dritë mbi një nga shtetet më vogla, më të pasura, më të fuqishme dhe më të djallëzuara, duke tërhequr vëmendjen mbi dy pyetje: Çfarë po bën qeveria e Katarit? Cili është qëllimi i saj?
Daniel Pipes (R) moderon një panel me të Samantha Mandeles, Alberto Fernandez, dhe Mohamed Fahmy. |