Partia Fatah, e Presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, njoftoi të shtunën se "fushata për Jeruzalemin praktikisht ka filluar dhe nuk do të ndalet deri në një fitore palestineze dhe në lirimin e vendeve të shenjta nga pushtimi izraelit". Fatah kërkoi heqjen e diktuesve të metaleve dhe aparateve të tjera të sigurisë nga hyrja në Xhaminë Aksa në Malin Tempull. Një javë më parë, dy policë izraelitë u vranë nga terroristë që kishin fshehur armët e tyre brenda xhamisë.
Deklarata e Fatah ishte jologjike dhe hipokrite. Shumë xhami në vendet me shumicë myslimane përdorin të njëjtën teknologji për të mbrojtur besimtarët, turistët dhe policinë. E megjithatë, z. Abbas ia doli që të detyrojë qeverinë e Izraelit që t'i heqë. E realizoi duke zhvendosur vëmendjen nga vrasja e policëve te nxitja e frikës së përndezjes së ndjenjave fetare me pasoja të rënda.
Kriza e Malit Tempull nënvizon me qartësi të jashtëzakonshme tre faktorë që shpjegojnë se pse një 80% i qendrueshëm palestinezësh besojnë se mund ta zhdukin shtetin hebre: doktrina islamike, ndihma ndërkombëtare dhe ndrojtja e Izraelit.
Islami vjen me bindjen se çdo tokë e cila ka qenë dikur nën pushtetin mysliman është një pronë që duhet të kthehet herët a vonë nën sundimin mysliman. Kjo ide është fuqizuese: kujtoni ëndrrën e Osama bin Ladenit për të ringjallur Andaluzinë dhe shpresat e Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan për të rifituar ndikimin në Ballkan. Palestinezët në mënyrë të qendrueshme deklarojnë bindjen e tyre se shteti i Izrelit do të rrëzohet brenda pak dekadave.
Një përplasje mbi Malin Tempull në mënyrë të veçantë e gjallëron këtë bindje sepse shkon shumë më larg se popullata lokale për të ndezur pasionet e shumë prej 1,6 miliardë myslimanëve të botës. Udhëheqësit dhe institucionet më të njohura myslimane e mbështetën gjerësisht qendrimin e Fatah për masat e sigurisë në Mlin Tempull. Zëra islamikë jashtë konsensusit pro-palestinez janë të rrallë. Palestinezët i gëzohen rolit të tyre si maja e një hushte gjigande.
Iluzionet e palestinezëve mund të gëzojnë një mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare. UNESCO miraton rregullisht rezoluta kritike që kanë në shënjestër Izraelin. Columbia University strehon diçka të quajtur Qendra për Studime të Palestinës. Koorporata të mëdha si Google dhe burime lajmesh si BBC sillen sikur ekziston vërtet një vend me emrin Palestinë. Ndihma nga jashtë ka krijuar një pseudo-ekonomi palestineze që në 2016 gëzoi një rritje fenomenale prej 4.1%.
Në krizën e Malit Tempull, qeveria amerikane, europianët dhe praktikisht të gjithë të tjerët u radhitën për të mbështetur kërkesën për heqjen e diktuesve të metaleve, bashkë me kamerat e teknologjisë së lartë apo çdo aparat që mund të parandalojë sulme xhihadiste. Kuarteti për Lindjen e Mesme i mirëpriti "garantimin nga kryeministri i Izraelit se status quo për vendet e shenjta në Jeruzalem do të ruhet dhe respektohet". Me këtë mbështetje pothuajse unanime, palestinezët e kanë të lehtë të paramendojnë se janë më të fuqishëm se shteti hebre.
Shërbimet e sigurisë së Izraelit në ndrojtje shmangim marrjen e masave që mund të nervozojnë palestinezët. Kjo politikë e botë nuk vjen nga ndonjë idealizëm me këmbët në ajër, po nga përshtypja tepër negative për palestinezët si trazovaçë të pandreqshëm. Në këtë kontekst, policia, agjensitë e zbulimit dhe ushtria bien dakord me gjithshka që mund të sjellë qetësimin e tyre, ndërsa hedhin poshtë propozimet që do t'ua ndërprisnin fondet palestinezëve, që do t'i ndëshkonin ata shumë më ashpërsisht apo që do t'ua kufizonin prerogativat e tyre të shumta.
Establishmenti i sigurisë në Izrael e di se Autoriteti Palestinez do të vazhdojë të nxisë dhe të lejojë vrasje ndërsa përpiqet që të çligjërojë dhe izolojë shtetin e Izraelit. Mirëpo, këto shërbime sigurimi në mënyrë emfatike preferojnë të bashkëjetojnë me këto sfida sesa të ndëshkojnë z.Abbas, t'ia zvogëlojnë pushtetin dhe të rrezikojnë një intifadë tjetër. Rrëzimi i Autoritetit Palestinez dhe një kthim nën qeverisjen e drejtpërdrejtë izraelite është një skenar i tmerrshëm që shërbimet e sigurisë duan ta shmangin. Z. Abbas e di këtë dhe fiaskoja e kësaj javë dëshmoi se ai nuk ka frikë ta shfrytëzojë frikën izraelite për të çuar apërpara ëndrrën e tij të dobësimit dhe një ditë zhdukjen e shtetit hebre.