I dashur lexues,
Kam kënaqësinë t'ju them që ky artikull shënon plot 50 vjet që nga dita kur botova artikullin tim të parë. Bëhet fjalë për një reçension të librit të André Fontaine-it, "Historia e Luftës së Ftohtë" që doli në gazetën "Boston Globe" më 24 mars, 1968. Origjinalin mund ta gjeni kwtu; versionin që lexohet më lehtësisht mund ta gjeni këtu.
Reçensioni doli në shtyp kur isha ende student në vitin e parë universitet dhe shënoi fillimin e karrierës sime si shkrimtar. Disa reflektime lidhur me karrierën në fjalë mund t'i gjeni këtu.
[Australian title: "Israeli victory essential for Middle East peace"]
Është tamam koha për një rifreskim të opinioneve lidhur me zgjidhjen e konfliktit të vjetër dhe tashmë të bërë bajat mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Në një kohë kur arabët janë përqendruar në çështje tjera - armët bërthamore në Iran, luftërat civile në Libi, Jemen Siri dhe Irak, Turqia që po kthehet në një shtet batakçi, vala islamiste si dhe thatësira - tabutë e dala boje anti-sioniste nuk janë aq therëse sa më parë. Një Izrael i begatë dhe i fuqishëm e ka humbur tashmë shpresën në dekada "proçesi paqeje". Kaubojsit në Shtëpinë e Bardhë i pëlqen të shkëputet nga praktikat e mëparshme. Kthesa e të majtës në rang botëror drejt antisemitizmit, e mishëruar me Jeremy Corbyn-in e Partisë Laburiste britanike, i shton arsyet për ta parë çështjen me urgjencë; kur të marrë frenat në dorë, pasojat për Izraelin do të jenë të rënda.
Sipas teorisë më të pranueshme botërisht, konflikti arabo-izraelit do të marrë fund kur ankesat e palestinezëve do të kënaqen në mënyrë të mjaftueshme aq sa të pranojnë shtetin hebre të Izraelit. Kjo paradigmë ka mbizotëruar thuajse pa u kundërshtuar, që nga koha e marrëveshjes së Oslo-s, në shtator të vitit 1993; e megjithatë, gjatë kësaj periudhe 25 vjeçare është bërë e qartë që një numër shumë i madh palestinezësh (sipas llogarive të mia 80%, një përqindje kjo bazuar në të dhëna sondazhesh dhe akademike që i përkasin gati një shekulli) nuk kërkojnë një bashkëekzistencë paqësore me Izraelin, por shfarosjen brutale të "entitetit sionist". Duke patur parasysh këtë lloj qendrimi, nuk është për t'u habitur që çdo raund bisedimesh, sado i bujshëm, në fund ka rezultuar i pasukseksshëm.
Vladimir Jabotinsky. |
Do të hedh si propozim një qasje krejtësisht të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit, një kthim tek strategjia e parandalimit dhe ajo e fitores, strategji që lidhet ngushtë me strategun e madh të sionizmit, Vladimir Jabotinsky-t (1880-1940): Izraeli nuk duhet të ketë si objektiv t'i bëjë qejfin armiqve të tij, por t'i shpartallojë ata. Në mënyrë kundër-intuitive, do të tregoj se pse palestinezëve u nevojitet pikërisht një fitore e tillë e Izraelit për t'u çliruar nga dhuna, ekstremizmi dhe shtypja aktuale si dhe për t'u bërë një popull i suksesshëm.
------------------------------
Për të kuptuar situatën e sotme është e nevojshme t'i rikthehesh periudhës së pas Luftës së Parë Botërore dhe daljes në skenë të Hajj Amin al-Husseini-t, udhëheqësit të parë modern palestinez. Ky i fundit filloi një politikë negacioniste e cila refuzonte në mënyrë absolute çdo lloj aspekti të pranisë hebreje në atë që asokohe njihej si Mandati Britanik i Palestinës. Një shekull më vonë, kjo politikë vazhdon të mbetet mbizotëruese në jetën palestineze. Dallimet politike aty kanë prirjen të jenë të natyrës taktike: është më mirë të zhdukësh Izraelin duke bërë bisedime dhe nxjerrë përfitime prej tyre apo duke i qendruar besnikë politikës negacioniste? Autoriteti Palestinez ndjek taktikën e parë, kurse Hamasi të dytën.
Gjatë një harku kohor prej 75 vjetësh, 1918-93, komuniteti hebre - aty ku sot është Izraeli - iu përgjigj negacionizmit me parandalim, një strategji kjo që e zhbind armikun që të mos ndërmarrë agresion duke e kërcënuar që në të kundërt, shpagimi do të jetë i dhimbshëm. Ndonëse e vënë në jetë në mënyrë jo të përkryer, strategjia e parandalimit e ka ndihmuar Izraelin që të shndërrohet nga preja e mundshme e vitit 1948 në fuqinë e madhe ushtarake të vitit 1993. Vërtet, edhe pse Izraeli po bëhej një vend i fuqishëm, i pasur, novator dhe demokratik, llogjika bazë ka mbetur po ajo. Ideologjitë, taktikat, strategjitë dhe personeli ndryshuan, luftërat dhe traktatet shkojnë e vijnë, por negacionizmi palestinez ka mbetur kokëfortësisht i pandryshueshëm.
Nga 1993-shi, të frustruar nga natyra e ngadaltë dhe pasive e parandalimit, qytetarët e paduruar të Izraelit zgjodhën rrugën e zgjidhjes së menjëhershme [të konfliktit] me palestinezët. Në marrëveshjen e Oslos, secila prej palëve i premtoi tjetrës atë që donte më shumë: njohjen dhe sigurinë për izraelitët, dinjitet dhe autonomi për palestinezët.
Gjithsesi, në nxitim e sipër për t'i dhënë fund konfliktit, atë mëngjez vere në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, izraelitët bënë tre gabime të mëdha: 1) I dhanë Yasir Arafat-it, udhëheqësit të një organizate vrasëse, diktatoriale dhe jo-zyrtare, barazi diplomatike me Yitzhak Rabin-in, kryeministër i një shteti demokratik dhe sovran. 2) I besuan Arafat-it kur deklaroi se do ta njihte Izraelin, kur në fakt ai (dhe pasardhësit e tij) kanë vazhduar të kërkojnë shfarosjen e Izraelit, ide kjo e përforcuar më shumë pas marrjes nën kontroll prej tij të dy hapësirave limitrofe territoriale, Bregu Prëndimor dhe Gaza. 3) Bënë lëshime nën iluzionin që mjafton vullneti i mirë për t'i dhënë fund luftërave, kur në fakt lëshimet patën efektin e kundërt; ato dhanë idenë e dobësisë dhe si pasojë qëndrimi armiqësor palestinez u bë më i fortë. Këto gabime, në mënyrë tragjike, e shndërruan një "proçes paqeje" të mundshëm në një "proçes luftë" antiproduktiv.
Aspak ide e mirë: Netanyahu (majtas) dhe Abbas-i në Jeruzalem, 15 shtator, 2010 |
------------------------------
Si të dalësh nga ky qorrsokak ku hymë 25 vjet më parë?
Historia na tregon se luftërat në përgjithësi marrin fund jo me bisedime, por me disfatë dhe fitore. Sipas historianit ushtarak Victor Hanson, "konfliktet gjatë të gjithë historisë bëhen të vazhdueshme nëse armiku nuk pëson plotësisht disfatë dhe nuk detyrohet t'i nënshtrohet kushteve politike të fitimtarit." Mundja nënkupton heqje dore nga ambicjet për luftë. Fitorja nënkupton t'i imponosh armikut në mënyrë të suksesshme vullnetin tënd.
[Kjo] është një e vërtetë e thjeshtë dhe universale të cilën palestinezët e kuptojnë mirë. Në korrik të vitit 2017, Fatah deklaroi që "fushata për Jeruzalemin ka nisur në mënyrë efektive dhe nuk do të ndalet pa një fitore palestineze dhe pa çlirimin e tokave të shenjta nga pushtimi izraelit." Dhe nuk janë të vetmit; mendimtarë dhe luftëtarë të të gjitha kohërave bien dakort në një pikë, atë që fitorja është qëllimi i luftës. Për shembull, strategu i lashtë kinez Sun Tzu ka shkruar "Le të jetë fitorja qëllimi juaj i madh." Gjenerali amerikan Douglas MacArthur ka deklaruar se "është fatale t'i futesh një lufte pa vullnetin për ta fituar atë." Fitorja është një objektiv njerëzor instinktiv të cilin vetëm njerëzit modernë të supersofistikuar mund ta humbasin nga sytë.
Gjenerali Douglas MacArthur në Manila, Filipine, në vitin1945. |
Kështu pra, për t'u pranuar nga palestinezët, Izraeli duhet t'i kthehet politikës së tij të vjetër të parandalimit, duke ndëshkuar ashpërsisht palestinezët sa herë që të sulmojnë. Ja një shembull: Kur tre anëtarë të një familjeje u vranë në korrik të vitit 2017, ndërsa ishin ulur të hanin darkën e Sabbath-it në Halamish, qytet në pjesën izraelite të Bregut Perëndimor, përgjigja izraelite duhet të kishte qenë ndërtimi i godinave të reja në Halamish dhe zgjerimi i mëtejshëm kufinjve.
Kjo gjë përbën parandalimin; më shumë se thjesht taktika të ashpra të cilat qeveria e Izraelit i ndjek tashmë ai nënkupton zhvillimin e politikave konseguente për thyerjen e negacionizmit dhe inkurajimin e palestinezëve për të njohur Izraelin. [Parandalimi] nënkupton një strategji e cila shpartallon ambicjet irredentiste palestineze me qëllim që t'i japë fund demonizimit të hebrenjve dhe të Izraelit, të njohë lidhjet historike hebreje me Jeruzalemin, të sjellë "normalizimin" e marrëdhënieve me izraelitët, mbylljen e fabrikave të vetëvrasjeve dhe të të gjithë makinerisë së luftës. Ky proçes nuk do të jetë as i lehtë dhe as i shpejtë; do të kërkojë që palestinezët të provojnë shijen e hidhur të disfatës, si dhe dëshpërimin, shkatërrimin dhe humbjen që vjen prej saj. Fatkeqësisht rrugë më të shkurtër nuk ka.
Marrja e kësaj kthese do të thotë jo vetëm mungesë e përhershme e akteve të dhunës kundër Izraelitëve, por dhe ndërprerje e plotë e fushatave për delegjitimizimin e Izraelit të udhëhequra nga palestinezët, që nga Kombet e Bashkuara tek kampuset universitare.
Duket paradoksale, por nëse një disfatë palestineze është pozitive për Izraelin, ajo është edhe më pozitive për palestinezët vetë, të cilët më në fund do të çlirohen nga ambicjet e tyre të shëmtuara, nga retorika revolucionare dhe fantazitë për gjenocid. Një popull i arsimuar dhe kompetent është në gjendje të përmirësojë jetën e tij duke ndërtuar shtetin, ekonominë, shoqërinë dhe kulturën e tij. Mendojeni si një version në miniaturë të Gjermanisë së pas 1945-ës. Dhe nëse diplomacia tani është e parakohshme, çështje si Jeruzalemi, kufinjtë dhe burimet mund të diskutohen në mënyrë të frytshme pas disfatës palestineze. Zgjidhja dy shtetëshe, një absurditet tani për tani - pasi nënkupton t'i kërkosh Izraelit të fuqizojë armikun e tij për vdekje - do të kishte kuptim pas disfatës palestineze.
------------------------------
Si të gjithë ata që e shohin konfliktin nga jashtë, australianët gjenden përballë një zgjedhjeje të ngurtë: ose të përkrahin objektivin palestinez (i qartë në rastin e Hamasit, i nënkuptuar në rastin e Autoritetit Palestinez) për zhdukjen e Izraelit ose të mbështesin objektivin e Izraelit që kërkon të pranohet prej fqinjëve të tij. Në momentin që e formulon këtë zgjedhje të bëhet e qartë që në fakt nuk ka një zgjedhje të vërtetë - e para është agresive, e dyta mbrojtëse; njëra është barbare, tjetra e qytetëruar. Asnjë njeri për të qenë nuk do të sanksiononte objektivin palestinez për shkatërrimin e një vendi në lulëzim.
Kryeministri australian Malcolm Turnbull (majtas) me Netanyahu-n në Jeruzalem, 30 tetor, 2017. |
Çdo kryeministër që nga Ben Chifley dhe çdo vendim dhe votë parlamentare që prej kohës së tij ka konfirmuar që qeveritë australiane janë me Izraelin në fushatën e këtij të fundit për t'u pranuar (madje dhe atëherë kur nuk kanë qenë dakort me mënyrën se si do të arrihet kjo).
Fuqitë perëndimore duhet të mbështesin një Izrael që vepron brenda kufinjve praktikë, moralë dhe ligjorë për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të fituar. Ato duhet të çojnë ambasadat e tyre në Jeruzalem, të hedhin poshtë pretendimin e palestinezëve që Jeruzalemi është kryeqyteti i tyre, të mbajnë anën e Forcave Mbrojtëse të Izraelit kur ndëshkojnë barbarizmat dhe t'i bashkohen ambasadores amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley në denoncimin e farsës së "refugjatëve palestinezë" sipas së cilës disa fëmijë të lindur sot konsiderohen refugjatë.
Ka një vit që organizata që drejtoj, "The Middle East Forum", jo vetëm që ka promovuar idenë e Fitores së Izraelit, por ka organizuar kaukuse të Fitores së Izraelit si në parlamentin izraelit (26 anëtarë nga 7 parti politike) dhe në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara (një grup prej 33 anëtarësh nga të dy partitë). Në të dy rastet, anëtarët e kaukusit kanë qenë dakort me faktin që bisedimet izraelito-paestineze janë të parakohshme sa kohë që palestinezët nuk e pranojnë ekzistencën e shtetit hebre dhe që Fitorja e Izraelit është e vetmja rrugë që të çon përpara. Qëllimi ynë është që udhëheqësit perëndimorë të nxisin Izraelin të kërkojë fitoren.
Madje dhe kundërshtarët e kësaj ideje e dinë se çfarë ndikimi do të ketë kjo ide. Lidhur me ambasadoren Haley, komentatori palestinez Daoud Kuttab shkroi që ajo "duket sikur po përsërit fjalë për fjalë linjën izraelite dhe pro-izraelite të njerëzve si Daniel Pipes". Gazeta "The Guardian" mes të tjerash, sugjeroi që vendimi i Donald Trumpit për të zhvendosur ambasadën amerikane në Jeruzalem është marrë nën ndikimin e Projektit për Fitoren e Izraelit.
Në vijim të një vizite në Australi në fillim të këtij muaji [mars 2017], e kam diskutuar këtë ide në biseda private, takime publike si dhe me shtypin, dhe kam shpresë që do të nisë një lëvizje australiane dhe një kaukus brenda parlamentit.
Kush do të marrë frenat i pari? Më kontaktoni.