TEL AVIV - Çfarë mendimi kanë izraelitët lidhur me idenë që Izraeli fiton dhe palestinezët humbasin?
Bëhet fjalë për një ide radikale, shumë të ndryshme nga presupozimi i bërë që prej 50 vjetëve e që favorizon të dy palët, "tokë në shkëmbim të paqes", presupozim që ka shtangur qeveritë dhe ka monopolizuar vëmendjen e tyre. Sipas kësaj ideje po të fusësh bashkë në një dhomë izraelitë dhe palestinezë, mosmarrëveshjet mes tyre do të sheshohen. Por në prag të 25 vjetorit të marrëveshjeve të Oslos, e kemi mëse të qartë se sa mirë ka funksionuar kjo ide: izraelitët dhanë konkretisht tokë, kurse palestinezët në këmbim dhanë premtime të rreme paqeje.
Dhe vërtet, sipas një sondazhi të kryer nga Rafi Smith i Smith Consulting, me porosi të Forumit të Lindjes së Mesme, vetëm 33% e izraelitëve hebrenj (dhe rreth gjysma e këtij numri mes atyre që votuan për qeverinë aktuale) besojnë ende në shkëmbimin tokë për paqe dhe rreth i njëjti numër i vogël njerëzish besojnë ende në marrëveshjet e Oslos. Kështu pra, metodat e vjetra jo vetëm kanë dështuar, por janë bërë dhe jopopullore. Por çfarë e ka zënë vendin e tyre?
Një alternativë është iniciativa "Fitore Izraelit" e ndërmarrë nga Forumi për Lindjen e Mesme, iniciativë e cila del mirë nëpër sondazhe. Kur u pyetën "A jeni dakort apo jo me propozimin që "do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje paqeje vetëm nëse palestinezët do ta pranojnë që e kanë humbur luftën me Izraelin?" 58 përqind ishin dakort. Kjo bie era revolucion.
Duke gërmuar më thellë, një përqindje identike pra 58% janë gjithashtu dakort që "pavarësisht nga fitoret e shumta të Izraelit ndaj palestinezëve, shumica e palestinezëve vazhdojnë të mendojnë që do të mund ta zhdukin shtetin Hebre të Izraelit". 65 përqind rrumbullak janë dakort që "Asnjë nga konfliktet ushtarake të deritanishme me palestinezët nuk kanë sjellë fitore të Izraelit apo ndonjë rezultat vendimtar dhe si pasojë konflikti izraelito-palestinez vazhdon". Një numër ende më i madh, 70 përqind, është i mendimit që "është e nevojshme që Autoriteti Palestinez ta njohë Izraelin si shtet Hebre përpara se Izraeli të pranojë vazhdimin e bisedimeve me të".
Dhe 77 përqind janë të gatshëm që herën tjetër që Hamasi të godasë nga Gaza apo Hezbollahu nga Libani, ta "Lënë IDF-ënë (Forcat Izraelite të Mbrojtjes) të fitojë", që do të thotë që operacionet ushtarake të izraelitëve të mos ndalen deri atëherë që pala tjetër të pranojë humbjen. (Kjo nuk është egzaktësisht politika aktuale që ndjek IDF-ja, e cila duhet të ndërpresë operacionet ushtarake sapo pala tjetër bie dakort për armëpushim.)
Pas një çerekshekulli bisedimesh të pabarabarta në të cilat izraelitët heqin dorë nga të mira të prekshme si "toka" për të marrë në këmbim premtime të gënjeshtërta "paqeje", këto numra të nxjerrë nga sondazhet dëshmojnë për etjen që egziston në Izrael për të vërtetën dhe kurajon. Afërsisht dy të tretat e popullatës kanë arritur në përfundimin që konflikti mund të mbarojë vetëm kur të braktisen bisedimet e dështuara dhe në vend të tyre t'u tregohet palestinezëve që rasti i tyre është i pashpresë.
Por ndrojtja i mban udhëheqësit e Izraelit që të hedhin këtë propozim, sepse çdo president amerikan nga Karteri tek Obama i ka shkurajuar ata që të ndërmarrin hapa të guximshëm, duke ngulur këmbë në formulën e diskredituar tashmë, por që tingëllon mirë si neutrale, "tokë në këmbim të paqes". Por tashmë në skenë ka hyrë Donald Trump. Sondazhi i Forumit për Lindjen e Mesme përmbante pyetje për të dhe 59 përqind e grupit të përbërë nga izraelitë hebrenj gjatë sondazhit të lartpërmendur, e quante Trumpin "padyshim presidenti amerikan më pro-Izrael derimësot".
Siç mund të jenë në dijeni lexuesit, kam dyshimet e mia mbi këtë gjykim, pasi e shoh Trumpin si dikë që nxitet nga një projekt anti-Teheran në të cilin Izraeli luan një rol të vogël. Por Fitorja e Izraelit i ofron presidentit një mundësi të paparë për të provuar kredibilitetin e tij sionist; nëse ai do t'i lejojë Izraelit të arrijë fitoren e cila i nevojitet si Izraelit ashtu dhe palestinezëve për të bërë përpara, duke lënë pas në këtë mënyrë një konflikt të mërzitshëm dhe të dëmshëm, ai do të bënte të mundur kështu një ndryshim të madh dhe konstruktiv për të cilin të dyja palët një ditë do ta falenderojnë pakursim.