"Andej nga dhjetori i 1910-ës, karakteri njerëzor pësoi ndryshim," ka shkruar në 1924-ën novelistja britanike Virginia Woolf. "Nuk them se dikush doli jashtë, siç dilet në oborr, dhe vuri re që kishte çelur një trëndafil, apo një pulë diku aty kishte pjellë vezë. Ndryshimi nuk ishte aspak i tillë d.m.th. i menjëhershëm dhe i qartë. E megjithatë, një ndryshim kishte ndodhur."
Citati i famshëm i Woolf-it i referohet në mënyrë specifike një ekspozite pikturash natyraliste. Duke u shprehur më gjerësisht, 1910-a shënoi datën e përafërt kur në botën e artit pati një ndryshim të ndjeshëm: objektivi tradicional për të krijuar të bukurën doli jashtë loje dhe u zëvendësua me objektivin modernist të promovimit të idealeve dhe dhënies së një mesazhi politik, të tillë që do të épater la bourgeoisie (trondiste borgjezinë). Vrazhdësia dhe shëmtia janë pjesë e pandarë e këtij objektivi për të irrituar, turbulluar ujërat si dhe për të dhënë një mësim.
Italia, djepi i Rilindjes, që mbahet në mbarë botën si apogjeu i arritjes artistike, është dhe vendi më i gjetur nga ku mund të vërehet ky kontrast, siç doli dhe nga udhëtimi im i fundit në dymbëdhjetë qytete të Italisë.
Qëkur filloi turneu i madh kulturor nëpër Europë në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ajo çfarë ka bërë kryesisht çdo udhëtar në Itali ka qenë të shohë e të zhytet në bukurinë e saj. Nga njëra anë, janë bukuritë natyrore të vetë vendit, që nga vreshtat që veshin kodrinat e saj deri tek pamjet magjepsëse të bregdetit italian. Por gjëja kryesore janë arritjet artistike të italianëve: statujat dhe rrënojat romake, sheshet dhe pikturat e Rilindjes, kanalet dhe urat e Venecias. Arti më modest zë gjithashtu vendin a tij: pasta, salcat dhe vaji i ullirit, një homazh ndaj artit delikat të të gatuarit, sot i gjen dhe në pikat e benxinës përgjatë autostradave me hyrje të kufizuar. Ashtu sikurse të huaj të panumërt që kanë vizituar përpara meje Italinë, edhe unë që në vizitën time të parë aty në vitin 1966, jam magjepsur nga përkushtimi klasik i italianëve ndaj të bukurës, nga zonat historike dhe kultivimi për t'u lavdëruar i të bukurës.
Por sa më lart vlen vetëm për zonat historike. Sa largohesh prej tyre, menjëherë sheh të fusë hundët shëmtia e modernitetit. Le të marrim Bolonjën për shembull. Me të dalë nga qendra historike e saj përplasesh me ndërtesa të stilit stalinist, një depozitë uji që nuk shihet me sy dhe grafitti (një fjalë italiane kjo, meqë ra fjala) që të zë koka duke e parë.
Ndërtesa të stilit stalinist jashtë qendrës historike të Bolonjës. |
Një depozitë uji dhe ndoshta zona më e shëmtuar e Bolonjës. |
Graffiti është një fjalë italiane, siç mund të ta sjellin ndër mend këto fasada dyqanesh në Bolonja. |
Nëse arkitektura është prova më e kudogjendur e kalbëzimit, piktura, skulptura dhe muzika vuajnë nga andralla të ngjashme, dhe diçka e tillë provohet çdo vit në mënyrë ekstravagante nga Bienalja e famshme e Venecias. E hapur në vitin 1985 ajo organizohet çdo dy vjet për një periudhë të pafund prej gjashtë muajsh e gjysëm. Përmbajtja e saj është në kontrast të plotë me bukurinë e jashtëzakonshme të Venecias, qytetit ku organizohet kjo Bienale. Mes harmonisë unike me të cilën gërshetohen kanalet, gondolat, pallatet mesdhjetare dhe kishat baroke, qendron si fqinjë e arteve në formën e tyre më të përsosur, një ish fabrikë dhe magazinë e mbushur plot me monstruozitete mjerane të trishtueshme që tashmë njihen me emrin art modern.
Bukuria e jashtëzakonshme e Venecias e parë nga një taksi uji. |
Tërhoqa këmbët zvarrë nga një sallë e Bienales së 57-të tek tjetra, duke pritur se mos gjeja ndonjë ekspozitë didaktike, pedante apo radikale politike. Ndjeva një lloj çlirimi kur vura re se mesazhet politike hapurazi majtiste thuajse mungonin; në vend të tyre gjeta zbrazëtinë e zymtë të fjalëve, pikturave dhe formave pjesa më e madhe të cilave pa pikë kuptimi. Shumica e artefakteve dukeshin si të bëra nga fëmijët, dhe bazoheshin në ngjyrat e forta primare, trajta të thjeshta dhe mesazhe sipërfaqësore. Mjeshtëria, bukuria dhe kuptimi binin në sy për mungesën e tyre: Një hamak i mbushur me letra çfarëdo. Këpucë atletike, të pozicionuara në lartësi të ndryshme, si vazo nga ku rriteshin bimë. Mjë mural i krijuar me kaseta audio.
Grupi organizator i Bienales është veçanëisht krenar për këtë ekspozim të ngjyrave primare. |
Interes i sajuar për hamakun e mbushur me letra të ndryshme. |
Magjepsje për këpucët atletike të varura si vazo bimësh. |
Jo egzaktësisht Leonardo da Vinci; një murale e përbërë prej kasetash audio. |
Vetëm një ekspozitë perverse kufomash të rreme të realizuara me lëndë organike në dekompozim ofronte një lloj kontrasti me artin e shpërlarë përreth. Katalogu i Bienales shkonte deri aty sa t'i quante këto lloj figurash të neveritshme "transfigurim estetik dhe ekstatik" që krijon "një botë të re magjike".
A mund të quash disa kufoma të realizuara me lëndë organike në dekompozim e që lëkunden në ajër "magjike" apo "sexy"? |
Nuk u habita aspak kur mësova që reçensioni që New York Times i bëri kësaj Bienaleje e qortonte atë që në epokën e Trump-it dhe të Brexit-it nuk kishte sjellë asnjë mesazh politik. Në rregull: por të quash "sexy" një ekspozitë kufomash të dekompozuara më tronditi, sepse diçka e tillë nënkupton hapur nekrofilinë.
Pata tundimin që t'i thërrisja me zë të lartë turmës së admiruesve të artit, "Perandori është lakuriq. Ky është mashtrim. Ikni nga kjo humbëtirë dhe në vend të saj vizitoni rrugët magjepsëse të Venecias, kalimet ujore, kishat dhe pallatet." Por secili prej vizitorëve kishte paguar 25 euro dhe duke gjykuar në bazë të numrit të fotografive që po shkrepeshin dhe diskutimeve të lëçitura që kishin zënë fill, Bienalja dukej se i kishte kënaqur plotësisht shijet e tyre artistike. Kështu që nuk bëra zë.
Për ta mbyllur, dy gjëra që vura re: Venecja është pa diskutim një nga qytetet më të bukura dhe më egzotike të botës; është paradoksale që në gjirin e saj kanë zënë vend tregtarët më në zë të rrangullinave të maskuara si art. Njëqind e shtatë vjet pas kthesës së dhjetorit 1910 të cilës i referohet Virginia Woolf, nuk mund të mos e vrasësh mendjen se deri kur do të vazhdojë kjo farsë e quajtur "art" modern, kur do të vijë sërish koha që artistët në zë të hedhin tej me përbuzje politikën dhe në vend të saj t'i vënë sërish vetes objektivin për të krijuar të bukurën?