Lieberman dhe Bennett nuk arritën të imponojnë paradigmin e ri se si duhet sjellë me Hamasin, mirëpo, gjithnjë e më shumë njerëz në izrael po e pranojnë se kompromiset dhe lëshimet vetëm sa sjellin vetëm më shumë dhunë.
Nga një pikëvështrim praktik, Avigdor Lieberman, Naftali Bennett, dhe ideja e tyre për të mbajtur një qendrim më të ashpër ndaj Hamasit sapo përfundoi me dështim, në mos me turp. Kjo për arsye se kryeministri Benjamin Netanyahu edhe njëherë dëshmoi aftësitë e tij politike; i pari tani është ish-ministër i Mbrojtjes, i dyti nuk ariti të bëhej ministër i Mbrojtjes.
Megjithatë, në një këndvështrim më afatgjatë, dyshja ngriti një çështje që për dekada të tëra nuk kishte qenë pjesë e diskursit politik izraelit, por që në sajë të përpjekjeve të tyre, tani premton që të bëhet një faktor i rëndësishëm në të ardhmen: është fjala për konceptin e një fitoreje izraelite ndaj Hamasit dhe për rrjedhim edhe ndaj Autoritetit Palestinez dhe palestinezëve në përjithësi.
Tre luftëtarët: Bennett, Netanyahu, Lieberman. |
Fitorja – e përcaktuar si imponim i vullnetit të dikujt ndaj armikut të tij në mënyrë që ky i fundit të braktisë synimet e tij të luftës – ka qenë objektiv i filozofëve, strategjistëve, dhe gjeneralëve, gjatë të gjithë historisë njerëzore. Aristoteli ka shkruar se "Fitorja është fundi i gjenerallëkut". Carl von Clausewitz, teoricieni prusian, ishte dakord: "Synimi i luftës duhet të jetë mposhtja e armikut". Gjenerali James Mattis, Sekretari i Mbrojtjes, në SHBA, zbulon se: "Asnjë luftë nuk ka mbaruar deri sa armiku të pranojë se ka mbaruar".
Palestinezët, në mënyrë të rregullt, flasin për arritje të fitores ndaj Izraelit edhe kur tingëllon si fantazi; për të marrë një shembull, udhëheqësi i AP-së, Mahmoud Abbas i telefonoi homologut të tij në Hamas, Ismail Haniyeh, pas tetë ditësh dhune me Izraelin, e lanë Gazën të dërrmuar keq, në nëntor 2012, "për ta përgëzuar për fitoren dhe për të shprehur ngushëllimet e tij për familjet e dëshmorëve".
Përkundrazi, në Izrael, nocioni i fitores është lënë mënjanë, të paktën, që prej Marrëveshjes së Oslos në 1993, pas të cilës, udhëheqësit e tij përqendrohen kryesisht në koncepte të tilla si kompromisi, pajtimi, ndërtimi i besimit, elasticiteti, vullneti i mirë, ndërmjetësimi, dhe vetëpërmbajtja. Kryeministri Ehud Olmert, në mënyrë të paharrueshme arikutoi këtë qendrim në 2007, kur tha se "Paqja arrihet nëpërmjet lëshimeve".
Ky kuptim pervers i mënyrës sesi mbarojnë luftërat e ka bërë Izraelin që të bëjë gafa të jashtëzakonshme në pesëmbëdhjetë vitet pas Oslos, për të cilat është ndëshkuar nga fushata të pandalshme delegjitimizimi dhe dhune, të simbolizuara, respektivisht nga konferenca e Durbanit në 2011 dhe Masakra e Pashkës në 2002.
Një skenë tipike në Konferencën Botërore kundër Racizmit, në shtator 2001, të njohur si Konferenca e Durbanit. |
Kjo marrëzi mbaroi gjatë mandatit gati dhjetëvjeçar të Netanyahu-t, si kryeministër, por ende nuk është zëvendësuar nga vizioni i fuqishëm i fitores. Le të themi që Netanyahu ka shuar më shumë vatra zjarri që u shfaqën në Sinai, Gaza, Bregun Perëndimor, Lartësitë e Golanit, Siri dhe Liban. Ndërkohë që bie dakord me konceptin e një fitore izraelite në diskutime private, ai nuk ka folur asnjëherë publikisht për të.
Ndërkohë, figura të tjera udhëheqëse në Izrael e kanë përqafuar këtë rrymë mendimi. Ish-zëvendës-Shef i Shtabit, Uzi Dayan i bëri thirrje ushtrisë që të "rikthehet në rrugën e fitores". Ish-ministri i Arsimit dhe i Punëve të Brendshme, Gideon Sa'ar, ka deklaruar se "'Paradigmi i fitores' si koncepti 'Muri i Hekurt' nga Jabotinsky, supozon se një marrëveshje mund të jetë e mundshme në të ardhmen, por vetëm pas një fitoreje të qartë dhe vendimtare nga Izraeli.... Periudha kalimtare për në 'paradigmin e fitores' varet nga braktisja e konceptit të Oslos".
Në këtë kontekts, deklaratat nga Lieberman dhe Bennett vënë në dukje një ndryshim në mendim. Lieberman u largua nga posti i tij si ministër i Mbrojtjes, prej frustrimit që një bateri nga Hamasi prej 460 predhash dhe raketash mbaroi me një zjarrpushim; ai kihte kërkuar në vend të kësaj, që një "gjendje dëshpërimi" t'u imponohej armiqve të Izraelit. Duke u ankuar se "Izraeli ka pushuar së fituari", Bennett kërkoi që IDF "të fillonte të fitonte përsëri" dhe shtoi se "kur Izraeli dëshiron të fitojë, ne mund të fitojmë". Pas refuzimit të kërkesës së tij për portofolin e Mbrojtjes, Bennett nënvizoi se mbetej përkrah kryeministrit Netanyahu "në punën monumentale për të siguruar që Izraeli të jetë përsëri fitimtar".
Izraelitët duke protestuar vendimin e qeverisë për të ndaluar luftimet në Gaza, në 13 nëntor, 2018. |
Kundërshtarët e këtij paradigmi atëhere vërtetuan fuqinë e idesë së fitores. Opinionisti i "Ma'ariv" Revital Amiran shkroi se fitorja që do më shumë publiku izraelit është për më shumë fonde për të moshuarit dhe në zgjidhjen e ngarkesës së padurueshme në trafik. Udhëheqësja e "Meretz" Tamar Zandberg, iu përgjigj Bennett se për të, një Izrael fitimtar do të thotë fitimi i emërimeve për Emmy dhe Oscar, garancia e shërbimit shëndetësor për të gjithë, si dhe më shumë shpenzime për arsimin.
Që fitorja dhe dështimi janë bërë përsëri temë debate në Izrael, shënon një hap të madh përpara. Si vëren në mënyrë të saktë, një figurë e medias si Ayalet Mitsch, "edhe izraelitët që anojnë majtas mendojnë se ka ardhur koha që të fitojmë përsëri". Pra përpjekja për një fitore izraelite ka bërë përpara.