"Lindja e Mesme është varreza e parashikimeve", vëren shkrimtari dhe redaktori i krahut të majtë, Adam Shatz. Kjo ndodh për arsye se është kaq e trazuar (askush në 2014 nuk mund të imagjinonte rigjallërimin e një kalifati ekzekutiv pas 11 shekujsh) dhe sepse është perverse (Presidenti i Turqisë Erdoğan filloi gati një luftë të re civile me kurdët vetëm që të siguronte disa ndryshime kushtetuese për të cilat as që ka nevojë).
Pjesërisht, parashikimet dështojnë edhe për shkak të paaftësisë së përgjithshme të specialistëve të fushës. Shpesh, atyre u mungon aftësia e thjeshtë për të dalluar atë që kanë përpara syve. Një shembull domethënës: gëzimi kolektiv për ngjitjen e Bashar al-Assadit në fronin e presidencës së Sirisë në 2000.
David Lesch, në televizor. |
Disa analistë të politikës siriane shprehën skepticizmin e tyre rreth aftësive të oftalmologjistit 34-vjeçar për të administruar "qendrueshmërinë e zbrazët dhe të dhunshme" që trashëgoi nga babai i tij dictatorial, që kishte sunduar për gati tridhjetë vjet. Ata dyshonin se "tensionet e thella në shoqërinë siriane... mund të shpërthenin pas ikjes së një diktatori kaq jetëgjatë".
Mirëpo, shumica e vëzhguesve u mrekulluan nga Assadi i ri, një djalosh i sjellshëm, në mos një humanitarian i pazbuluar. David W. Lesch, një akademik që gëzon titullin e "Profesorit të Shquar Ewing Halsell" për Historinë e Lindjes së Mesme në Universitetin e Trinitisë në San Antonio, Texas, udhëhiqte këtë grup në veçanti. Lesch u miqësua me kryezotin e ri duke shijuar atë që botuesi i tij e quajti "një mundësi unike dhe e jashtëzakonshme për të vëzhguar presidentin e Sirisë, rrethin e tij dhe familjen e tij".
Këto orë të gjata bashkëbisedimi çuan në një libër në 2005, "Luani i ri i Damaskut: Bashar al-Asad dhe Siria Moderne (Yale University Press) si dhe në një vërshim lavdërimesh nga kolegët në akademi: Moshe Ma'oz nga Universiteti Hebre iu duk "shumë informues dhe perceptiv". Curtis Ryan i Appalachian State University e quajti "shpalosës". James L. Gelvin nga UCLA e lavdëroi si një "dëshmi jashtëzakonisht të lexueshme dhe në kohën e duhur". Një institut studimor me emër në Washington organizoi një diskutim për zbulimet e librit.
Mirëpo, kalimi i një duzine vitesh, gjysma e të cilëve e përmbushur me brutalitetin monstruoz të Assadit një luftën civile më vrastare të rajonit në kohërat moderne, ofrojnë një perspktivë shumë më të ndryshme në vlerësimin e studimeve të Lesch.
Assad iu përgjigj demonstratave paqësore kundër regjimit të tij që filluan në mars 2011, jo me reforma por me dhunë të pamëshirshme. Numri total i të vdekurve ka shkuar në 450,000 vetë në një popullatë prej 21 milionë para lufte. Barbarizmi personal i Assadit ka qenë kyç përgjatë gjithë këtij konflikti; duke shfrytëzuar kontrollin nga qielli, trupat e tij vlerësohet se kanë shkaktuar rreth 90 përqind të viktimave të luftës.
Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, mbi 5 milionë sirianë janë shpërngulur brenda vendit dhe 6,3 milionë të tjerë janë arratisur nga vendi, duke shkaktuar kriza në vende shumë të ndryshme nga njëri-tjetri si Jordania, Libani, Turqia, Greqia, Hungaria, Gjermania, dhe Suedia.
Në dritën e këtyre zhvillimeve tronditëse, vepra e Lesch përmban shumë pasazhe që dëshmojnë gabueshmëri të skajshme dhe paaftësi gjykimi. Ai e vlerëson zotin Asad sit ë ishte ndonjë koleg i tij i universitetit, duke përdorur mbiemra të tillë si "i dhembshur", "parimor", "kokulur", "i pafajshëm", dhe "i kthjellët moralisht". Ai e përshkruan Assadin si një "njeri me integritet të madh personal", me një "sinqeritet tërheqës" dhe "një vizion për të ardhmen e vendit të tij". Ata që e kanë takuar Assadin, na thotë ai, janë habitur me "mirësjelljen, përulësinë, dhe thjeshtësinë e tij". E kthyer ndryshe, "sjellja prej horri... me të cilën është përshkruar i ati nuk është në karakterin e Basharit".
"Vizioni" i Bashar al-Assad "për të ardhmen e vendit të tij?" Aleppo, në tetor 2014. |
Edhe privatisht, Assad del shembullor: "Ai ia ndërron pelenat, çohet në mes të natës për të qetësuar fëmijën që qan. ....Gjatë gjithë vitit të parë të jetës [së djalit të tij], Bashari asnjëherë nuk mungoi në larjen e përditshme të tij.
Për perëndimorët, ai qenkej edhe kulturalisht i lezetshëm: "Jo vetëm që pëlqen muzikën nga Phil Collins, po shijon edhe Kenny G., Vangelis, Yanni, disa pjesë klasike, dhe muzikën arabe të viteve 1970. Atij i pëlqen rroku klasik përfshi edhe Beatles, Supertramp, dhe Eagles, si dhe ka të gjitha albumet nga Electric Light Orchestra".
Sa për gruan e tij, Asmën, ajo "qartësisht ka të njëjtën ambicje si bashkëshorti që ai të bëjë çdo gjë që ka fuqi që ta kthejë Sirinë në një vend më të mirë për fëmijët dhe nipërit e tyre".
Të paktën Lesch e pranonte mundësinë e një shpërthimi "nga një paqendrueshmëri e regjimit që mund të çonte në një luftë civile të mundshme". Mirëpo, ai e hedh poshtë këtë skenar sepse "opozita ndaj regjimit brenda Sirisë... është e përçarë dhe relativisht e dobët".
"Luani i ri", një monument turpi akademik, jo më kot nuk mund t'ia gjesh më ndonjë kopje dhe është zhdukur nga faqja e internetit të "Yale University Press". Akoma më habitshëm, Yale në 2012 përsëri botoi nga Lesch një tjetër kryevepër, kësaj here me titullin e pafat: "Siria: Rrëzimi i Oxhakut të Assadit".