Kur FBI na bën të ditur që prindërit janë të gatshëm të shpenzojnë 6.5 milionë dollarë ryshfete për të futur fëmijët e tyre në kolegje prestigjioze, të krijohet përshtypja që në universitetet amerikane gjërat po shkojnë shumë, shumë mirë. Mirëpo, siç na tregon Warren Treadgold, kjo nuk është veçse një iluzion.
Warren Treadgold. |
Treadgold është një profesor i shquar i historisë bizantine në Universitetin e Saint Louis-it. Ai gjithashtu ka dhënë mësim në Berkeley, FIU, Hillsdale, Stanford dhe UCLA. Duke qenë se ka hyrë në kolegj që në vitin 1967, ai ka përvojën e duhur qoftë për të paditur, qoftë për të ofruar mënyrën se si mund të ndreqet institucioni kryesor më tërësisht i majtë i Amerikës. Libri i tij, "Universiteti që na nevojitet" (Encounter, 2018) e trajton çështjen në thellësi, por njëkohësisht dhe me humor.
Treadgold na raporton një kalbëzim që në rrënjë: komitetet që merren me kërkimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për vende pune në universitete, rregullisht skartojnë kandidatët më të aftë, nga frika se mos diskretitohen prej tyre; ai madje thotë që dhe vetë Albert Einstein-in do ta kishin skartuar. Në vend të tyre, zgjidhen "vetëm kandidatë të zinj, hispanikë dhe femra të cilët kanë pikëpamje që aprovohen nga universitetet". Nuk është për t'u habitur që studentët e nivelit pas-universitar përgatisin teza diplome ezoterike dhe të mbushura me një zhargon të caktuar me shpresën që t'ia fitojnë zemrën komiteteve përzgjedhëse me ato "pak publikime që janë të modës". Profesorët përdorin notat e larta si ryshfete në këmbim të vlerësimeve pozitive nga studentët. Administratorët (d.m.th. profesorët që nuk kanë interes në mësimdhënie apo punë kërkimore) janë dyfishuar në numër gjatë dekadave të fundit.
Kopertina e librit "Universiteti që na nevojitet". |
Edhe më keq është puna për të menduarit ideologjikisht në grup: "Sipas opinionit mbizotërues, lufta kundër racizmit, seksizmit dhe formave të tjera të shtypjes është kaq jetike sa ia kalon gjithshkaje tjetër" - përfshirë këtu diturisë së mirëfilltë dhe mësimdhënies siç duhet të të rinjve (gjë që ka sjellë "kurse mediokre mbi lëndë pa lidhje"). Dogma e së majtës - këmbëngulja për të gjykuar të kaluarën me standartet e ditëve tona, për të ngritur lart grupet gjoja të shtypura sociale, për të zëvendësuar faktet me "narrativa" si dhe për t'u gjunjëzuar përpara "drejtësisë sociale" - mbretëron thuajse në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.
E gjithë kjo ka rëndësi, argumenton Treadgold-i, sepse ajo që nis në universitet përhapet në të gjithë vendin; mjafton të shohësh Gjykatën e Apelit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Nëntë apo demokratët radikalë në Dhomën e Përfaqësuesve. Vërtet, "Kemi po aq nevojë për universitete të mira, sa kemi dhe për energji elektrike të garantuar dhe ujë të pijshëm të sigurt."
Po ku t'i gjejmë? Siç mësoi duke pësuar John Silber i Universitetit të Bostonit, përpjekjet për të ndrequr institucionet egzistuese dështojnë; pavarësisht se sa i përkushtuar dhe i zoti që të jetë, një president universiteti, nuk ia del ta rifusë në binarë këtë të fundit. Ndaj në vend të kësaj përpjekje, Treadgold imagjinon një universitet të madh, të ri, të ndërtuar nga e para.
Ky universitet i ri do të vërë në plan të parë debatin e vërtetë dhe jo zonat e sigurta; administratorë të përkohshëm, jo të përhershëm; cilësinë e lartë, jo konformizmin; larminë e ideve, jo ngjyrën e lëkurës, formimin e përgjithshëm, jo kurset idiosinkretike (A do ndonjëri "kurse për mumje, zombi dhe vampirë"?), turnè studimi jashtë shtetit, jo kampuse të huaja; departamente të fuqishme, jo studime ndërdisiplinare; dhe studime të mirëfillta, jo gjepura postmoderniste.
Përshkrimi i kursit "Mumjet, zombit dhe vampirët" i ofruar nga UCF -ja (Universiteti i Floridës Qendrore).
Vizioni i Treadgold-it përfshin dhe detaje më specifike: "Krevatet e ngushta" në kampusin e planeve të tij "duhet të ndihmojnë në shkurajimin e bujtjeve gjithë natën". Ai propozon [për këtë kampus] një vend 40 km larg Washington D. C.-së, që të mundëson futjen në korridoret e pushtetit, por pa rrezikun e trullosjes prej tyre.
Një krevat i ngushtë konvikti. |
Interes të veçantë paraqet thirrja që bën ai për t'u fokusuar në tema që universitetet e tjera i shmangin si tepër të diskutueshme, të tilla si "ndërhyrja në sistemin klimaterik, pasojat e shkatërrimit të familjes dhe mospërputhjet filozofike të fajit kolektiv". Ai parashikon që i porsaardhuri do të sfidojë botën e përgjumur të universiteteve elitare, do të përmbysë status quo-në dhe do të krijojë një standart të ri cilësie.
Në një analizë të vecantë, Frederick M. Hess dhe Brendan Bell kanë bërë llogaritë dhe kanë arritur në përfundimin që një universitet i tillë do të kushtonte 3.4 miliardë dollarë që të ndërtohej dhe financohej në përjetësi. është një shumë e majme, por vetëm në vitin 2017 donatorët kanë dhuruar 43.6 miliardë dollarë për arsimin e lartë. Gjithashtu, 3.4 miliardë dollarë janë veçse një fraksion i pasurisë së jashtëzakonshme të disa konservatorëve (me ju e kam Charles dhe David, Sheldon dhe Rupert.) Veç e veç ose së bashku, duke ringjallur stilin e madhërishëm të shekullit të 19, ata do të mund ta financionin "universitetin që na nevojitet" të titullit të librit.
Nëse ky plan arrin të realizojë dukshëm diçka që nuk është bërë më parë - për më shumë se një shekull nuk është themeluar as edhe një universitet i madh privat që të merret me punë kërkimore - ndikimi i tij i mundshëm, do të frymëzonte zgjidhjen e qeseve. "Asgjë tjetër që do të bënte sot një donator, thotë Treadgold-i - nuk do të kishte ndikimin social, kulturor apo politik që ka ndihma për financimin e një universiteti të ri drejtues." Por kjo duhet të ndodhë shpejt, sepse koha po ikën me shpejtësi; Studiuesit që do të bëheshin pjesë e trupit mësimdhënës të këtij institucioni ose po dalin në pension ose po vdesin dhe nuk ka kush t'i zëvendësojë.
Universiteti i Chicago-s i themeluar në vitin 1890. |
Universiteti që na nevojitet është një tour de force që kërkon të çojë më tej traditën e madhe amerikane të arsimit të lartë. Po a do të mund të bjerë vallë në veshë jo të shurdhër? Ose e thënë më troç, a do t'i përgjigjen miliarderët konservatorë thirrjes kumbuese të Treadgold-it?