Sipas fjalëve të një eksperti të dorës së vjetër në Washington, problemi i UNRWA-së, agjensisë kryesore të OKB- së që merret me [refugjatët] palestinezë, ka qenë diçka gjithnjë e rëndësishme, por asnjëherë urgjente.
Mirëpo, ky problem sapo është bërë urgjent.
Kjo për shkak se presidenti Trump shkroi në Twitter "meqë palestinezët nuk janë më të gatshëm të bëjnë bisedime për paqen, pse duhet të vazhdojmë t'u japim shuma të mëdha parash?" Në vijim, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara pranë Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley shtoi se qeveria amerikane është gati t'ia presë fondet UNRWA-së. Madje sipas Axios-it, amerikanët nuk e bënë një pagesë prej 125 milionë dollarësh (lajm ky që më vonë u mohua).
Taksapaguesi amerikan është donatori më i madh i UNRWA-së duke paguar 370 milionë dollarë vetëm në vitin 2016. Shkurtimi i këtyre shpenzimeve nga buxheti federal do të ishte nga të rrallët që ta bën zemrën mal, sepse UNRWA-ja ka një histori të gjatë qendrimesh të gabuara: provokime të paligjshme kundër Izraelit, mbështetje ndaj sulmeve të dhunshme kundër hebrenjve, korrupsion dhe stërzgjatje (në vend të dhënies fund) të problemit të refugjatëve. Nuk është për t'u habitur që janë bërë shumë përpjekje në Kongresin amerikan, për t'ia prerë fondet. Por siç ka dëshmuar me prova Steven J. Rosen, të 10 iniciativat e ndërmarra në periudhën 1999-2014, kanë dështuar për shkak të kundërshtimit të bërë nga ana e qeverisë izraelite.
Për shkak të çfarë, do të pyesnit ju me habi? Po, po. Në dallim nga çfarë mund të mendohet, qeveria e Izraelit do që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të paguajnë UNRWA-në, nga frika se mos ndërprerja e këtyre pagesave mund të shkaktojë një Intifadë të re, rrëzimin e Autoritetit Palestinez, ose një luftë të re me Hamas-in. Jeruzalemi gjithashtu e sheh UNRWA-në si e keqja më e vogël krahasuar me marrës të tjerë të mundshëm të parave, si p.sh. Autoriteti Palestinez.
Meqënëse këtë radhë presidenti vetë ka kërkuar të ndërpriten këto fonde, a do të ndodhë ndoshta vërtet diçka e tillë? Gjasat janë që jo, sepse siç njofton një lajm nga Izraeli, ndërkohë që publikisht kryeministri Netanyahu ka mbështetur këtë prerje fondesh nga amerikanët, pas kuintave ka kërkuar ta bllokojë apo ngadalësojë këtë veprim dhe kjo për arsyet e zakonshme. Nëse është me të vërtetë kështu, zor të imagjinohet që presidenti dhe anëtarët e Kongresit në dallim me çfarë kanë bërë deri më sot, nuk do t'ia plotësojnë dëshirën.
Edhe sikur të mbaronte financimi i UNRWA-së, shumë qeveri - madje dhe individë - mund t'i ofrojnë me lehtësi 370 milionë dollarë dhe madje kanë dhe stimulin e duhur për të vepruar kështu. Katari mund të konsolidojë kështu rolin si mbrojtës i palestinezëve. Beijing-u mund të blejë një rol në zemër të politikës arabe. Moska mund të kompensojë pak për dëmin që shkaktoi duke mbajtur anën e Teheranit. Carlos Slim, që sipas revistës Forbes ka një pasuri prej 67.9 miliardë dollarë, mund të vendosë që ta çimentojë dhë më shumë kredibilitetin me arabët. Por akoma më keq, nëse cilido prej tyre do të vendoste të kompensonte boshllëkun e krijuar nga tërheqja e fondeve, kjo do ta bënte administratën e Trump-it të dukej sa e izoluar aq dhe inefikase.
Carlos Slim gjatë vizitës në Jubail, Arabi Saudite, në vitin 2013. |
Edhe sikur askush të mos kompensonte donacionet amerikane, prerja e fondeve të UNRWA-s nuk e prek aspak thelbin e problemit, i cili nuk qendron tek veprimtaritë e sponsorizuara të saj, por në zgjerimin pambarim të popullatës së "refugjatëve palestinezë" në tre mënyra më shumë të çuditshme se unike: duke lejuar që ky status të kalojë nga njëri brez tek tjetri pa vënë asnjë kufi; duke mundësuar mbajtjen e statusit edhe kur refugjati e ka marrë një nënshtetësi (si p.sh. atë jordaneze); si dhe duke ua dhënë këtë status banorëve të Bregut Perëndimor dhe të Gazës, të cilët jetojnë në të ashtuquajturin mëmëdhe palestinez. Këto truke kanë bërë të mundur që UNRWA të zgjerojë në mënyrë artificiale popullatën e refugjatëve nga 600,000 që ishte në vitin 1949 në aktualisht 5.3 milionë. Një numërim i saktë i refugjatëve të vërtetë që janë ende gjallë do të ishte gati 20,000.
UNRWA-ja pretendon se ky fëmijë i fotografuar në Siri në vitin 2015 është një "refugjat palestinez". |
Kështu pra, ndërkohë që mbështes me entuziazëm synimet politike të Trump-it, do të sygjeroja që ndërprerja e fondeve nuk është taktika e duhur. Do të ishte më mirë të përqendroheshim tek statusi "refugjat palestinez". Nëse ua mohon këtë status të gjithëve me përjashtim të atyre që vërtet i përmbushin kriteret e qeverisë amerikane për t'u quajtur refugjat (në rastin konkret, të jesh të paktën 69 vjeç, pa nënshtetësi dhe të jetosh jashtë Bregut Perëndimor ose Gazës), do t'ia ulje me më shumë se 99 përqind efikasitetin shpatës irredentiste që i qendron në fyt Izraelit. Gjithashtu diçka e tillë do të vinte në veprim statusin e "refugjatit palestinez", do t'u lejonte miliona palestinezëve të kishin një jetë më të shëndetshme, do t'i fliste direkt zemrës së errët dhe të akullt të anti-sionizmit arab, si dhe do të ndihmonte në zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit.
Prandaj, propozoj që presidenti ta modifikojë politikën e Shteteve të Bashkuara me Jeruzalemin dhe të vazhdojë t'u dërgojë ndihma palestinezëve duke u vënë në të njëjtën kohë kusht shumicës dërrmuese të marrësve të këtyre ndihmave që të pranojnë në mënyrë formale që as nuk janë dhe as nuk kanë qenë ndonjëherë refugjatë.
Forumi për Lindjen e Mesme, që ka punuar për këtë çështje që nga viti 2010, ka propozuar një legjislacion që të mundësojë këtë ndryshim. është një legjislacion sa i thjeshtë aq dhe i zbatueshëm, sepse nuk bën asgjë të jashtëzakonshme përveçse vë marrëdhëniet e Uashingtonit me UNRWA-në në të njëjtën linjë me politikën dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara. Nuk kemi çfarë të presim më.