Shënim i DP-it: Ky kapitull, bazuar në një fjalim të mbajtur në konferencë mbi anti-terrorizmin, të organizuar nga India Foundation, në shkurt të vitit 2016, u përshtat për publikim pa ndihmën time. Kam bërë disa ndryshime të vogla në tekst. Titulli origjinal: "Kalifati, Al Kaida dhe Xhihadi Global".
Një pyetje që bëhet shpesh është, "Çfarë duan xhihadistët (muxhahidinët)?" Përgjigja për çudi nuk është e qartë, pasi shumica e sulmeve nuk shoqërohet me kërkesa të qarta.
Sulmet e tmerrshme në Mumbai në nëntor të vitit 2008 dhe në Paris në nëntor të vitit 2015 u kryen nga skuadra vetëvrasëse, prej njerëz që qëllonin në masë. Në vende të tjera, ata kanë përdorur mitralozë, kanë prerë koka njerëzish, janë hedhur në erë, kanë rrëmbyer avionë etj. Pasi sulmuesit janë neutralizuar prej forcave të sigurisë, kryhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara dhe dedektivët përpiqen që të gjurmojnë identitetet e autorëve, për të zbuluar motivet e mundshme. Faqet interneti që qendrojnë në hije shfaqen shpesh me deklarata të pavërtetuara marrjesh përsipër të autorësisë, gjë që përsëri nuk i jep përgjigje pyetjes: "Çfarë duan xhihadistët?"
Motive për sulme xhihadiste
Pse mbeten të pashpjeguara motivet? Kaq kohë pas sulmeve kundër Shteteve të Bashkuara në 11 Shtator 2001, analistët ende ngrenë hipoteza për motivet e mundshme. Megjithatë, në vija të përgjithshme, mund të deklarojmë se ka dy kategori apo motive të përgjithshme për këto sulme.
E para është për të ndryshuar politika specifike të shtetit që vendoset në shënjestër. Si shembull të kësaj mund të përmendim synimin për tërheqjen e trupave nga Iraku dhe Afganistani, apo detyrimin e Riadit për të dëbuar trupat e huaja nga toka saudite. Ato gjithashtu mund të synojnë ushtrimin e presionit mbi qeveritë që të ndërpresin mbështetjen për Izraelin apo për ta detyruar Nju Delhin që të dorëzojë kontrollin mbi Kashmirin.
Kategoria e dytë është më e gjerë dhe synon dobësimin e jomyslimanëve në përgjithësi, sabotimin e ekonomisë së tyre, ngjalljen e frikës në mendjen e popullatës së tyre dhe përpjekjen për vendosjen e superioritetit mysliman. Mirëpo, të dyja kategoritë dëshmojnë për diçka akoma më të madhe. Xhihadistët kërkojnë të krijojnë një botë të dominuar nga myslimanët, Islami, Sherihati, dhe Kalifati.
Shohim se xhihadi merr dy forma, bazuar në fuqinë relative të popullatës myslimane në vend. Aty ku sundojnë jomyslimanët përpjekja është për të marrë në kontroll levat e pushtetit dhe për të qenë në fuqi. Synimi është rrëzimi i pushtetit të kafirit. Nuk ka përpjekje të drejtpërdrejtë për të konvertuar, por lufta është luftë për territor. Aty ku sundojnë myslimanët, synimi është zbatimi i plotë i Sherihatit në tërësinë e vet. Shpresa apo synimi përfundimtar është për një sundimtar të drejtë dhe besimtar që do t'i bënte myslimanët të fuqishëm dhe të pasur dhe që do t'u jepte fund përçarjeve mes tyre. Synimi përfundimtar për të dyja megjithatë mbetet nj kalifat global. Kalifi sundon mbi të gjithë popujt e botës dhe zbaton ligjin e Sherihatit në tërësinë e tij.
Histori e shkurtër
Pas vdekjes së Muhametit përçarje të thella u krijuan në Islam që mbeten edhe sot e kësaj dite. Në zemër të konfliktit ishte çështja se kush duhej të zinte vendin e profetit, në krye të komunitetit mysliman, që edhe tani i ndan Shiat nga Sunitët. Zëvendësuesit e Muhametit, megjithatë, udhëhoqën pushtimet e mëdha islamike për treqind vite në vijim. Kalifati ekzekutiv mbaroi në vitet 940 dhe ndonëse titulli vazhdoi të mbahej ai mbeti nominal. Kalifati i fundit abasid në Bagdad përfundoi në 1258 e.s., pas bastisjes së Bagdadit nga mongolët. Qysh gjatë gjysmës së vonë të sundimit abasid, pushtetarët myslimanë kishin filluar të përdornin tituj të tjerë, si sultan. Atatürku i dha fund kalifatit në 3 mars 1924, por ideja jetoi siç u pa në lëvizjen [indiane] Khilafat në 1919-26.
Artikulimet më të fundit të një kalifati, kanë qenë të Osama bin Laden, i cili dëshironte një "kalifat i përshpirtshëm [që] do të fillonte nga Afganistani". Zëvendësi i tij, Ayman al-Zawahiri, prediktonte një kalifat përmes të cilit "historia do të niste një kapitull të ri". Ndërsa sipas Fazlur Rehman Khalil, një tjetër udhëheqës i al-Kaidës: "Për shkak të bekimit të xhihadit, sahati i fundit ka filluar të bjerë për Amerikën. Do ta deklarojë shumë shpejt dështimin", gjë që do të pasohej nga një kalifat. Në 2005, al-Qaeda hapi radiostacionin Sawt al-Khalifa.
Kalifati
Prononcimet nga disa udhëheqës dhe një ndjenjë e përgjithshme mes popullatës dha një ndjesi se një kalifat mund të dalë në skenë. Në një takim në Hizb ut-Tahrir në Kopenhagë, imami i saj, Muziz Abdullah, mati me sy sallën e mbushur plot e përplot, me aq njerëz në këmbë sa mund të zinte. "Dhjet vjet më parë, kur fillova, ishte tërësisht e paimagjinueshme që të kishim një kalifat", deklaroi ai. "Por tani, njerëzit besojnë se do të ndodhë brenda pak vitesh". Fatih Alev, një imam në në Kopenhagë shtoi: "Tani për tani, një kalifat është tërësisht parëndësishëm. Por nesër, mund të duhet. Nuk do ta përjashtoja".
Fatih Alev, imami Qendrëz Islamike Daneze të Kopenhagës. |
Ka një ndjesi të afrimit të kalifatit edhe mes njerëzve të zakonshëm. Sipas Kerem Acar, një rrobaqepës në qendër të Stambollit: "Mbase nuk do të jetoj aq gjatë sa ta shoh dhe mbase as fëmijët e mi nuk do ta shohin, por një ditë, mbase fëmijët e fëmijëve të mi, do të shohin dikë që do ta deklarojë veten kalif, si papa dhe do të ketë ndikim të madh". Ertuğul Örel, një pronar kafeneje në Stamboll, shprehu shpresën e tij për një kalifat, por shtoi se nuk besonte që do të ndodhte: "Një kalifat do të thotë që do të ketë [vetëm] një zë", tha ai. "Por unë e di, as amerikanët dhe as europianët nuk do ta lejojnë ndonjëherë". Ali Bulaç, një autoritet turk mbi Islamin dhe Turqinë e tha fare copë: "Koncepti i kalifatit është mbajtur gjallë në kujtesën kolektive të shoqërisë".
Një pikëpamje pak e shumë e njëjtë është shprehur edhe nga Zeyno Baran, një ekspert mbi Hizb ut-Tahrir. "Disa vite më parë, njerëzit qeshën [me të]. Por tani që bin Laden, Zarqawi, & [të tjerë] po thonë se duan të rikrijojnë kalifatin, njerëzit po i marrin seriozisht". Posterat me shkronja të mëdha, me të kuqe të përndezur, që bëjnë thirrje për vendosjen e një Kalifati Islamik në Liban mund të shihen në shumë rrugë të Sidonit, të ngjitura në mure nga anëtarë të Hizb ut-Tahrir. Postera që bëjnë thirrje për "ringjalljen e shtetit të Kalifatit Islamik pasi armiqtë në Perëndimin keqdashës dhe dhe kolonialist e nënvleftësuan forcën tonë shpirtërore. Në vetëm sa do të shfaqemi më të fuqishëm me një shtet islamik".
Sipas James Brandon në "Christian Science Monitor": "Hizb ut-Tahrir premton një se një kalifat i ringjallur do t'i japë fund korrupsionit dhe do të sjellë begatii... Do t'u mundësojë myslimanëve të sfidojnë dhe në fund të mposhtin Perëndimin". Ai citon Abdullah Shakr, një anëtar jordanez të grupit: "Bota myslimane ka burime si nafta, por nuk ka udhëheqës që janë gati të sundojnë sipas ligjit islamik dhe të bëjnë këtë xhihad të cilit i trembet e gjithë bota". Shakr tregon se suksesi i kalifatit do të sjellë më shumë konvertime në Islam dhe do ta bëjë të gjithë botën myslimane. Megjithatë, rruga drejt kalifatit si trumbetohet nga Hizb ut-Tahrir është shkallë-shkallë dhe kryesisht paqësore. Ndërsa për al-Kaidën, ajo është e dhunshme dhe revolucionare.
Pikëpamjet jomyslimane
Përtej botës myslimane, kuptimi i saj kishte një tjetër rend. Në 2004, Dick Cheney duke folur për Osama bin Laden, tha qartësisht se "ata flasin për dëshirën për të rikthyer atë që mund t'i referoheni si një kalifat i shekullit të shtatë", që do të "qeverisej nga ligji i Sherihatit, interpretimi më i ngurtë i Kuranit", tha ai. Shumë të tjerë në administratën e George W. Bush ndoqën këtë vijë dhe në 2005, "The Daily Telegraph" lëshoi këmbanat e alarmit duke shkruar, "Fanatikë përqark botës po ëndërrojnë një kthim të Kalifit".
Dick Cheney e kuptonte kalifatin më mirë se shumë profesorë të studimeve islamike. |
Ideja dukej e pamundshme në atë kohë dhe e majta që urrente Bushin, përfshi edhe specialistët e Islamit (Kenneth M. Pollack, John L. Esposito, Shibley Telhami) e përqeshën të gjithë temën. Gazetari investigativ Robert Dreyfuss ishte tepër përbuzës i idesë së apiratës për një kalifat. Ai e përshkroi si "idiotike" nocionin se forcat islamiste dëshironin vendosjen e një kalifati nga Afrika Veriore në Azinë Juglindore. "Kjo është tërësisht pa kuptim", tha ai. "Çfarë po ndodh është se ata në administratë që kanë bërë këto lloj deklaratash i bazojnë ato në çfarë lexojnë në faqet e internetit të al-Kaidës dhe uebsajte të tjera xhihadiste". "Kërcënime të tilla", shtoi ai, "janë nga natyra fantazira dhe duhet të trajtohen si të tilla".
Një Kalifat ekziston
Kur një Kalifat u shfaq papritmas në 29 qershor, 2014, i shpallur nga një "Shtet Islamik" dhe i drejtuar nga Kalif Ibrahimi, njerëzit u shtangën. Njoftimi u shoqërua nga disa fitore spektakolare ushtarake, sidomos në Mosul, që i dhanë famë botërore. Grupe si Boko Haram iu përulën me respekt dhe efekti mes myslimanëve sunitë ishte elektrizues. Ndikimi potencial i shtetit islamik si Kalifat është se përforcon ëndrrën e të jetuarit nën një sundim të vetëm, në mbarë botën islame e përtej saj, duke frymëzuar të tjerët për të bërë të njëjtën gjë dhe duke radikalizuar lëvizjet islamiste.