Rënia e madhe ekonomike e 2008-2009-ës, më bindi si mua ashtu dhe shume vëzhgues të tjerë, që buja dhe shkëlqimi verbues i qytet-shtetit të Dubait - Shko bëj ski në mes të të nxehtit përvëlues! Shtangu përpara ndërtesës më të lartë në botë! - nuk ishte gjë tjetër veçse një mirazh në shkretëtirë. Iu përvesha mirë Dubait në një artikull të vitit 2009 duke e sharë për "sharlatanëri dhe reklama boshe", për ekonomi që në letër duket sikur po shkon mirë, si dhe për mashtrim të të huajve me marrëveshje gjoja të favorshme - të tipit Ponzi - të pasurive të patundshme. Dukej se ishte vetëm çështje kohe që ngrehina të rrëzohej.
Mirëpo nuk ndodhi. Udhëheqësit nxorrën mësim nga gabimet e tyre, ndreqën të metat më të mëdha të sistemit dhe u angazhuan që zëri i Dubai të gjëmonte më fort, më me guxim dhe paturpësi. Për të kuptuar se si ndodhi gjithë kjo, që prej 2015-ës, e kam vizituar çdo vit Dubain (një nga shtatë emiratet e Emirateve të Bashkuara Arabe, diçka si katër shtetet e Mbretërisë së Bashkuar).
Aty nuk gjeta reklama boshe, por diçka më të rrallë dhe më mbresëlënëse: kapitalizëm. Dhe jo thjesht kapitalizëm, por kapitalizëm në formën e tij më krudo, më të pafre, me pak rregulla, taksa minimale dhe sindikata të zhburrëruara.
Emirati është një nga vendet më të pasura në botë që mbahet nga burimet e naftës; shteti afër tij, Katari ka të ardhura vjetore hidrokarburesh për kokë prej rreth 500,000 dollarë për çdo qytetar të tij. Shteti fqinj Abu Dabi mbi 400,000 dollarë për shtetas.
Dubai ka më pak hidrokarbure dhe e ardhura prej tyre mezi kap dy përqind të të gjithë të ardhurave kombëtare. Pjesa tjetër vjen nga biznesi. Bëhet fjalë për një aktivitet komercial të vrullshëm dhe marramendës në fusha të ndryshme: të pasurisë së patundshme, të trafikut ajror, të turizmit, të zonave të lira, medias, porteve, të transbordimit dhe kontrabandës, arsimit, shërbimeve financiare, teknologjisë së avancuar dhe punës kërkimore shkencore,
Dubai në vitet e largëta 50-të |
Si rezultat i gjithë kësaj Dubai ka shënuar një rritje të ndjeshme të popullsisë dhe pasurisë. 50 vjet më parë, popullata ishte gati 60,000; tani është gati 3 milionë banorë, një rritje prej thuajse 50 herë, ndoshta rritja demografike më e madhe në planet. Ndërkohë e ardhura për frymë (përfshirë dhe 94 përqind të popullsisë që përbëhet nga të huaj) ka arritur në 29,000. Kjo është ajo çfarë vendasit e quajnë "Mrekullia e Dubait". Analisti Mehran Kamrava e quan Dubain një "qytet global në zhvillim". Kurse për mua Dubai është një qendër e rëndësishme tregtare, që mund të krahasohet me Hong Kongun apo Singaporin.
Ashtu siç i vjen për shtat promovimit në kapitalizëm, udhëheqësit e emiratit janë të fiksuar me thyerjen e rekordeve botërore, ndaj dhe për shembull shumica e ndërtesave i kalojnë 300 metra lartësi, aeroportët kanë trafikun më të lartë ndërkombëtar të pasagjerëve si dhe makinat e policisë janë nga më të shpejtat. Duke qenë një emirat që nuk ndjehet shumë i sigurtë sidomos për shkak se është i rrethuar nga shtete të një natyre grabitqare si Iraku dhe Irani dhe është i mbushur me emigrantë pa të drejtë vote, ai ka kërkuar mbrojtje dhe siguri tek "fuqia e butë" që nis nga turizmi tek arbitrimi ndërkombëtar.
Një nga makinat e policisë më të sofistikuara të Dubait. |
E megjithatë ky është një lloj kapitalizmi që dallohet për veçorinë që shteti aty luan një rol shumë të madh. Udhëheqësit e Dubait, dhe në vëçanti emiri Mohammed bin Rashid Al Maktoum (lindur në 1949) e ka drejtuar ekonominë nëpërmjet pronësisë së drejtpërdrejtë dhe një dore të fortë udhëheqëse. Siç ma ka shpjeguar situatën aty një administrator i fondeve të huaja monetare, "Dubai ka dy prejardhje të ndryshme. Nëna është kapitaliste dhe merret me administrimin e emigrantëve dhe kompanive të vogla. Babai është socialist dhe administron vendasit dhe kompanitë e mëdha."
Mohammed bin Rashid Al Maktoum (lindur në 1949), emiri i Dubait, duke ndjekur garat e famshme mbretërore me kuaj në Ascot të Mbretërisë së Bashkuar. |
Të drejtat e shtetasve janë të kufizuara në mënyrë strikte, ndërsa ato të emigrantëve janë praktikisht inegzistuese; të huajt mund të trajtohen si të ketë qejf qeveria. Ligjet e ashpra vihen në zbatim në mënyrë të paparashikueshme. Kjo do të thotë që thuajse kushdo mund të arrestohet në çdo kohë. Megjithatë, sa kohë që tregohet kujdes që gjërat të mos bëhen haptazi (siç më ka thënë një emir: "Këtu, dhomat e hotelit janë vendi ku bëhen takimet intime"), ndëshkimi mbetet më shumë në planin teorik se në atë praktik. Mendimi mbizotërues është që politika t'i lihet në dorë urtësisë së familjes sunduese, diçka që, në vija të përgjithshme, ka dalë si zgjedhje me mend.
Kështu pra, Dubai i është përshtatur "modelit aziatik", ku "tigrat" e Hong Kongut, Singaporit, Tajvanit dhe Koresë së Jugut janë pasuruar duke mbajtur liritë e kufizuara dhe duke përfshirë në shkallë të gjerë qeverinë në sektorin ekonomik. Më pas doli Republika Popullore e Kinës. Deklarata e Ten Ciao Pinit e vitit 1962 "Sa kohë që kap minj, pak rëndësi ka nëse macja është e zezë apo e bardhë" u bë frymëzuesja e "Socializmit me karakteristika kineze" inauguruar prej tij në vitin 1978.
Ndërsa tigrat e tjerë u demokratizuan, Partia Komuniste Kineze e ruajti diktaturën gjatë të katër dhjetëvjecarëve që shënuan rritjen e jashtëzakonshme ekonomike. Suksesi i kapitalizmit shtetëror e ka treguar veten si një konkurrent i jashtëzakonshëm në tregun e lirë aq sa regjime si Rusia, India dhe Turqia kanë imituar Kinën, siç shkruan revista "Time", duke "ndërtuar sisteme ku qeveria ka përqafuar tregtinë duke mbajtur të shtrënguar fort kontrollin e politikave të brendshme, konkurrencës ekonomike si dhe kontrollin e informacionit." Kjo është gjithashtu ajo çka aspiron Vizioni 2030 i trashëgimtarit të fronit, princit Mohammad bin Salman për Arabinë Saudite.
Dubai po e ndjek me vrull këtë model të ri të shoqërisë së begatë jo demokratike. Lajlet e lulet e jashtme që bien në sy janë shumë më pak të rëndësishme se themeli i kësaj strukture shoqërore të konsoliduar mirë dhe për fat të keq të prirur për të qenë e sukseshme.