Lajmi se qeveritë e Iranit dhe Turqisë arritën një marrëveshje mbi Idlibin, një qytet sirian që tani është në qendër të vëmendjes amerikane, ka nxjerrë në dritë momentalisht marrëdhëniet mes dy prej vendeve më të mëdha dhe me më ndikim në Lindjen e Mesme.
Konkurrenca mes tyre ka filluar gjysëm mijëvjeçari më parë, duke përfshirë njëmbëdhjetë luftëra, dhe mbetet tani, sipas fjalëve të Soner Cagaptay, nga Instituti Washington, "loja më e vjetër për pushtet" në rajon. Cila është domethënia e kësaj marrëveshjeje të fundit dhe si do ta ndikojë konkurrenca mes tyre të ardhmen e rajonit?
Paralelet iraniane dhe turke ia vlen t'i ndjekësh. Që të dy vendet kanë popullatë prej rreth 80 milionë vetësh. (Egjypti, i cili për nga madhësia është i treti në rajon, ka 96 milionë.) Që të dy mburren si pasardhës të civilizimeve të lashta, me histori të gjatë perandorake, tensione me Rusinë, dhe shmanie me sukses të kolonizmit europian. Në kohët moderne, të dy janë sunduar nga një modernizues i pamëshirshëm, pas Luftës së Parë Botërore por që së fundi drejtohen nga një islamist akoma më represiv.
Modernizues të pamëshirshëm: Shahu Reza i Iranit (majtas) viziton Ataturkun e Turqisë në 1934. |
Udhëheqësit aktualë, Ali Khamene'i i Iranit dhe Rexhep Tayyip Erdoğani i Turiqsë, gëzojnë pushtet gati absolut dhe që të dy përpiqen të fshehin këtë realitet me gumëzhimin dhe madhësinë e një sistemi zgjedhor, parlamentesh, kabinetesh, ligjesh dhe OJQ-sh. Që të dy ëndërrojnë që të udhëheqin mbarë botën myslimane, mbase duke marrë titullin e kalifit një ditë. Në një eopkë kur anti-zionizmi i shteteve arabe bëhet pothuajse nën zë, Teherani dhe Ankaraja udhëheqin tashmë sulmet, ku Republika Islamike e Iranit mohon me zë të lartë Holokaustin kurse Republika e Turqisë krahason izraelittët me nazistët.
Islamistë shumë më represivë: Erdoğan i Turqisë (majtas) duke vizituar Khamene'in e Iranit në 2012. |
Në shumë drejtime, iranianët janë përpara turqve, por këta të fundit po u afrohen. Ajatollah Khomeini erdhi në pushtet në 1979 ndërsa Erdoğani në 2002. Irani ka përfituar për një kohë të gjatë nga rezervat e mëdha të gazit dhe naftës por Turqia ka ndërtuar së fundi një bazë ekonomike mbresëlënëse. Teherani ka dislokuar trupat ushtarake jashtë vendit, duke pasur në kontroll katër kryeqytete arabe, ndërsa Ankaraja ende lufton me kundërshtarët e brendshëm, sidomos gylenistët dhe kurdët. Të dy qeveritë nuk e shohin dot me sy Perëndimin por Irani është haptas armiqësor ndërsa Turqia mbetet zyrtarisht në NATO dhe gjoja kërkon anëtarësinë në Bashkimin Europian.
Horrat e Khamene'it kapin detarët amerikanë në mes të detit ndërsa Erdoğan merr peng banorët e vendit të tij. Teori konspirative, që për një kohë të gjatë janë kthyer në art nga iranianët, janë përhapur gjerësisht gjatë dy dekadave të fundit edhe në Turqi, e cila tani fryn spekullimet më fantastike në rajon. Që të dy u bënë aleatë entuziastë të diktatorit të Venezuelës Nicolás Maduro. Si kreu i një diktature shumë më afatgjatë, Khamene'i mund të lejojë një liri relative të shprehjes ndryshe nga obsesioni i Erdoğanit për të mbajtur nën kontroll gjithshka, deri edhe të asaj çfarë thonë lojtarët e basketbollit në Shtetet e Bashkuara, apo se çfarë mendojnë udhëtarët që kalojnë tranzit nga aeroporti i Stambollit.
Ndryshimi më i madh mes tyre ka të bëjë me qendrimet ndaj nënshtetasve. Ndërsa Khamene'i gëzon mbështetjen e vetëm rreth 15 përqind të popullatës, Erdoğan mund të mbështetet te të paktën 45 përqind, gjë që i siguron atij një legjitimitet dhe vetëbesim që Khamene'i as që mund ta ëndërrojë. Kjo është pjesërisht rezultat i viteve të gjata të sundimit islamist dhe pjesërisht i dallimit në të ardhurat për frymë, të cilat janë vetëm dhe stagnante 4,700 dollarë amerikanë në Iran, por 10,700 dollarë dhe në rritje në Turqi.
Tregues të përzgjedhur ekonomikë (Banka Botërore). |
Rrëzimi i regjimit në Iran mund të shihet në horizont dhe do ta dobësojë islamizmin, duke u dhënë zemër myslimanëve që të përparojnë drejt një forme më moderne të fesë së tyre. Po qeveria turke ka popullaritet më të madh dhe një version më të përparuar të islamizmit që i jep mundësi të më mëdha për të mbetur në pushtet. Si e tillë ajo është një kundërshtare më jetëgjatë e shqetësuese. Prandaj Lindja e Mesme ka mundësi që të shohë një rrokadë të madhe, sipas të cilës, Irani do të futet në rrugën e moderimit, kurse Turqia të kthehet në rrezikun supreme të rajonit.
Marrëdhëniet dypalëshe lulëzuan gjatë viteve të para të sundimit të Erdoğanit (2002-10), kur i bashkonte vizioni islamist për botën dhe dyshimi për qëllimet e SHBA-së në Irak. Por, marrëdhëniet u ftohën kryesisht për shkak se të dy regjimet kërkuan të zgjerojnë ndikimin e tyre të jashtëm dhe si vende fqinje u përplasën në mënyrë të natyrshme. Lufta civile në Siri, ku Teherani mbështet xhihadistët me orientim shia dhe Ankara mbështet xhihadistët sunitë, është problemi më i madh që kanë mes tyre, por jo i vetmi. Çështje të tjera gjithashtu rëndojnë përçarjen, si mbështetja për palë kundërshtare në Jemen instalimet turke të radarit të NATO-s që ndjek veprimet iraniane si dhe mbështetja iraniane për veprimet e Al-Kaidës kundër Turqisë.
Tensionet kanë arritur në pikën që Ali Vaez nga Grupi Ndërkombëtar i Krizës i sheh Teheranin dhe Ankaranë "kanë hyrë në shtegun që po i çon drejt përplasjes". Nëse nuk merren masa, ai pret që dinamikat e sotme të çojnë "drejt gjakdershjeve akoma më të mëdha, paqendrueshmërish në rritje dhe rreziqeve të përballjes ushtarake". Disi më poetikisht, Cagaptay vëren se Lindja e Mesme ka vend "për një shah ose për një sultan, por jo për një shah dhe një sultan".
Në këtë kontekst, marrëveshja e Idlibit duket e brishtë dhe kalimtare. Teherani dhe Ankara mesiguri do të kthehen përsëri shpejt kundër njëri-tjetrit dhe me fuqi të ripërtëritur do të vazhdojnë rivalitetin e tyre të përhershëm.
Ilustrim nga "Washington Times". |