Idetë e udhëheqin botën: ato që janë të mira sjellin liri dhe begati; të këqijat, shtypje dhe varfëri. Sigurisht që paraja ka rëndësi, por paraja është mjeti për të arritur qëllimin. Dhe qëllimi janë idetë. Ne nuk jemi çfarë hamë, por jemi çfarë mendojmë.
Politikanët janë kryesisht njerëzit që bien nën ndikimin e ideve të këqija. Siç ka thënë John Maynard Keynes, "Njerëzit praktikë që besojnë se janë tërësisht jashtë çdo lloj ndikimi intelektual, janë zakonisht skllevër të ndonjë ekonomisti të vdekur". Dalldia e të marrëve në pushtet që dëgjojnë zëra në hava, precipiton nga ndonjë kalemxhi akademik i ca viteve më parë ... idetë dhe jo interesat personale janë të rrezikshme për mirë apo për keq.
Historia e Venezuelës, të cilin i marri në pushtet e çoi nga bollëku në mjerim, e ilustron me një qartësi të pashoqe domethënien e sa më lart. Zbulimi i naftës në tokën venezueliane në vitin 1914, i solli vendit të ardhura të jashtëzakonshme dhe solli krijimin e një ekonomije relativisht të lirë. Në vitin 1950 Venezuela zinte vendin e katërt në botë për të ardhurat më të larta për frymë, pas Shteteve të Bashkuara, Zvicrës dhe Zelandës së Re. Jo më larg se viti 1980, Venezuela ishte vendi me ritmin më të shpejtë të rritjes së ekonomisë në botë gjatë shekullit të 20-të. Në vitin 2001, Venezuela renditej ende si vendi më i begatë Latino-Amerikan.
Katër vendet më të pasura në botë në vitin 1950. |
Por hallet e Venezuelës patën nisur kohë më parë. Duke filluar që në vitin 1958, ndërhyrja e qeverisë në ekonominë e vendit në formën e kontrolleve mbi çmimet dhe këmbimin, taksat më të larta, kufizimet mbi të drejtat mbi pronën, çuan në dekada amullie që shënuan një rënie të të ardhurave për frymë prej 0.13% nga viti 1960 në vitin 1997. E megjithatë Venezuela vazhdoi të mbetej një vend normal dhe funksional.
Në periudhën mes viteve 1960 dhe 2011, ekonomia e Venezuelës u rrit shumë më pak se ajo e vendeve të tjera të Amerikës së Jugut. |
Sot, vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë po vuan pasojat e një tkurrjeje të ndjeshmë ekonomike, të një inflacioni galopant, despotizmi, emigracioni në masë, kriminaliteti, sëmundjesh, të mungesës së ushqimit dhe vdekjes nga uria, me rrethana që keqësohen dita ditës. Ekonomia e Venezuelës ka pësuar një tkurrje prej 16% në vitin 2016, 14% vitin e kaluar dhe kjo tkurrje parashikohet të jetë 15% në vitin 2018. Inflacioni u rrit me 112% në vitin 2015 dhe 2,400% në fund të vitit të kaluar. Ekonomisti Steve Hanke i universitetit "Johns Hopkins" ka llogaritur një taksë vjetore inflacioni prej 65,000% për vitin 2018, gjë që e bën inflacionin venezuelian një nga hiperinflacionet më të rënda në histori. Mungesa e ushqimeve çoi në një rënie mesatare të peshës së popullsisë venezueliane nga afro 7 kg në vitin 2016 në afro 11 kg në vitin 2017.
Po çfarë e shkaktoi këtë krizë? Ndonjë pushtim i huaj, luftë civile, fatkeqësi natyrore, zëvendësuesit e naftës apo ndonjë epidemi nga ato që godasin bujqësinë? Jo, asnjëra prej tyre. Vetëm idetë e këqija dhe aq.
Socializmi mund të jetë parë si një dështim i plotë në shkallë globale, por kjo nuk e pengoi Hugo Chavez-in që të bindte venezuelianët që ta provonin gjithsesi. Me t'u bërë president në vitin 1999, ai vodhi, dominoi, polarizoi dhe burgosi. Duke përfituar nga rreth 1 trilion dollarë shitje nafte gjatë 14 vjetëve të tij si president, ai i kishte siguruar mjetet për të nisur programe sociale shpenzimesh për garantimin e votave. Ai madje ishte në gjendje t'ia lejonte vetes të vriste gjelin që i pillte florinj duke zëvendësuar profesionistë të aftë në kompanitë e naftës të zotëruara nga shteti me agjentë, bufonë dhe servilë. Siç e do tradita e madhe socialiste, vajza e tij Maria shtiu në dorë një pasuri që siç raporton shtypi venezuelian, në vitin 2015 kapte shifrën 4.2 miliardë dollarë.
"Problemi me socializmin", pati thënë dikur Margaret Thatcher, "është që herët a vonë parave të të tjerëve u vjen fundi." Chavez-i e përshpejtoi akoma më shumë këtë problem kur kërkoi të kurontë kancerin në Havana, ku, siç raporton Fox News, "u vra nga neglizhenca kubane." Ai vdiq në mars të vitit 2013, gati një vit përpara se të binin çmimet e natës dhe pa i hyrë ferrë në këmbë, ia la trashëgim katastrofën që pasoi Nicolas Maduros-it, pasuesit të tij akoma më brutal dhe të paaftë të cilin e kishte zgjedhur me dorën e tij. Me të rënë të ardhurat nga nafta, kostoja e vërtetë e ideve falimentuese të Chavez-it u bë e qartë. Venezuela tashmë po zhytet në totalitarizëm, duke përdorur dhunën ushtarake për të mbajtur gjallë socializmin.
Chavez dhe Kastro: A do t'ia besoje fatin tënd mjekësisë kubane? |
Idetë e këqija kanë egzistuar gjithnjë, por ato fituan një rëndësi të re me ardhjen e liberalizmit në fund të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Përpara kësaj periudhe, përparësinë e kishte konservatorizmi - respektimi i traditës duke iu përshtatur rrethanave të reja. Vizioni i trullosur i një mbreti apo udhëheqësi fetar bënte përpara deri në një farë pike, përpara se tradita ta rikthente aty ku kishte qenë. Liberalizmi i ktheu traditat në fakultative duke konsideruar, në mënyrë optimiste, çdo individ si dikë që është i aftë të reflektojë thellë për çështje madhore me kokën e tij.
Kështu vërshuan idetë radikale, sidomos gjatë Revolucionit francez. Iu hapën dyert teorive që nuk bazoheshin as në përvojën dhe as në mendimin praktik, pjesë e të cilave ishin dhe teoritë konspirative. Këto ide zunë fill në shekullin e 19-të dhe dhanë fryte pas Luftës së Parë Botërore me fashizmin, nazizmin, socializmin dhe komunizmin. Siç vëren historiani Paul Johnson, "Despotizmi më i egër është tirania zemërgur e ideve."
Lista e tiranëve që kanë imponuar filozofitë e tyre gjatë shekullit të kaluar është dëshpërimisht e gjatë dhe në të përfshihen që nga Mussolini, Lenini, Stalini, Tojo, Hitleri, Ho, Mao, Kim, Nasser, Pol Pot, Mugabe, Assad, Saddam Hussein, Khomein-i, dhe Chávez-i. Të gjithë ata e patën kuptuar mirë lojën që po luanin dhe siç thuhet të ketë pohuar Stalini, "Idetë janë më të fuqishme se armët". Dhe të gjithë ata ia vunë zjarrin çifligut në zotërim.
Nëse idetë e këqija sjellin veç tmerr, kundërhelmi për to do të ishin idetë konservatore, modeste të provuara dhe testuara të cilat respektojnë traditën dhe natyrën njerëzore dhe jo kthesat e shpejta revolucionare dhe eksperimentet madhore, por përmirësimet graduale të praktikave egzistuese.
Në një kohë kur shumë demokratë po i injorojnë mësimet që dalin nga Venezuela dhe po zalisen pas socializmit, ka ardhur koha të hidhemi në barrikadat e luftës së ideve.
"Bëjeni pra Amerikën si Venezuela!" |