Triumfi ushtarak i Izraelit ndaj tre shteteve armike, në qershor 1967, është lufta më jashtëzakonisht e suksesshme në historinë e shënuar. Lufta Gjashtëditëshe ishte gjithashtu me pasoja të mëdh për Lindjen e Mesme, duke çimentuar përhershmërinë e shtetit hebre, duke i dhënë një goditje vdekjeprurëse nacionalizmit mbarë-arab, dhe (ironikisht) duke përkeqësuar vendin e Izraelit në botë përshkak të pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemit.
Simboli i fitores: Moshe Dayan (me shirit mbi sy) në Murin Perëndimor, në Jeruzalem. |
Duke u përqendruar në këtë pikën e fundit: si ka mundësi që një fitore spektakolare në fushëbetejë solli problemet që torturojnë Izraelin edhe sot e kësaj dite? Sepse i ngeci izraelitët në një rol që nuk e donin dhe të cilit nuk i shpëtojnë dot.
Së pari, majtistët izraelitë dhe bamirës të huaj gabimisht fajësojnë qeverinë e Izraelit se nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të ikur nga Bregu Perëndimor, a thua se përpjekje më të mëdha do të kishin gjetur një partner të vërtetë për paqen. Këtu, kritikët injorojnë rexheksionizmin, apo e thënë ndryshe këmbëngulja për të hedhur poshtë çdo gjë zioniste që ka mbizotëruar politikën palestinexe për gati një shekull. Figura themeluese e rrymës, Amin al-Husseini, bashkëpunoi me Hitlerin dhe madje kishte një rol kyç në formulimin e Zgjidhjes Finale; shembuj të kohëve të fundit përfshijnë "anti-normalizimi" dhe lëvizja BDS e bojkotimit, dinvestimit, dhe sanksioneve. Rexheksionizmi i bën lëshimet e Izraelit të pavlefshme, madje të dëmshme, sepse palestinezët iu përgjigjen me akoma më shumë armiqësi dhe dhunë.
Së dyti, Izraeli përballet me një dilemë të madhe gjeografike dhe demografike në Bregun Perëndimor. Ndërsa strategjistët e tij duan që të kontrollojnë majat më të larta, nacionalistët e tij duan të ndërtojnë qytete, dhe fetarët duan të marrin nën zotërim vendet e shenjta judaike, sundimi i vazhduar i Izraelit mbi popullatën 1,7 milionëshe të Bregut Perëndimor, me shumicë arabishtfolëse palestineze myslimane me qendrime armiqësore, ka ardhur me një çmim shumë të shtrenjtë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Plane të ndryshme për ta mbajtur tokën duke shuar armiqësinë e popullatës banuese – duke i integruar, duke i blerë, duke i përçarë, duke i dëbuar, apo duke gjetur dikë tjetër që t'i sundojë – nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Izraelitët e zgjeruan shumë Jeruzalemin (hapësira me vija) duke e bashkuar. |
Së treti, izraelitët në 1967 ndërmorën tri hapa të njëanshme, në Jeruzalem, që mbetën si bomba me sahat për të ardhmen: zgjeruan shumë kufijtë e qytetit, e aneksuan, dhe u dhanë nënshtetësinë izraelite banorëve të rinj arabë të qytetit. Të gërshetuara, këto sollën një garë afatgjatë demografike dhe strehimi, të cilën palestinezët po e fitojnë, duke cënuar identitetin hebre të kryeqytetit historik të hebrejve. Akoma më keq, 300,000 arabë mund të vendosin në çdo moment që të bëhen edhe ata nënshtetas të Izraelit.
Këto problem ngrenë pyetjen: Po t'i kishin paramenduar udhëheqësit izraelitë këto probleme, çfarë do të kishin bërë ndryshe në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalem? Ata mund të kishin:
- Kthyer luftën kundër rexheksionizmit në përparësinë e tyre kryesore, nëpërmjet censurës së pandërprerë në çdo aspekt të jetës në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalem, me ndëshkime të rënda për nxitje, dhe një përpjekje intensive për të mbrujtur një qendrim më pozitiv ndaj Izraelit.
- Ftuar kthimin e autoriteteve jordaneze, sundues të Bregut Perëndimor që prej 1949, që të qeverisnin punët e brendshme të kësaj zone (por jot ë Jeruzalemit), duke lënë Forcat e Mbrojtjes Izraeite vetëm me detyrën për të mbrojtur kufijtë dhe popullatat hebreje.
- Zgjeruar kufijtë e Jeruzalemit vetëm deri në Qytetin e Vjetër dhe në hapësirat e pabanuara.
- Menduar më me kujdes pasojat e ndërtimit të qyteteve hebreje në Bregun Perëndimor.
Po sot, çfarë mund të bëjnë izraelitët? Çështja e Jeruzalemit është relativisht e lehtë, sepse shumica e e banorëve arabë nuk e kanë marrë ende nënshtetësinë izraelite, kështu që qeveria e Izraelit ende mundet që ta ndalojë këtë proces, duke zvogëluar territorin e Jeruzalemit sipas kufijve të 1967-s dhe të anulojë ofertën për nënshtetësinë izraelite për të gjithë banorët e qytetit. Ndonëse mund të sjellë trazira, ndëshkimi i ndërtimeve pa leje është e domosdoshme.
Ndërtime të paligjshme në "kampin e refugjatëve" në Shuafat, i ndodhur brenda kufijve të Jeruzalemit të 1967-s. |
Puna e Bregut Perëndimo është më e vështirë. Sa kohë që mbizotëron rexheksionizmi palestinez, Izraeli i ka mbetur në dorë që të mbikqyrë një popullatë armiqësore të cilën nuk guxon ta lëshojë nga kontrolli përfundimisht. Kjo gjendje prodhon një debat vicioz dhe pasionant ndërmjet izraelitëve (kujtoni vrasjen e Rabinit) dhe e dëmton imazhin ndërkombëtar të vendit (kujtoni Rezolutën 2334 të Këshillit të Sigurimit në OKB). Mirëpo, një kthim në "linjat e Aushvicit" të 1949-s dhe braktisja e 400,000 banorëve izraelitë të Bregut Perëndimor në mëshirën e ditur të Palestinezëve qartësisht nuk mund të jetë zgjidhje.
Në vend të kësaj, Izrael duhet të sfidojë dhe nënminojë rexheksionizmin palestinez, që do të thotë të bindë palestinezët se Izraeli është do të jetë përgjithmonë aty si shtet dhe se ëndrra për ta eliminuar është e kotë, si dhe po të tilla janë sakrificat e tyre. Izraeli mund t'i arrijë këto qëllime duke e bërë fitoren synimin e tij kryesor, duke u treguar palestinezëve se vazhdimi i rexheksionizmit do të sjellë vetëm shtypje dhe dështim. Qeveria e SHBA-së mund të ndihmojë duke i hapur dritën e gjelbër rrugës drejt një fitoreje të Izraelit.
Vetëm nëpërmes fitores është e mundshme që triumfi habitës i atyre gjashtë ditëve në 1967 të përkthehet në një zgjidhje afatgjatë me palestinezët që pranojnë që shteti hebre do të jetë aty sot e mot.