Martin Sherman, drejtori ekzekutiv i Institutit të Izraelit për Studime Strategjike, i ka kushtuar kollonën e re, "Pse shteti palestinez përjashton fitoren e Izraeli", për të shqyrtuar dallimet midis tij dhe meje mbi diçka për të cilën në themel jemi dakord, synimin e fitores së Izraelit.
Kjo është ideja që "proçesi i paqes" është kthyer në një "proçes të luftës" dhe se zgjidhja e përballjes palestinezo-izraelite nuk qendron më në lëshime të dhimbshme nga ana e Izraelit por në të kundërtën, imponimin nga Izraeli të vullnetit të tij mbi armikun duke thyer ëndrrën palestineze për të eliminuar shtetin hebre. Ironikisht, humbja është gjëja më e mirë që mund t'u ndodhë palestinezëve, sepse i çliron ata nga fiksimi shkatërrimtar duke i lejuar që të fillojnë ndërtimin e pushtetit të tyre politik, ekonomisë, shoqërisë dhe kulturës.
Për ta çuar përpara këtë ide, Forumi i Lindjes së Mesme, organizata që drejtoj, ka punuar me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA për të themeluar Kaukusin Kongresional të Fitores së Izraelit (CIVC) për të lobuar presidentin. Sherman e ka përshëndetur CIVC-në si një "nismë e rëndësisë kritike me potencial të vërtetë për të përmbysur lojën".
Shpallja e Kaukusit Kongresional të Fitores së Izraelit, në 27 prill 2017. Nga e majta: Gregg Roman, E.J. Kimball, Bill Johnson, Daniel Pipes, Ron DeSantis, Gary Bauer. |
Mirëpo, siç e tregon edhe titulli i këtij artikulli, Sherman ka probleme me pikëpamjen time se "kur palestinezët të heqin dorë më në fund nga lufta kundër Izraelit, pozita qendrore e tyre në konflikt do të dobësojë anti-Zionizmin nga Maroku në Indonezi. ...Një humbje palestineze shënon fillimin e fundit të luftës më të gjerë arabe dhe myslimane kundër Izraelit".
Ai e hedh poshtë si "pa themel" argumentin armiqësia arabe dhe myslimane ndaj Izraelit përqendrohet "në çështjen e vetëvendosjes për arabët palestinezë". Për këtë ofron katër argumente:
1. Anti-Zionizmi ka ekzistuar shumë kohë përpara se palestinezët të bëheshin një problem qendror pas kapjes nga Izraeli të Bregut Perëndimor dhe Gazës në 1967. Përgjigjia ime: E vërtetë, sigurisht. Mirëpo, ndërsa presim 50-vjetorin e Luftës së Gjashtë Ditëve është e nevojshme të vëmë në dukje sesa shumë kanë ndryshuar qendrimet me kalimin e kohës. Asnjë qeveri arabe sot nuk bën thirrje për eliminimin e shtetit hebre; të gjitha janë të përqendruara te "Palestina". Ky është tashmë një ndryshim madhor të cilin një fitore e Izraelit do ta çimentojë edhe më tej.
2. Nuk mund të ndodhë kurrë që një "mikro-mini-shtetth..." i çmilitarizuar "... i krijuar si rezultat i një humbjeje turpëruese, do të shërbejë për të çaktivizuar çakërdisjen e gjerë judeofobike që vlon në mbarë botën arabo-myslimane sot". Përgjigjia ime: "Çakërdisja judeofobike" është një term i përshtatshëm për antisemitizmin që shihet gati kudo mes myslimanëve. Njëkohësisht, është për fat të mirë sipërfaqësor, i bazuar më pak në doktrinën islamike apo në histori, sesa në nevojat taktike për të luftuar Izraelin. Në rrethanat e duhura – që do të thotë, kur beteja të ketë mbaruar dhe palestinezët të jenë qetësuar–mund të bjerë.
3. Kush mes palestinezëve, pyet ai, "ka autorizimin për të nënshkruar një dokument dorëzimi që do të respektohet" me Izraelin? Përgjigjia ime: Humbja nuk ka nevojë për një firmë në një copë letër: A nënshkroi qeveria amerikane një dokument dorëzimi në Vietnam apo rusët në Afganistan? Akoma më e rëndësishme, humbja pasqyrohet në një ndryshim ndjenjash që përhapet nga poshtë lart. Vox populi, jo zyrtarët janë çelësi.
Si nuk do të përfundojë konflikti palestinezo-izraelit. Jugu i SHBA-së i dorëzohet Veriut në, Appomattox, në 1865. |
4. Duke vënë në dukje anketime që tregojnë se rreth 30 përqind e banorëve të Bregut Perëndimor dhe rreth 50 përqind e Gazanëve dëshirojnë të emigrojnë, Sherman përfundon se nuk do të jetë e vështirë që palestinezët të binden që të ikin. Përgjigjia ime: Edhe nëse i pranon këto shifra kaq të larta si të sakta, dy faktorë do ta bënin këtë projekt të joefikas: presioni shoqëror/kërcënimet e dhunës dhe asnjë qeveri në botë nuk do të pranonte që të absorbonte palestinezët. Në parim, udhëheqësit arabë dhe myslimanë nuk do të pranonin në vendet e tyre palestinezë; pjesa tjetër e botës ka prirjen që të refuzojë emigrantët pa zanate që lënë pas histori të dhunshme. Prandaj, "paradigma e emigracionit të financuar" e Shermanit nuk mund të jetë qendrore në Projektin e Fitores së Izraelit.
Së fundi, lënia e derës hapur për një shtet palestinez ka një përfitim tjetër në Shtetet e Bashkuara. Sherman e pranon se ideja e një fitoreje izraelite dhe e humbjes palestineze është "e guximshme", madje "revolucionare". Mirëpo, për disa është shokuese; për shembull J-Street e quan atë "mesjetare" dhe "vërtet tmerruese". Kështu që për ta bërë Fitoren e Izraelit tërheqëse për një shtresë shumë më të gjerë amerikanësh, do të preferoja që ta bëja më të përtypshëm si propozim. Dhe kjo do të thotë përfshirjen e mundësisë – kur lufta të ketë mbaruar me të vërtetë – për një shtet palestinez. Nxitoj të shtoj se ky nuk është një projekt imediat, sepse që të relizohet duhet që konflikti të mbarojë me të vërtetë, diçka që mund të jetë dekada larg. Mirëpo, ky opsion është më i shëndetshmi.
E falenderoj Martin Sherman për fuqizues dhe e këshilloj që ta mbyllim këtu.