Pyetje: Udhëtimi i parë jashtë shtetit i Presidentit Trump - përpara Izraelit dhe Vatikanit – do të jetë në Arabinë Saudite. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë zgjedhje të habitshme?
Përgjigje: Gjithshka që bën Donald Trump të habit, duke filluar që nga shpallja, dy vjet më parë, e kandidaturës për president e deri më tani. Ky udhëtim është pjesë e një konteksti shumë më të gjerë. Nuk ka ngjarë asnjëherë më parë që një president të mos e bëjë vizitën e tij të parë në një vend të Amerikës Qendrore, Veriore apo të Europës Perëndimore. Pse Trumpi po ia bën këtë nder Arabisë Saudite? Ma merr mendja se ajo çfarë dëshiron të bëjë, është të shlyejë namin që i ka dalë si anti-musliman dhe të nxisë qeveritë kundër Teheranit.
Roundi i parë i takimeve diplomatike të Trumpit me mbretërinë saudite filloi më 14 mars në Uashington me princin saudit Mohammad bin Salman. |
Pyetje: Pse amerikanët e shohin Riadin si më pak të rrezikshëm se Teheranin, ndonëse qeveria saudite ka investuar fonde të panumërta për përhapjen e versionit wahabist të islamit, duke forcuar në këtë mënyrë islamizmin dhe xhihadizmin?
Përgjigje: Përgjigja është e thjeshtë: Teherani është tërësisht antagonist, kurse Riadi luan një lojë më të ndërlikuar, atë të bashkëpunimit me Uashingtonin në planin politiko-ushtarak ndërkohë që në planin edukativo-fetar, vazhdon t'i paraqesë si armiq qoftë të krishterët qoftë hebrejtë.
Pyetje: Që prej vitit 1979, Republika Islamike e Iranit ka eksportuar ekstremizëm dhe terrorizëm duke vënë në shënjestër në mënyrë të veçantë amerikanë dhe hebrej. Aktualisht ajo po lufton në Liban, Siri, Irak dhe Jemen. A e shihni fuqinë e Iranit si diçka vazhdimisht në rritje?
Përgjigje: Jo. Irani për momentin po përfiton nga një qeverisje e stabilizuar prej gati dy dekadash, nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) si dhe nga turbullirat në vendet ku flitet gjuha arabe. Por e gjithë kjo mund të ndryshojë shumë shpejt, duke e lënë Republikën Islamike të Iranit mjaft të dobësuar.
Pyetje: Kriza në Siri u dha rusëve një mundësi për t'u kthyer në Lindjen e Mesme, e megjithatë presidenti Trump ka deklaruar se Vladimir Putini është një partner i mundshëm. A jeni dhe ju i këtij mendimi?
Përgjigje: Jo, nuk jam. Qëllimi kryesor i politikës së jashtme të Putinit është të fitojë pushtet dhe prestigj në kurriz të Shteteve të Bashkuara, e si rrjedhim ai nuk mund të jetë partner.
Presidentit të Rusisë, Putin dhe atij të Iranit, Rouhani u shkon buza vesh më vesh sa herë takohen. |
Pyetje: Forcat reaksionare dhe ato që kanë potencial të bëhen totalitariane, si qeveritë e Kinës, Rusisë, Iranit, Turqisë dhe Venezuelës, duket sikur po përfitojnë në kurriz të rendit liberal demokratik. A jeni i këtij mendimi?
Përgjigje: Po. Rendi liberal demokratik arriti kulmin e tij në vitin 1991 me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe që nga ai moment ka qenë në rënie të vazhdueshme. Një pjesë të fajit për këtë rënie e ka udhëheqja e dobët e vendeve perëndimorëve, kurse pjesën tjetër e kanë zgjedhjet e këqija politike që i kanë joshur gjithnjë vendet jo-perëndimore.
Pyetje: Gjatë fushatës së tij elektorale, Donald Trump përdori sloganin "Amerika përpara të gjithash", në dukje kjo një tërheqje xheksoniane nga problemet e botës. Gjithsesi, si president ai i ka braktisur shumë nga këto qendrime të tij. A do të vazhdojë qeveria amerikane të mbajë qendrimet e saj tradicionale të pas 1945-ës?
Përgjigje: Trumpi ka ndërruar mendje lidhur me një numër të madh premtimesh të bëra gjatë fushatës elektorale. Kjo shpjegohet lehtë. Përpara se të bëhej president, mendimet që kishte ishin të thjeshtëzuara, kurse më pas iu desh të mësonte mbi kompleksitetin dhe realitetin e botës. Për fat të mirë, nuk i është përmbajtur injorancës së tij të mëparshme, por ka treguar gadishmëri për të përvetësuar njohuritë e reja. Kështu që, po, mendoj se do t'i përmbahet diçkaje të ngjashme me politikat tradicionale [amerikane] të ndjekura nga viti '45 e tutje.
Pyetje: Në artikullin tuaj të janarit "Një strategji e re për fitoren e Izraelit", keni shkruar që "kur një numër i mjaftueshëm palestinezësh të heqë dorë nga ëndrra për të asgjesuar Izraelin, atëherë do të bëjë dhe lëshimet e nevojshme për t'i dhënë fund konfliktit. Për t'i dhënë fund konfliktit, Izraeli duhet të bindë 50 përqind a më shumë palestinezë që kanë humbur." Por Daniel Polisari i Shalem College në Jeruzalem gjatë një shqyrtimi të kohëve të fundit të qindra sondazheve palestineze, ka gjetur që shumica e palestinezëve refuzojnë një shtet palestinez përkrah Izraelit, në raportin 3 me 1. Cili është komenti juaj lidhur me këto të dhëna?
Përgjigje: Polisari ka gjetur që 25, 30 dhe 32 përqind e palestinezëve janë të gatshëm të jetojnë përkrah një shteti hebre; këto numra e kalojnë paksa shifrën prej 20 përqind të llogaritur prej meje, të palestinezëve që janë gati të pranojnë egzistencën e Izraelit. Atëherë, (1) llogaritë e tij janë shumë më optimiste se të miat dhe (2) na pret një punë e madhe që të arrijmë t'i kthejmë këto përqindje të ulëta në shumicë.
Pyetje: Shumë vëzhgues e shohin qendrimin e Trumpit ndaj Izraelit si më të favorshëm se ai i Obamës. A jeni i këtij mendimi?
Përgjigje: Trumpi është duke mësuar në punë e sipër dhe nuk kemi asnjë ide se ku do e çojë tërësia e gjërave që po mëson. Skenarët që mund të imagjinohen variojnë nga më miqësorët tek më armiqësorët kundrejt Izraelit, përfshirë këtu dhe gjithshka që është në mes. Nëse duhet të bëj një parashikim, personalisht pres një qendrim armiqësr të moderuar, sepse egomaniakët janë të prirur të mbeten më të kënaqur kur vizitojnë Riadin dhe Dubain sesa Jeruzalemin dhe Tel Avivin.
Pyetje: Statuti i ndrequr i Hamasit thotë që e gjithë Palestina i takon Ummës muslimane, duke na kujtuar kështu refuzimin islamist që i bëhet Izraelit dhe politikën konseguente rexheksioniste arabe dhe islamike ndaj shtetit të Izraelit. Nëse konflikti arabo-izraelit ka qenë që në fillim një luftë fetare, kjo gjë e bën veçanërisht të vështirë zgjidhjen e tij. A jeni i këtij mendimi?
Përgjigje: Po, jam. Ndonëse kryesisht i fshehur, themeli fetar i konfliktit arabo-izraelit ka qenë gjithnjë kyç. Fakti që hebrejtë historikisht nuk kanë patur pushtet, e bën krijimin e Izraelit diçka akoma më të hidhur dhe të papëlqyeshme. Fakti që sionistët e blenë tokën për të ndërtuar Izraelin dhe nuk vodhën Palestinën, i bën gjërat edhe më poshtëruese.
Pyetje: Islami është në thelb të tij një sistem si politik ashtu dhe teologjik. Sa është e logjikshme të presësh që një sistem i tillë t'i përshtatet vlerave perëndimore pa shkatërruar logjikën e tij të brendshme? Me fjalë të tjera, a nuk është xhihadizmi i pashmangshëm?
Përgjigje: Jo, nuk është. Të gjitha fetë, në të vërtetë të gjitha krijimet e njerëzimit, ndryshojnë me kalimin e kohës. Krishtërimi dhe Judaizmi pak shekuj më parë ishin shumë ndryshe nga mënyra se si paraqiten sot. Islami ka ndryshuar në shumë drejtime gjatë gjysëm shekullit të fundit. Në një situatë të tillë, nuk ka asnjë arsye të mos mendosh që Islami do të vazhdojë të ndryshojë; le të shpresojmë pra që ai do të modernizohet dhe që xhihadizmi do të zhduket.