Dita e sotme shënon 50 vjetorin e formimit tim politik. Ngjarjet e 9 prillit, 1969 më kanë ndihmuar të bëhem njeriu që jam dhe universitetin atë çfarë është sot.
Isha në vitin e dytë të universitetit kur shokët e mi studentë në Universitetin e Harvardit vendosën që politika, dhe në veçanti lufta në Vietnam si dhe egzistenca e një programi përgatitjeje ushtarake në kampus, po i detyronin të pushtonin godinën kryesore administrative të quajtur University Hall.
Studentët që drejtuan revoltën në krye të shkallëve të godinës së quajtur University Hall. © Daniel Pipes, 1969 |
Ndonëse nuk isha dakort me këtë veprim, u bashkova me komunistët e University Hall-it për t'u bërë personalisht dëshmitar i kësaj revolte si dhe për të marrë disa foto. Në fotografitë që bëra shihen rreth 250 studentë të mbledhur në dhomën madhështore, President's and Fellow's Room, duke dëgjuar fjalime të stërgjata agresive, në këmbë apo të ulur, pa treguar as pikën më të vogël të respektit, mes statujave dhe portreteve të varura në mure, të cilat mbërrinin gati në tavan.
Studentët në dhomën madhështore, President's and Fellows' Room. © Daniel Pipes, 1969. |
Atmosfera në dhomë ishte triumfonjëse: më në fund studentët i kishin marrë gjërat në dorë dhe u kishin treguar atyre dekanëve që nuk po talleshin! Duke fryrë gjoksin, studentët nxorën jashtë ndërtesës "lakenjtë" e personelit, rrëmuan nëpër arkivat e tyre dhe shpallën përpara të gjithë njerëzisë agimin e një revolucioni.
Studentët duke bastisur zyrën e një punonjësi të administratës në University Hall, në Harvard. © Daniel Pipes, 1969. |
Mirëpo agimi i revolucionit nuk arriti të zbardhë. Në orën tre të mëngjesit, rreth 400 policë hynë në University Hall si për t'u kujtuar të 500 studentëve aty brenda se kush e bëntë vërtet ligjin; dhe ky ishte presidenti i Harvardit. Duke shfryrë ca nga zemërimi legjitim proletarian mbi studentët e llastuar radikalë, "derrat" siç ua kishin vënë mjerisht nofkën, në mënyrë poshtëruese i rrahën dhe i plasën brenda ata që po luanin lojën e revolucionarëve.
Këtu zë fill kriza e vërtetë. Për arsye që ende pas një gjysëm shekulli nuk arrij t'i kuptoj, konsensusi mes të mirëve dhe të urtëve të Harvardit qe që, ndërsa studentët kishin marrë kot me zellin e tyre idealist, administrata e universitetit kishte mëkatuar rëndë kur kishte lajmëruar policinë. Ndërhyrja e policisë dhe jo pushtimi u bë çështja që doli në plan të parë.
Ajo që pasoi ishin tetë ditë krizë, përfshirë këtu një mbledhje në kishën e universitetit dhe dy të tjera në stadiumin e futbollit. Këto të fundit ishin eksperimente të pazakonta të demokracisë së drejtpërdrejtë, ku rreth 10,000 studentë të Harvardit, (edhe studentesha, sigurisht) dhe unë mes tyre, bërtitëm "po" dhe "jo" kur na pyetën nëse universiteti duhet të mbyllej apo të rrinte hapur.
Studentët votuan masivisht për mbylljen treditore të universitetit, në Memorial Church, më 10 prill. © Daniel Pipes, 1969. |
Me një fjalë, mbledhja e parë kërkoi mbylljen tre ditore ("grevë" sipas zhargonit studentor), e dyta rihapjen. Dhe kështu, pas dhjetë ditësh politikë puro me debate nga ato më të parëndësishmet lidhur me rolin prej zoti shtëpie të Harvardit deri tek ato të mëdhatë si mizoritë e SHBA-së në Vietnam, oraret e mësimit në universitet iu rikthyen normalitetit.
Studentët në tubimin e parë të mbajtur më 14 prill, në stadiumin e futbollit të Harvardit, ku votuan për mbylljen treditore. © Daniel Pipes, 1969. |
Por kthimi i orareve normale nuk do të thoshte kthim në normalitet. Kjo ngjarje, dhe equivalentet e saj në të gjithë vendin, shkaktuan një ndryshim të thellë në natyrën e arsimit të lartë të Shteteve të Bashkuara. Institucioni i cili prej Luftës së Parë Botërore kishte qenë një institucion liberal (le të kujtojmë batutën e William F. Buckley. Jr.-it të vitit 1961: "Më mirë të më qeverisnin 2.000 personat e parë të numëratorit telefonik, sesa trupi mësimor i Harvardit," tani po niste rënien e trishtuar në radikalizëm.
Daniel Pipes në Paris, në nëntor 1961, rrugës për në kolegjin e Lozanës. |
Aspirantët revolucionarë të fundit të viteve 60-të vazhduan të ndryshojnë themelet e jetës akademike amerikane, duke ia dalë më në fund të fusin lezetllëqe si studimi i gjendjes së grave, korrektesa politike, mikro-agresionet dhe interseksionaliteti. Dhe rënia vazhdon ende, jo vetëm me mbizotërimin e të majtës ekstreme në fushën e shkencave sociale dhe humane, por dhe në radikalizimin e tyre i cili sa vjen dhe bëhet më i fortë dhe intolerant.
Si pushtimi ashtu dhe ndërhyrja e policisë lanë gjurmë të thella në formimin tim politik. Dola nga bankat e shkollws sw mesme në vitin 1967 pa patur pikëpamje të forta lidhur me çështjet kyçe të ditës. Madje që përpara pushtimit, kam qenë në favor të fitores amerikane në Vietnam; por gurguleja e Harvardit konsolidoi dhe u dha drejtim njëherë e përgjithmonë pikëpamjeve të mia, duke më bërë konservatorin e përkushtuar që jam sot.
Ndërhyrja e policisë gjithashtu më bëri të kuptoj se pse isha pjesë e pakicës së studentëve anti-komunistë. Arrita në përfundimin që përvojat e mija jashtë shtetit në Europë, Lindje të Mesme dhe Afrikë më kishin bërë të çmoja Shtetet e Bashkuara dicka që kolegët e mi nuk e bënin. Brezi im u rrit në atmosferën idilike të viteve 50-të. Kështu që, kur në dekadën që pasoi, filluan të nxjerrin krye probleme të mëdha (atentatet, Vietnami, të drejtat e qytetarit), brezi im reagoi duke shprehur zhgënjim të mbushur me indinjatë. Por jo unë, sepse unë e njihja botën e huaj.
"National Review" luajti rol në konsolidimin e pikëpamjeve të mija. Kur William Rusher, botuesi për një kohë të gjatë i kësaj reviste, vizitoi Harvardin në dhjetor të vitit 1968, iu bashkova një grupi të vogël (natyrisht!) studentësh për ta dëgjuar, më shumë për kuriozitet, sepse konservatorizmi në atë kohë ishte tepër egzotik. Fjala e tij qe bindëse dhe unë u bëra një lexues i NR-së.
Botuesi i NR-së, William Rusher (1923-2011) duke folur në Harvard. © Daniel Pipes, 1968. |
Ndërhyrja në Harvard e radikalizoi universitetin, por mua personalisht më ktheu në një konservator. Pasojat e saj qenë mjerane për botën akademike, por jo për mua.