Vini re dallimin: kur ministri i brendshëm i Italisë, Mateo Salvini, vizitoi Jeruzalemin, të cilit iu drejtua si kryeqyteti i Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti "një mik i madh i Izraelit". Por me t'u kthyer në atdhe, hebrenjtë liberalë të Italisë, mes të tjerave, e dënuan Salvinin për politikën ndaj romëve si dhe për "racizmin ndaj të huajve dhe emigrantëve" gjë për të cilën akuzohet.
Matteo Salvini (Majtas) dhe Benjamin Netanyahu në Jeruzalem, dhjetor 2018. |
Një betejë e ngjashme, e cila ndërsen shtetin e fuqishëm të Izraelit kundër komuniteteve të vogla hebreje që sa vijnë e tkurren, po ndodh në shumë vende europiane, të cilat vazhdimisht në qendër të diskutimeve kanë po të njëjtin subjekt: ato që shtypi i quan partitë e të djathtës ekstreme, populiste, nativiste apo nacionaliste - dhe ato që unë i quaj parti civilizacioniste (pasi këto parti kryesisht kanë si aspiratë ruajtjen e civilizimit perëndimor). Ashtu sikurse nuk është për t'u habitur që udhëheqja e Izraelit është përqendruar tek politika e jashtme e këtyre partive, duke i parë ato në vija të trasha si miqtë e saj më të mirë në Europë, nuk është e vështirë dhe të merret me mend që institucionet hebreje të Europës e vënë theksin tek profili brenda vendit i këtyre partive, të cilat portretizohen si antisemite të pandreqshme, që madje po ndjellin një kthim të diktaturave fashiste të shekullit të njëzetë.
Sado provinciale dhe marxhinale që mund t'i duket botës kjo betejë mes hebrenjve, ajo është shumë e rëndësishme, pasi i ka të gjitha mundësitë të ndikojë në rrjedhën që do të marrin gjërat në Europë. Kjo vjen si pasojë e autoritetit moral që Holokausti u ka dhënë hebrenjve për të gjykuar se kush është fashist e kush jo. Apo siç e ka thënë më me delikatesë Wall Street Journal, "Vërtet votuesit hebrenj mund të përfaqësojnë një porcion relativisht të vogël të elektoratit në shumë vende europiane, por të fitosh mbështetjen e tyre mund të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të partive të së djathtës ekstreme." Nëse Jeruzalemi ia del mbanë, civilizacionistët më shpejt e më lehtësisht mund t'i bashkohen partive kryesore politike të Europës, mund të vijnë në pushtet dhe të merren me çështjet që kanë përparësi për ta, si emigracioni dhe lufta kundër islamizimit. Por nëse janë institucionet hebreje [të Europës] ato që do t'ia dalin mbanë, atëherë civilizacionistëve do t'i duhet të luftojnë më gjatë për të fituar legjitimitet dhe si pasojë do ta marrin pushtetin më ngadalë dhe do t'i arrijnë qëllimet e tyre me më shumë dhimbje.
Hebrenjtë e Europës
Hebrenjtë që jetojnë në Europë (duke përjashtuar Rusinë) përbëjnë rreth 1.5 milionë të një popullate prej 600 milionësh, ose një të katërtën e një përqindshit; ky është thuajse sa numri i hinduve dhe një e njëzeta e numrit të musulmanëve. Në dallim nga komunitetet e reja fetare, hebrenjve i është dashur të vuajnë një histori të trazuar 2 mijë-vjeçare në Europë të mbushur me shpifje të përgjakura dhe teori konspirative, kryqëzata, geto dhe pogrome kulmi i të cilave arriti me Holokaustin. Jo vetëm kaq, por në dallim nga komunitetet gjithnjë në rritje të emigrantëve, sfidat e njëkohësishme të emigrimit në masë të musulmanëve, antisemitizmit të shfrenuar dhe anti-zionizmit majtist e bëjnë gjendjen e hebrenjve europianë aq të pasigurtë sa në Francë, ku hebrenjtë përbëjnë më pak se 1% të popullsisë, në vitin 2017, 40% e akteve të dhunshme për arsye race apo besimi janë kryer kundër hebrenjve. Nga një sondazh i kohëve të fundit, 38% e hebrenjve të Europës po e shohin si mundësi emigrimin nga kontinenti.
Ekspozita me titull "Jerusalem ist jetzt in Berlin" (Jeruzalemi tani është në Berlin) e hapur në muzeun hebre të Berlinit ka shfaqur simbolet islamike: yllin dhe çerekhënën. |
Ky komunitet historikisht i ndruajtur, aktualisht vazhdon ta mbajë kokën ulur. Me një përjashtim të pjesshëm të Francës, hebrenjtë e Europës janë të prirur të bëjnë të tyret pikëpamjet thuajse anti-sioniste duke dashur të qetësojnë kështu ata që kritikojnë Izraelin. Kjo shpjegon dhe rastet tejet fyese si ajo e ekspozitës që u hap në Shtëpinë e Anne Frank-ut në Amsterdam ku u paraqitën karikatura që krahasonin ish-kryeministrin e Izraelit, Ariel Sharon me Hitlerin, apo ekspozita në Muzeumin Hebre të Berlinit kushtuar Jeruzalemit, ku theksi vihej kryesisht mbi karakterin dhe historinë musulmane të qytetit.
Në përgjithësi, udhëheqësit hebrenj rrinë në heshtje lidhur me imigrimin masiv dhe armiqësinë e tyre kolektive e drejtojnë kundër partive civilizacioniste, një akt ky i virtutit qytetar hebre që i kërkohet prej institucioneve europiane nëse udhëheqësit hebrenj duan të vazhdojnë të respektohen, t'u mbahen hapur dyert në qeveri dhe të trajtohen dashamirësisht nga media kryesore. Në Francë për shembull, Gilbert Collard i partisë "Rassemblement National" (Tubimi Kombëtar) vërtet mund të jetë një "mbrojtës i pakushtëzuar" i Izraelit, por provo të lavdërosh fjalët e tij dhe menjëherë do të të quajnë racist dhe do të të përjashtojnë nga shoqëria civile.
Të jeni të sigurtë që disa civilizacionistë nuk heqin dorë nga pikëpamjet raciste, konspiracioniste dhe fanatike për hebrenjtë; nevojitet vigjilencë për t'u siguruar që miqësia që shfaqin nuk është thjesht një taktikë për të siguruar miratim dhe legjitimitet. Megjithatë civilizacionistët nuk janë problemi kryesor i hebrenjve. Në planin politik, ata nuk promovojnë as imigrimin e shfrenuar dhe as multikulturalizmin që toleron dhe madje inkurajon islamizimin, që të dyja këto kërcënime egzistenciale për jetën e hebrenjve në Europë.
Në plan personal, civilizacionistët nuk paraqesin ndonjë kërcënim të madh për hebrenjtë; një sondazh masiv i Agjencisë së Bashkimit Europian për të drejtat themelore i fokusuar në krimet me bazë urrejtjen dhe diskriminimin ndaj hebrenjve, nxorri që "incidentet më serioze të dhunës antisemite" në 30% të rasteve janë kryer nga "muslimanët ekstremistë, në 21% të tyre nga persona të krahut të majtë dhe 13% të rasteve nga individë të krahut të djathtë. Më fjalë të tjera, islamistët dhe të majtët të marrë së bashku i bien në qafë hebrenjve katër herë më shumë se civilizacionistët.
Pavarësisht nga kjo, shumë hebrenj europianë - dhe vecanërisht udhëheqësit e tyre - i bëjnë dua në mënyrë përulëse institucioneve d.m.th. partive politike, medias, institucioneve arsimore dhe edukuese - duke i bërë kështu homazh epërsisë morale të pikërisht atyre forcave që po u shkatërrojnë jetën. Duke përdorur terminologjinë e Bat Ye'or-it, ata kanë bërë të vetën sjelljen e dhimmive (statusi historik si qytetarë të dorës së dytë i monoteistëve jo-muslimanë që jetonin nën sundimin musulman).
Pinchas Goldschmidt. |
Si shembull të mirë për të ilustruar këtë gjë po marrim rastin e rabinit Pinchas Goldschmidt, president i Konferencës së Rabinëve europianë. Ai me tone tepër të buta paralajmëron që një kryeministër si Jeremy Corbyn do të bënte që hebrenjtë të largoheshin nga Mbretëria e Bashkuar, ndërkohë që me patos denigron civilizacionistët për rrezikun që ata përbëjnë në kthimin e "totalitarizmit" dhe dënon politikat e tyre pro-Izrael si përpjekje jo e ligjshme për të marrën "vulën kosher" të aprovimit.
Izraeli
Qeveria e Netanyahu-t e vlerëson faktin që partitë anti-institucion i janë kundërvënë skemave të moderuara me fjalë, por indiferente me vepra të partive tradicionale europiane: në një kohë që 3M-të (Theresa May e Mbretërisë së Bashkuar, Emanuel Macron-i i Francës dhe Angela Merkel e Gjermanisë) shprehen pozitivisht për Izraelin, në mënyrë të konsiderueshme marrin pjesë në deligjitimizimin e këtij të fundit në Kombet e Bashkuara dhe mbështesin marrëveshjen me Iranin të cilën izraelitët e shohin si kërcënim me vdekje. Më në përgjithësi, gazetari izraelit Eldad Beck tërheq vëmendjen tek "dualiteti i pozicionit të Gjermanisë që sheh Berlinin të deklarojë angazhimin e tij në favor të egzistencës dhe sigurisë së Izraelit, dhe njëkohësisht të mbështetë organizmat që minojnë egzistencën dhe sigurinë e shtetit të Izraelit.
Ndryshe nga politika të tilla të rëndomta, partitë civilizacioniste (sërish, me përjashtim të Francës) e shohin Izraelin si partner moral dhe një aleat kundër islamizmit. Ato e tregojnë këtë duke luftuar anti-semitizmin, duke ngritur muzeume për Holokaustin, duke dënuar marrëveshjen me Iranin, duke nxitur zhvendosjen e ambasadave të vendeve përkatëse në Jeruzalem, duke mësuar nga shërbimet e sigurisë së Izraelit dhe duke mbrojtur interesat e Izraelit brenda Bashkimit Europian. Geert Wilders i Hollandës jetoi një vit në Izrael dhe më pas e vizitoi Izraelin disa herë me radhë. Fakti që hebrenjtë e Europës jetojnë më të sigurtë aty ku civilizacionistët imponojnë kontrolle strikte mbi migracionin vetëm sa e përforcon vlerësimin nga ana e izraelitëve. Siç vë në dukje Evelyn Gordon, në vitin 2017, "100,000 hebrenjtë e Hungarisë nuk kanë patur për të raportuar as sulmin më të vogël, kurse 250,000 hebrenjtë e Britanisë kanë raportuar 145 sulme."
Janar 2015: Dy ushtarë belgë duke qendruar jashtë muzeumit hebre në Bruksel ku një islamist vrau katër persona në maj të vitit 2014. (Foto nga Daniel Pipes) |
Në përgjigje ndaj kësaj përzemërsie dhe sigurie, qeveria e Izraelit po bashkëpunon gjithnjë e më shumë me civilizacionistët - por më pas përballet me zemërimin e hebrenjve të Europës të cilët është zotuar që t'i mbrojë, kontradiktë kjo që çon në një gjendje pa rrugëdalje. Për shembull, Jeruzalemi është e qartë që dëshiron të bashkëpunojë me Ministren e Jashtme të Austrisë, pro-Izrael, Karin Kneissl, të caktuar në atë post nga partia civilizacioniste, mirëpo hebrenjtë e Austrisë e kanë dënuar me forcë këtë perspektivë bashkëpunimi, duke arritur deri aty sa të kërcënojnë se "do ta luftojnë" Jeruzalemin.
Konkluzioni
Dy pika paraprake: Natyrisht, as hebrenjtë europianë dhe as qeveria e Izraelit nuk sillen si një trup i vetëm. Paula Bieler në Suedi, Gidi Markuszower në Hollandë dhe Davis Lasar në Austri përfaqësojnë partitë e tyre civilizacioniste në parlament; Juden në der AfD mbështet civilizacionistët e Gjermanisë. Ndryshe nga këta, presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin sillet si një dhimmi: duke shkruar për antisemitizmin në një gazetë të Londrës, ia doli ta shmangë me finesë që as emrin të mos ia përmendte Corbyn-it, ndërkohë që në vende të tjera i ka cilësuar civilizacionistët si "lëvizje neo-fashiste ... me një ndikim të konsiderueshëm dhe shumë të rrezikshëm" (kjo pavarësisht nga fakti që ai e pranon "mbështetjen e tyre të fuqishme ndaj shtetit të Izraelit"). Konseguent në qendrimin e tij, Rivlin nuk pranoi të takohej me Salvinin.
Së dyti, ky tension europian ka korresponduesin e tij amerikan: qeveria e Izraelit ka raporte shumë më të mira me administratën e Trump-it sesa me institucionet hebreje në Shtetet e Bashkuara. Mbetet simbolik fakti që kur Donald Trump-i shkoi në Pittsburgh për të shprehur ngushëllimet për masakrën ndaj 11 hebrenjve në një sinagogë, komuniteti hebre i zonës protestoi praninë e tij, duke e lënë ambasadorin e Izraelit në Shtetet e Bashkuara që ta priste vetëm presidentin.
Nëse beteja sa vjen dhe ndizet, rezultati is saj është praktikisht i paracaktuar: në fund, raison d'état do t'i shtyjë qeveritë izraelite që t'i hedhin poshtë shqetësimet lokale të hebrenjve dhe të bashkëpunojnë me civilizacionistët, ndërkohë që hebrenjtë e Europës do të vazhdojnë të emigrojnë, duke bërë që zëri i tyre të vijë duke u dobësuar. Ky evolucion do të jetë diçka e mirë, sepse civilizacionistët nuk përbëjnë një kërcënim të stilit të viteve 30-të siç i kanë portretizuar politikanët e opozitës dhe media kryesore, por një përgjigje të shëndoshë ndaj një problemi të jashtëzakonshëm. Dhe me të vërtetë, sa më shpejt zëri i izraelitëve të bëhet predominues, aq më mirë do të jetë për të gjithë: Europën, popullatën e saj hebreje dhe Shtetin e Izraelit. E vetmja pyetje që pret përgjigje është se sa shpejt do të ndodhë e gjithë kjo.