Media kryesore europiane janë në pikën që i ka kapur deliri i shtrembërimit të asaj që që e quajnë "e djathtë ekstreme" dhe "neo-naziste". Këtë e di ngaqë e kam provuar në kurrizin tim. Ndaj më lejoni t'ju rrëfej historinë time.
Harta e stilizuar e udhëtimit të Rebel Media-s. |
Kanadezi Ezra Levant është një konservator i shkëlqyer dhe kritik elokuent i së Majtës. Ai është i palodhshëm dhe i suksesshëm; Rebel Media, portali të cilin e themeloi në shkurt të vitit 2015, numëron më shumë se një milion të abonuar. Mes shumë çështjeve që e shqetësojnë, siç është për shembull ajo e "naftës etike", Levant-in e preokupon së tepërmi kërcënimi nga Islamizmi.
Vizioni i përbashkët që kemi ka bërë që të bashkëpunojmë shpesh dhe së fundi mora një ftesë prej tij që t'i bashkohesha Rebel Medias në një udhëtim me anije përgjatë Danubit në qershor të vitit 2019, ftesë të cilën e pranova. Çdo ditë do të përshkohen distanca thuajse të njëjta, duke ndaluar në fillim në dy qytete në Gjermani, (Regensburg, Passau), më pas katër në Austri (Linz, Melk, Dürnstein, Vienna), një në Sllovaki (Bratislavë), dhe një në Hungari (Budapest).
Sigurisht që udhëtimi ka edhe elementin e tij politik. Pritet pjesëmarrja e gazetares britanike Katie Hopkins dhe aktivistit Tommy Robinson dhe siç shpjegohet në broshurë "do të takohemi me udhëheqës politikë lokalë të grupeve politike demokratike të cilat po punojnë për të ruajtur vlerat dhe qytetërimin perëndimor" – Partia Alternativa për Gjermaninë (Alternative für Deutschland), eksponentë të qeverisë së Sebastian Kurz dhe të asaj të Viktor Orbán-it në Hungari.
Një reklamë e udhëtimit të Rebel Media-s. |
Kush vallë do të mund t'i kundërvihej kësaj përzierjeje të argëtimit me edukimin?
Dhe përgjigja është: institucionet. Sulmi nisi më 7 shtator kur gazeta "Oberösterreichische Nachrichten" e Linz-it nxitoi të informonte lexuesit e saj që "udhëtimi nëpër Danub i ekstremistëve të së djathtës ekstreme do të bëjë një ndalesë në Linz në qershor të 2019-ës." Gazeta gjithashtu mblodhi deklarata nga guvernatori, kryetari i bashkisë dhe politikanë të tjerë të cilët njëzëri na thanë që nuk jemi të mirëpritur dhe madje njëri syresh kërkoi që të ndalohet udhëtimi.
Gjërat shkuan dhe më keq akoma. Media kryesore në Austri dhe Gjermani, ndoqën si manare njëra tjetrën dhe e zbukuruan si deshën historinë duke e shtrembëruar me fjalë thuajse identike. Ja disa prej titujve nga Gjermania që i referohen vizitës në Linz (që është gjithashtu dhe qyteti ku Simon Wiesenthal-i nisi të mbledhë provat mbi mizoritë e nazistëve):
• Die Welt: "Ekstremistët e krahut të djathtë po planifikojnë të bëjnë një udhëtim me një ndalesë në "Vendlindjen" e Hitlerit."
• Berliner Kurier: "Ekstremistët e krahut të djathtë kanë në plan një udhëtim me një ndalesë në "Vendlindjen" e Hitlerit.
• MSN (Germany): "Ekstremistët e krahut të djathtë po planifikojnë një udhëtim me ndalesë në "Vendlindjen" e Hitlerit."
Titulli nga "Die Welt" më 10 shtator, 2018. |
Kështu pra media austriake dhe gjermane transformuan një organizatë kanadeze që dëshiron të mësojë mbi çështjet e emigracionit dhe islamizimit në katër vende të ndryshme, në një bandë neo-naziste që fshehurazi po i bën homazhe Adolf Hitlerit.
Tani do të më duhet ta vë këtë temë në një këndvështrim më personal, diçka që nuk e kam zakon ta bëj:
Shumica e anëtarëve të familjes sime u vranë nga nazistët. Prindërit e mi janë të mbijetuar të Holokaustit. Unë vetë kam lindur katër vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Fakti që një nga krimet më të tmerrshme në shkallë botërore është kryer kundër familjes sime ka qenë diçka që ka lënë tek unë gjurmë të pashlyeshme.
Duke qenë se e kuptova herët që kur gjërat marrin për keq politikisht, katastrofa nuk është shumë larg, që në moshë të re iu përvesha seriozisht studimit të filozofisë politike. Konkluzioni që arrita ishte që konservatorizmi tradicional amerikan ofron rrugën më të sigurtë drejt lirisë, begatisë dhe sigurisë. Gjatë viteve te Universitetit (1967-71) kam patur profesorë Harvey Mansfield-in dhe Robert Nozick-un. Lexoja "National Review" dhe Constitution of Liberty të Friedrich Hayek-ut si dhe luftova kundër totalitarëve të së majtës së re.
Karriera ime i përkushtohet seriozitetit dhe vetëpërmbajtjes politike. Shkruaj dhe jap kontributin tim financiar për të. Kam shërbyer në pesë administrata të presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe themelova Middle East Forum duke patur pikërisht këtë qëllim. Dhe sot e kësaj dite vazhdoj të mësoj dhe të jap mësim mbi këtë çështje.
Mirëpo tani, pinjollët e nazistëve, që jetojnë pikërisht në dy vendet ku e ka zanafillën holokausti, guxojnë të insinuojnë që unë qenkam një neo-nazist që i bën homazhe Hitlerit. Indinjata ime është e vetmja gjë që ia kalon paturpësisë së tyre.
Në një plan më praktik, ky shtrembërim konfirmon mosbesimin tim ndaj medias europiane: si ta besoj atë pas gjithë kësaj?
Të marrim rastin e Chemnitz-it, një qyteti në ish Gjermaninë Lindore ku dy emigrantë nga Lindja e Mesme vranë kohët e fundit një vendali, krim që shkaktoi protesta dhe zemërim që vazhduan me ditë të tëra. Media dhe politikanët menjëherë gjetën nëpër rrugët e qytetit neonazistët e presupozuar (Times of London: "Neo-nazistët nuk i ndal gjë në Chemnitz") dhe me dhelpëri i kthyen në viktima emigrantët e Lindjes së Mesme. Një rishikim i fakteve të shtyn që të këkrkosh një burim alternativ informimi, si Rebel Media apo Gatestone Institute dhe nuk habitesh kur del që versioni i ofruar nga media kryesore është tërësisht i pasaktë.
Turmat duke protestuar vrasjen në Chemnitz të Gjermanisë, duke marshuar poshtë kokës gjigantë të Karl Marksit. |
Elita europiane të cilën e quaj 6P-të (policia, politikanët, shtypi i printuar, priftërinjtë, profesorët dhe prokurorët) i shtrembërojnë faktet pa pikë turpi duke paraqitur si kriminelë ata kërkojnë të mbrojnë trashëgiminë e tyre. E di mirë këtë gjë, se edhe unë vetë jam tashmë një viktimë.