Më 27 janar, 2017 Donald Trumpi nxorri një urdhër ekzekutiv ku kërkohej të futeshin proçedurave rrënjësisht të reja lidhur me mënyrën se si do të trajtohen të huajt që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Duke u bazuar në një nocion më të hershëm të tij të "zhbirimit të skajshëm", urdhri në fjalë shpjegon
se për të mbrojtur amerikanët, Shtetet e Bashkuara duhet të garantojnë që ata që lejohen të futen në këtë vend nuk mbajnë qendrim armiqësor as ndaj tij dhe as ndaj parimeve bazë të tij. Shtetet e Bashkuara nuk mund dhe nuk duhet të lejojnë futjen e atyre që nuk e mbështesin Kushtetutën si dhe të atyre që preferojnë të vënë ideologjitë e tyre të dhunshme mbi ligjin amerikan. Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë futjen e atyre që përfshihen në akte fanatizmi apo urrejtjeje (si vrasje "për çështje nderi" dhe forma të tjera të dhunës kundër grave, si dhe persekutim të atyre që i përkasin një besimi tjetër, të ndryshëm nga i tyri) apo të personave që do të nënshtronin amerikanët e çfarëdolloj race, gjinie apo orientimi seksual.
Donald Trump duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv në Pentagon më 27 janar, 2017. |
Ky pasazh ngre një seri pyetjesh lidhur me mënyrën se si do të zbatohet në praktikë zhbirimi: Si t'i dallosh të huajt që "nuk mbajnë qendrim armiqësor as ndaj tij [vendit] dhe as ndaj parimeve bazë të tij" nga ata që mbajnë qendrim armiqësor? Si do të arrijnë zyrtarët e qeverisë të kuptojnë se cilët janë ata "që do të vinin ideologjitë e tyre të dhunshme mbi ligjin amerikan"? E thënë në mënyrë më specifike, duke e patur të qartë që proçedurat e reja kanë të bëjnë thuajse në mënyrë ekskluzive me frikën se mos lejohen të hyjnë islamistë në vend, si të identifikohen ata?
Më poshtë do të argumentoj që këto synime janë të realizueshme dhe urdhri ekzekutiv në fjalë siguron bazën për arritjen e tyre. Por nga ana tjetër, diçka e tillë kushton shumë dhe kërkon shumë kohë dhe aftësi. Mbajtja jashtë e islamistëve mund të realizohet, por jo lehtë.
Sfida
Me islamistë (në dallim nga muslimanët e moderuar), nënkuptoj ata afro 10-15 përqind të muslimanëve që kërkojnë zbatimin e plotë të ligjit islamik të Sharias. Ata duan të zbatojnë një kod mesjetar i cili kërkon (mes shumë të tjerash) kufizimin e lirisë së gruas, nënshtrimin e jo-muslimanëve, xhihadin e dhunshëm si dhe vendosjen e kalifatit për të sunduar botën.
Për shumë jo-muslimanë, ngritja e islamizmit, gjatë dyzet viteve të fundit e ka kthyer islamin në sinonim të ekstremizmit, turbullirave, agresionit dhe dhunës. Por problemi i vërtetë janë islamistët dhe jo të gjithë muslimanët; ata, dhe jo të gjithë muslimanët, duhet të përjashtohen me forcë si nga Shtetet e Bashkuara ashtu dhe nga vendet e tjera perëndimore. Jo vetëm kaq, por muslimanët anti-islamistë janë çelësi për t'i dhënë fund valës islamiste, sepse vetëm ata mund të ofrojnë një alternativë humane dhe moderne ndaj obskurantizmit musliman.
Identifikimi i islamistëve nuk është diçka e lehtë, pasi nuk ka asnjë provë lakmusi për diçka të tillë. Mënyra e të veshurit mund të jetë çorientuese, duke qenë se disa gra janë anti-islamiste ndonëse veshin hixhab, ndërsa praktikantë muslimanë fare mirë mund të jenë zionistë. As profesioni nuk është ndonjë tregues i madh; disa inxhinierë që merren me teknologjinë e avancuar janë islamistë të dhunshëm. Po kështu, mjekra, mospirja e alkoolit, falja pesë herë në ditë apo të paturit më shumë se një grua nuk tregojnë asgjë lidhur me pikëpamjet politike të një muslimani. Për t'i komplikuar edhe më shumë gjërat, islamistët shpesh shtiren se janë të moderuar, sikurse ka besimtarë që me kalimin e kohës i ndryshojnë pikëpamjet e tyre.
Së fundi, nuancat kuptimore e bëjnë edhe më të ngatërruar çështjen. Siç vë re Robert Satloff i "The Washington Institute", një libër i 2007-ës me titull "Kush flet për Islamin? Çfarë mendojnë në të vërtetë një miliardë muslimanë?" botuar nga Gallupi, bazuar në një sondazh ku përfshihen 50,000 muslimanë nga 10 vende, nxorri që 7 përqind e muslimanëve i quajnë sulmet e 11 shtatorit "tërësisht të justifikuara", 13.5 përqind i konsiderojnë sulmet në fjalë tërësisht ose "gjerësisht të justifikuara" dhe 36.6 përqind tërësisht, gjerësisht ose "njëfarësoj të justifikuara". Cili nga këto grupe mund të cilësohet si islamist dhe cili jo? Të përballur me sfida të tilla intelektuale, nuk është për t'u habitur që burokratët amerikanë janë treguar të paaftë, siç kam treguar dhe në një blog të gjatë timin me titull "Një histori dështimesh e qeverisë amerikane në kapjen e islamistëve". Islamistët i kanë hedhur hi syve Shtëpisë së Bardhë, Departamenteve të Mbrojtjes, të Drejtësisë, të Shtetit dhe të Thesarit, Kongresit, shërbimeve policore dhe një numri të madh komunash. Le ta ilustrojmë me disa shembuj:
- Në vitin 2001 Pentagoni ftoi për drekë Anwar al-Awlaki-n, amerikanin islamist të cilin më vonë do ta egzekutonte nëpërmjet një predhe të lëshuar nga një avion i telekomanduar.
Në vitin 2001, Pentagoni ftoi Anwar al-Awlaki-in për drekë. Në vitin 2011 e vrau nëpërmjet një goditjeje me predhë nga një avion i telekomanduar. |
- Në vitin 2002, zëdhënësi i FBI-së Bill Carter e përshkroi Këshillin Musliman Amerikan (American Muslim Council, AMC) si grupin musliman më brenda normave në Shtetet e Bashkuara" – vetëm dy vjet më vonë FBI-ja arrestoi themeluesin dhe kryetarin e AMC-së, Abdurahman Alamoudi, me akuza që kishin të bënin me terrorizëm. Alamoudi ka kryer gati gjysmën e dënimit me 23 vjet burgim.
- Duket e pabesueshme, por në vitin 2003, George W. Bush emëroi kripto-islamistin Khaled Abou El Fadl në Komisionin e Shteteve të Bashkuara mbi Lirinë Ndërkombtare të Fesë.
- Në vitin 2015, Shtëpia e Bardhë gjatë konsultave kishte të pranishëm personel nga Këshilli për Lidhjet Amerikano-Islamike (Council on American-Islamic Relations - CAIR), pavarësisht se CAIR ishte financuar fillimisht nga një organizatë e cilësuar terroriste, pavarësisht nga arrestimet apo deportimet e shpeshta të punonjësve të saj nën akuza terrorizmi, pavarësisht se kishte një histori të gjatë mashtrimesh si dhe synimit të njërit prej udhëheqësve të saj që ta bënte islamin fenë e vetme të pranueshme në Amerikë.
Të gjoja-moderuarit më kanë hedhur hi syve edhe mua, pavarësisht nga vëmendja e madhe që i kam kushtuar kësaj çështjeje në vite. Në vitin 2000, e pata mburrur librin e Tariq Ramadan-it; katër vjet më vonë, kam argumentuar pse ai duhet të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2003, kam dënuar një operativ republikan me emrin Kamal Nawash; dy vite më vonë, e kam mbështetur. Evoluan ata apo ndryshoi mënyra se si unë vetë i perceptoj ata? Më shumë se dhjetë vjet më vonë, ende vazhdoj të pyes veten.
Standarde të njësuara të Kontrollit
Duke iu rikthyer çështjes së emigracionit, kjo gjendje konfuzioni nxjerr në pah nevojën për të mësuar më shumë për emigrantët dhe ata që duan të vizitojnë [Shtetet e Bashkuara]. Për fat të mirë, urdhri ekzekutiv i Trump-it, "Mbrojtja e Kombit nga Hyrja e Terroristëve të Huaj në Shtetet e Bashkuara", e nënshkruar më 27 janar, 2017, kërkon vetëm këtë gjë. Në atë urdhër kërkohet të vendosen "Norma Kontrolli të Njësuara" të cilat kanë për qëllim që të ndalojnë individët që duan të futen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës "nëpërmjet mashtrimit me qëllim që të shkaktojnë dëme, apo ata që rrezikojnë të sjellin dëme mbas pranimit" [në territorin e Shteteve të Bashkuara]. Urdhri ekzekutiv kërkon gjithashtu që proçedura dhe normat e kontrollit të njësuara të përfshijnë elementë të tillë si (theksimi i fjalëve është bërë nga unë):
1. Marrje në pyetje e personalizuar;
2. Një regjistër që përmban të dhënat e dokumentave të identifikimit të paraqitura nga aplikantët, me qëllim që të sigurohet që kopjet e dokumentave origjinalë të mos përdoren nga aplikantë të ndryshëm.
3. Formularë aplikimi të modifikuar ku përfshihen pyetje që kanë si synim identifikimin e përgjigjeve mashtruese apo të qëllimeve dashakeqe.
4. Një mekanizëm që të sigurojë që aplikanti në fjalë është vërtet ai ose ajo që pretendon se është.
5. Një proçes që vlerëson gjasat që aplikanti të bëhet dikush që do të japë një kontribut pozitiv në shoqëri si dhe aftësinë e aplikantit për të kontribuar në interes të kombit; si dhe
6. Një mekanizëm që arrin të vlerësojë nëse aplikanti ka ndërmend ose jo të kryejë akte terroriste apo kriminale pasi të futet në Shtetet e Bashkuara.
Elementët 1, 3, 5 dhe 6 autorizojnë dhe kërkojnë zbatimin e proçedurës së përshkruar nga analiza në vijim. Ajo përmban dy komponentë kryesorë, hulumtimin në thellësi dhe marrje intensive në pyetje.
Kur dikush bën kërkesë për një çertifikatë sigurie, të gjitha kontrollet për preçedentë penalë të kryera për këtë qëllim duhet të përfshjnë mbledhjen e informacionit dhe për familjarët, miqtë, për lidhjet me njerëz apo organizata të ndryshme, për punën që kryen, anëtarësitë dhe veprimtaritë me të cilat merret. Agjentët duhet të rrëmojnë për të parë nëse ka deklarata, lidhje apo veprime të diskutueshme si dhe anomali dhe mospërputhje. Kur ata gjejnë diçka të dyshimtë, duhet të vazhdojnë të shqyrtojnë më tej, gjithnjë duke bërë sytë katër ndaj rasteve shqetësuese. A është futja në brendësi të sekreteve qeveritare më e rëndësishme se futja në territorin e një vendi të caktuar? Proçedurat për emigracion duhet të nisin me një hetim të kandidatit për emigrant dhe si në rastin e çertifikatave të sigurisë, shërbimet në kufi duhet të hapin sytë për raste problematike.
Gjithashtu, sikurse me çertifikatën e sigurisë, proçesi i lartpërmendur duhet të ketë dhe një dimension politik: A ka individi në fjalë një botëkuptim konsekuent me kushtetutën? Jo shumë kohë më parë, vetëm figurat publike si intelektualët, aktivistët dhe personalitetet fetare i bënin publike pikëpamjet e tyre; por tani, në sajë të internetit dhe ftesës së hapur që ai i bën çdokujt për të komentuar me shkrim apo nëpërmjet filmimit në mënyrë publike dhe të përhershme dhe veçanërisht në mediat sociale (Facebook, Twitter, etj.), shumica e atyre që kanë pikëpamje të forta, në një moment të caktuar i shpalosin ato. Të dhëna të tilla ofrojnë pikëpamje të pafiltruara me vlerë mbi shumë tema kritike, si islami, jo-muslimanët, gratë dhe dhuna si taktikë. (Shfrytëzimi i një burimi të tillë (informacioni) duket si diçka që merret lehtë me mend, por autoritetet e emigracionit në Shtetet e Bashkuara nuk kanë vepruar kështu, duke i imponuar vetes një lloj vetë-përmbajtjeje që në vija të trasha ngjan me zgjedhjen e bërë nga policia belge për të mos organizuar kontrolle e bastisje nga ora 9 e mbrëmjes deri në orën 5 të mëngjezit.
Shumica e njerëzve që kanë pikëpamje të forta në një moment të caktuar i shpalosin ato në mediat sociale. |
Në rastin e xhihadistëve që vjellin helm hapur dhe pa dorashka, një hulumtim i kësaj natyre mjafton për të shtënë në dorë provat që nevojiten për përjashtimin e tyre. Madje edhe disa islamistë jo të dhunshëm e deklarojnë me krenari që nuk janë të moderuar. Por shumë islamistë përdorin tone të më të buta dhe më indirekte, më synimin që të duken më të moderuar në mënyrë që të arrijnë të futen në vend dhe më pas të imponojnë Sharian me mjete të ligjshme. Siç dëshmojnë disa nga shembujt më lart, si Abou El Fadl ose CAIR, në të tilla raste, hulumtimi shpesh nuk rezulton të jetë mënyra më e përshtatshme, pasi islamistët e kujdesshëm i fshehin qëllimet e tyre dhe arrijnë ta luajnë pjesën me lehtësi. Gjë që na çon drejt nevojës së intervistës hyrëse.
Ndoshta inspektori Jacques Clouseau ka punuar vërtet për policinë belge. |
Intervistat hyrëse
Duke supozuar që islamistët e ligjshëm i fshehin rregullisht pikëpamjet e tyre të vërteta, lind nevoja e një interviste e cila duhet të kryhet përpara se ata të lejohen të hyjnë në vend. Natyrisht, kjo është një intervistë e vullnetshme, duke qenë se askush nuk detyrohet të bëjë kërkesë për imigracion, por është gjithashtu një intervistë e hollësishme dhe që i shkon gjërave në thellësi. Ajo duhet:
Të regjistrohet: Me lejen e dhënë qartazi nga personi të cilit i është bërë pyetja (E keni të qartë dhe jeni dakort që kjo intervistë të regjistrohet, apo jo?") shkëmbimi duhet të videoregjistrohet qartë që proçedura të jetë e regjistruar në mënyrë të tillë që të mos lejë vend për dyshim. Kjo gjithashtu vë në dispozicion për studim të mëtejshëm, fjalët, tonin e zërit, mënyrën e të folurit, shprehjet e fytyrës si dhe gjuhën e trupit të të intervistuarit. Forma si dhe përmbajtja ka rëndësi: A buzëqesh i intervistuari, a bën lëvizje nga nervozizmi, a dridhet, a të shikon në sy, përsërit, djersitet, lodhet, ka nevojë të shkojë shpesh në banjo ose shprehet në mënyra të tjera jo-verbale?
Poligrafi: Edhe nëse një detektor gënjeshtrash nuk na siguron në fakt ndonjë informacion të dobishëm, ta vësh të intervistuarin të dëshmojë në poligraf mund të sjellë si rezultat nxjerrjen në pah të më shumë të vërtetave.
Nën betim: Të qenit në dijeni të faktit që mashtrimet do të ndëshkohen, ndoshta me burgim, shërben si nxitje e fortë për të mos fshehur gjë.
Bërja publike: Nëse kandidati është në dijeni që përgjigjet e tij ndaj pyetjeve të një natyre më abstrakte (në dallim nga ato personale mbi jetën e tij private) do të bëhen publike, atëherë gjasat për mashtrim zvogëlohen. Për shembull, i pyetur nëse beson në zbatimin e plotë të ligjeve islamike, ka më pak gjasa që një islamist të japë një përgjigje mashtruese negative, kur e di që përgjigja e tij do të mund të shihet dhe nga njerëz të tjerë.
Shumfishmëria: Asnjë pyetje e vetme nuk do të nxirrte në pah një përgjigje e cila të tregonte prirjen e një islamisti; një intervistë efikase përmban një batare pyetjesh mbi argumente të ndryshme që nga homoseksualiteti tek kalifati. është e nevojshme që përgjigjet të analizohen në gjithë tërësinë e tyre.
Specifikimi: Pyetje që i bien larg e larg si ato të tipit "A është islami nje fe e paqes?", "A e dënoni terrorizmin?", "Si reagoni ju ndaj vrasjes së të pafajshëmve?" varen shumë nga kuptimi që njëri apo tjetri i jep fjalëve paqe, terrorizëm dhe të pafajshëm për të qenë në gjendje të kuptosh cili është botëkuptimi i dikujt dhe si të tilla duhen shmangur. Pyetjet duhet të jenë të fokusuara mirë dhe saktë: "A mund të lejohen muslimanët të heqin dorë nga islami dhe të konvertohen duke u bërë besimtarë të një feje tjetër apo ateistë?" "A e ka një musliman të drejtën të heqë dorë nga islami?"
Larmia në formulim: Që pyetjet të nxjerrin në pah të vërtetën duhet treguar vëmendje që të kapen shmangie dhe mospërputhje duke hartuar të njëjtën pyetje me fjalë të ndryshme dhe duke vënë theksin në gjëra të ndryshme. Një shembull: "A duhet ta nxjerrë një grua fytyrën në publik?" "Me cilin lloj ndëshkimi jeni dakort për ato gra që ua tregojnë fytyrën burrave me të cilët nuk kanë lidhje familjare?" "A është përgjegjësia e kujdestarit mashkull që të kujdeset që gratë që ka nën kujdes të mos dalin nga shtëpia me fytyrë zbuluar?" "A duhet të ngulë këmbë qeverija që gratë të mbulojnë fytyrën?" "A është shoqëria më e organizuar mirë kur gratë e mbulojnë fytyrën?" Secila nga këto pyetje mund të bëhet në forma të ndryshme dhe të zgjerohet duke vijuar me pyetje mbi mënyrën e të arsyetuarit të të intervistuarit dhe sa thellë preket ai nga këto pyetje.
Të përsëritura: Pyetjet duhen bërë në mënyrë të përsëritur gjatë një periudhe prej disa javësh, muajsh apo dhe më gjatë. Kjo është diçka kyçe: Duke qenë se gënjeshtrat është më e vështirë t'i mbash mend se të vërtetat, gjasat që i pyeturi të ndryshojë përgjigjet rriten me rritjen e volumit të pyetjeve si dhe me rritjen e kohës nga një marrje në pyetje në tjetrën. Në rastin kur kapen mospërputhje, ai që merr në pyetje duhet të fokusohet tek to dhe të shqyrtojë natyrën, shtrirjen dhe rëndësinëe e domethënien e tyre.
Pyetjet
Pasi janë vënë në vijë udhëzimet, cilat janë pyetjet specifike nga të cilat mund të nxirret informacion i dobishem?
Pyetjet e mëposhtme, të cilat po i ofrojmë si sygjerime me të cilat mund të punohet më shumë, kanë dalë nga analizat e autorit të këtij shkrimi, por dhe nga puna e një numri analistësh të cilët për vite me radhë kanë menduar me përkushtim rreth kësaj çështjeje.
Në vitin 2002, Naser Khader, parlamentari i atëhershëm danez me origjinë siriane dhe muslimane ofroi një komplet fillestar pyetjesh. Një vit më vonë vetë autori i këtij shkrimi publikoi një listë që mbulonte shtatë sfera interesi. Të tjerë pasuan, mes të cilëve muslimani egjiptian liberal Tarek Heggy, muslimanët amerikanë liberalë Tashbih Sayyed dhe Zuhdi Jasser,ish muslimani që tashmë përdor emrin "Sam Solomon", organizata RAND Corporation si dhe analisti Robert Spencer. Interes të veçantë paraqesin pyetjet e bëra nga Baden-Württemberg, shtet në Gjermani, në shtator të vitit 2005, sepse ato përbëjnë një dokument zyrtar (për përdorim gjatë proçesit të marrjes së qytetarisë, jo për arsye emigrimi, por gjithsesi me të njëjtin qëllim në thelb).
Zuhdi Jasser (M) me autorin e këtij shkrimi si shokë skuadre gjatë debatit të vitit 2012 në New York City me titull "Inteligjenca e vënë në vijë". |
Doktrina islamike:
1. A u lejohet muslimanëve të ri-interpretojnë Kuranin në dritën e ndryshimeve të kohës sonë?
2. A u lejohet muslimanëve të lënë islamin dhe të konvertohen në anëtarë të një besimi tjetër ose të jenë të pafe?
3. A u lejohet bankave të vendosin një përqindje interesi të arsyeshme (të themi 3 përqind mbi inflacion) mbi paranë?
4. A është taqiya (shtirja fetare në emër të islamit, për t'i shpëtuar persekutimit,) e ligjshme?
Pluralizmi islamik:
5. A u lejohet muslimanëve t'i binden vetëm disa prej normave të ndryshme islamike të zgjedhura sipas dëshirës (p.sh. të pinë alkool, por të mos hanë mish derri)?
6. A është takfiri (shpallja i pafe e një muslimani nga një tjetër) i pranueshëm?
7. [Pyetje vetëm për sunitët:] A janë sufitë, ibaditë dhe shiijat, muslimanë?
8. A janë muslimanët që nuk bien dakort me mënyrën se si ju e praktikoni islamin të pafe (qafirë)?
Shteti dhe islami:
9. Cili është mendimi juaj nëse fesë do t'i hiqej statusi dhe privilegjet që gëzon zyrtarisht si p.sh., ndarja e xhamisë nga shteti?
10. Kur zakonet islamike bien në kundërshtim me ligjet laike (p.sh., mbulimi i fytyrës së femrave kur dalin në fotografi për të marrë patentën e makinës) cilat syresh kanë përparësi?
11. A duhet shteti ta imponojë lutjen?
12. A duhet shteti të ndalojë konsumimin e ushqimit gjatë Ramazanit dhe të dënojë ata që nuk e zbatojnë urdhrin?
13. A duhet shteti të ndëshkojë ata që hanë mish derri, pinë alkool dhe luajnë bixhoz?
14. A duhet shteti të ndëshkojë tradhtinë bashkëshortore?
15. Po për homoseksualitetin?
16. A je dakort që të ketë një mutaëa (polici fetare) si ajo që egziston në Arabinë Saudite?
17. A duhet shteti të vërë në jetë ndëshkimet ndaj krimit që parashikon Sharia?
18. A duhet të tregohet shteti i butë me ata që vrasin në emër të nderit të familjes?
19. A duhet të ndërhyjë qeveria për të ndaluar muslimanët që të heqin dorë nga islami?
Martesa dhe divorci:
20. A ka të drejtë burri të godasë gruan kur ajo nuk bindet?
21. A është ide e mirë të mbash mbyllur në shtëpi gratë dhe vajzat?
22. A kanë të drejtë prindërit të vendosin se më kë do të martohen fëmijët e tyre?
23. Si do të reagonit ju nëse vajza martohet me një burrë që nuk është musliman?
24. A është e pranueshme poligamia?
25. A duhet burri t'i marrë leje gruas së parë për t'u martuar me një të dytë? Të tretë? Të katërt?
26. A duhet të ketë gruaja të drejta të barabarta me burrin për të nisur proçesin e divorcit?
27. Në rast divorci, a ka gruaja të drejtë të kërkojë të mbajë fëmijët?
Të drejtat e grave:
28. A duhet të kenë gratë muslimane të drejta të barabarta me burrat (për shembull, për çështje ndarje trashëgimie apo dëshmie në gjyq?
29. A ka gruaja të drejtë të vishet sipas qejfit, përfshirë këtu dhe veshje që zbulojnë flokët, krahët dhe këmbët, por duke mbuluar si organet gjenitale ashtu dhe gjoksin?
30. A është e mundur që gratë muslimane të shkojnë e të vijnë apo të udhëtojnë sipas qejfit?
31. A kanë të drejtë gratë muslimane të punojnë jashtë shtëpisë apo duhet të marrin aprovimin e ëali-t [guvernatori i një province të caktuar në vendet arabe]?
32. A mund të martohen gratë muslimane me burra jo-muslimanë?
33. A duhet që meshkujt dhe femrat të ndahen veç e veç në shkolla, punë apo në përgjithësi në jetën sociale?
34. A duhet që disa profesione të caktuara të jenë vetëm për burra dhe disa të tjera vetëm për gra? Nëse po, cilat?
35. A do të pranonit që gratë të kenë poste të larta në qeveri?
36. Në rast urgjence, a do të lejonit që të kuroheshit apo të operoheshit nga një mjek i seksit të tjetër?
Aktiviteti seksual:
37. A ka burri të drejtë ta detyrojë gruan të bëjë seks me të?
38. A është bërja synet e femrave pjesë e fesë islamike?
39. A është vrasja me gurë një ndëshkim i justifikueshëm në rast tradhëtie bashkëshortore?
40. A kanë anëtarët e familjes të drejtën për të vrarë një grua nëse bësojnë që ajo i ka turpëruar?
41. Si do të reagonit nëse fëmija juaj do t'ju deklaronte se është homoseksual?
Shkolla:
42. A duhet të mësojë fëmija juaj historinë e atyre që nuk janë muslimanë?
43. A duhet t'u mësohet studentëve që Sharia është një përmbledhje ligjesh të një natyre vetjake apo që ligjet e qeverisë duhet të bazohen mbi të?
44. A i lejohet vajzës suaj të marrë pjesë në aktivitete sportive, mësime noti në veçanti, që ofron shkolla?
45. A do ta lejonit fëmijën tuaj të merrte pjesë në ekskursionet me shkollën, përfshirë dhe ato ku nata nuk kalohet në shtëpi?
46. Çfarë do të bënit nëse vajza do të ngulte këmbë që të ndiqte studimet e larta?
Kritika ndaj muslimanëve:
47. Islami u përhap vetëm me mënyra paqësore?
48. A e pranoni legjitimitetin e hulumtimit shkencor mbi origjinën e islamit edhe kur ky hulumtim ngre dyshime mbi historinë e islamit siç njihet kudo?
49. A e pranoni që muslimanët mbajnë përgjegjësi për sulmet e 11 shtatorit?
50. A është islamike natyra e Shtetit Islamik//ISIS/ISIL/Daesh?
Mohimi i natyrës islamike të ISIS-it tregon shumë për një musliman. |
Luftimi i islamizmit:
51. A e pranoni rritjen e masave të sigurisë për të luftuar islamizmin, ndonëse ato nënkuptojnë kontroll më të imtësishëm për ju vetë (për shembull, kontrolli në aeroporte)?
52. A është mbyllja e institucioneve kundër të cilave janë ngritur akuza të besueshme se kanë ndihmuar me fonde xhihadin, simptomë e paragjykimit anti-musliman?
53. A duhet të ketë bashkëpunim mes muslimanëve që jetojnë në perëndim dhe forcave të rendit?
54. A duhet të shkojnë ushtarë?
55. A është "lufta kundër terrorit" luftë kundër islamit?
Jo-muslimanët (në përgjithësi):
56. A meritojnë të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjinia, etnia, orientimi seksual apo besimi fetar, të drejta të barabarta?
57. A duhet që jo-muslimanët të gëzojnë tërësisht të drejta të barabarta qytetare si dhe muslimanët?
58. A i pranoni si të vlefshme fetë e tjera monoteike?
59. Po ato politeike (si Hinduizmi)?
Duke u lutur në tempullin hindu në Dubai, të themeluar në vitin 1958 |
60. A janë muslimanët më superiorë se jo-muslimanët?
61. A duhet t'i nënështrohen jo-muslimanët ligjit islamik?
62. A kanë çfarë të mësojnë muslimanët nga jo-muslimanët?
63. A mund të shkojnë jo-muslimanët në parajsë?
64. A janë të mirëpritur jo-muslimënt në shtëpitë tuaja? Po ju a shkoni në shtëpitë e tyre?
Jo-muslimanët (në Dar al-Islam):
65. A mund t'i detyrojnë muslimanët "Njerëzit e Librit" (d.m.th., hebrenjtë dhe të krishterët) të paguajnë taksa ekstra?
66. A munden monoteistët e tjerë të ngrenë dhe drejtojnë institucione të feve të tyre përkatëse në vendet me shumicë muslimane?
67. Po politeistët?
68. A duhet të vazhdojë qeveria saudite të mbajë urdhër-ndalimin që historikisht i ka penguar jo-muslimanët të futen në Mekë dhe Medinë?
69. A duhet të lejojë ndërtimin e kishave për të krishterët që jetojnë jashtë vendit të tyre?
70. A duhet t'i japë fund kërkesës që të gjithë nënshtetasit të jenë muslimanë?
Jo-muslimanët (në Dar al-Harb):
71. A duhet muslimanët t'i luftojnë hebrenjtë dhe të krishterët derisa këta "ta ndjejnë veten të nënshtruar" (Kuran 9:29).
72. A është i pranueshëm skllavërimi i jo-muslimanëve?
73. A është i pranueshëm arrestimi i individëve që shajnë profetin e islamit dhe djegin Kuranin?
74. Nëse shteti nuk vepron kundër këtyre veprimeve, a duhet të veprojne individët muslimanë vetë?
75. A mund të jetojë dikush një jetë plotësisht muslimane në një vend me qeveri kryesisht jo-muslimane?
76. A duhet të pranojë një musliman një qeveri të ligjshme me shumicë jo-muslimane apo duhet të punojë që ta bëjë islamin suprem?
77. Mundet një qeveri jo-muslimane të fitojë besnikërinë pa asnjë rezervë nga ana juaj?
78. A duhen ndëshkuar muslimanët që djegin kisha apo vandalizojnë sinagoga?
79. A e mbështesni xhihadin si mënyrë për përhapjen e islamit?
Dhuna:
80. A i mbështesni mënyrat e ndëshkimin trupor (sakatimet, gjymtimet, kryqëzimet) e kriminelëve?
81. A është prerja e kokës një formë e pranueshme ndëshkimi? I
82. A është xhihadi, domethënë lufta për shtrirjen e sundimit musliman, i pranueshëm sot në botë?
83. Çfarë nënkupton thirrja "Allahu Akbar" që lëshojnë muslimanët kur sulmojnë?
84. A i dënoni organizatat e dhunshme si Boko Haram, Hamas, Hezbollah, Xhihadi islamik, Shteti Islamik, Al-Qaeda, Shabaab dhe Taliban.
Vendet perëndimore:
85. A janë institucionet jo-islamike imorale dhe dekadente apo mund të jenë të moralshme dhe të virtytshme?
86. A jeni dakort me studimet që tregojnë se vende jo-muslimane si Zelanda e Re i kënaqin idealet e islamit më mirë se vendet me shumicë muslimane?
87. A është liria e stilit të Perëndimit një arritje apo një formë korruptimi moral? Pse?
88. A e pranoni që vendet perëndimore janë me shumicë të krishterë apo kërkoni t'i transformoni në vende me shumicë muslimane?
89. A pranoni të jetoni në vende perëndimore laike apo kërkoni që aty të sundojë ligji islamik?
90. Ç'mendim keni për policinë e Sharias që patrullon nëpër lagjet me shumicë muslimane në vendet perëndimore për të siguruar vendosjen aty të normave të moralit islamik?
91. Do t'ju pëlqente po të shihnit që kushtetuta amerikane (apo ekuivalentja e saj në vende të tjera) është zëvendësuar me Kuranin?
Intervista vetë:
92. Në një intervistë emigracioni si kjo, nëse të mashtrosh atë që të merr në pyetje e ndihmon islamin, a do ta justifikonte diçka e tillë mashtrimin?
93. Pse duhet të besoj që i jeni përgjigjur këtyre pyetjeve me vërtetësi?
Vërejtje mbi intervistën
Përveçse ndihmojnë për të vendosur se kush duhet lejuar të futet në vend, këto pyetje mund të vlejnë dhe në kontekste të tjera si për shembull gjatë marrjes në pyetje në polici ose gjatë intervistave për vende pune të një natyre sensitive. (Lista e islamistëve që kanë arritur të penetrojnë në shërbimet sekrete perëndimore është e gjatë dhe fakti vetë i dhimbshëm.)
Të vihet re mungesa e pyetjeve lidhur me çështjet aktuale tejet të tensionuara. Kjo sepse pikëpamjet e islamistëve për to përkojnë me ato të jo-islamistëve; shumë jo-islamistë janë dakort me islamistët për këto çështje. Ndonëse Leil Leibowitz e sheh Izraelin si "testi i vërtetë i litmusit për islamin e moderuar", islamistët vështirë se janë të vetmit që kërkojnë zhdukjen e Izraelit dhe që pranojnë Hamasin dhe Hezbollahin si figura politike legjitime - ose që besojnë që administrata e Bushit i kreu sulmet e 11 shtatorit ose që urrejnë Shtetet e Bashkuara. Pse fundja të fusësh pyetje të tilla që lënë vend për paqartësira, kur ka kaq shumë pyetje specifike që lidhen me islamin (si p.sh., "A është i pranueshëm skllavërimi i jo-muslimanëve?") të cilat kanë aftësinë të sqarojnë shumë më tepër gjëra.
Nuk ka nevojë të jesh islamist për të qenë anti-sionist. |
Protokolli i proçesit të intervistimit siç e përvijuam më lart, është i gjerë, bëhen shumë pyetje specifike në një periudhë të konsiderueshme duke i formuluar ato në mënyra të ndryshme, duke rrëmuar për të nxjerrë të vërtetën dhe zbuluar mospërputhje. Nuk është proçes i shpejtë, apo i lehtë dhe kushton, por kërkon që zyrtarët e rasteve përkatëse të jenë të mirinformuar për personat që po intervistohen, për shoqëritë nga vjnë si dhe për fenë islamike; ata janë në njëfarë mënyre si një polic që merr në pyetje i cili e njeh mirë si përsonin e akuzuar ashtu dhe krimin. Ky nuk është proçes i shkujdesur. Nuk ka vend për t'i rënë shkurt gjërave.
Kritikat
Kjo proçedurë ngre dy kritika; është më pak e sigurt se politika asnjë-musliman e Trumpit dhe është tepër e rëndë për t'u ndërmarrë nga qeveritë. Por që të dyja hidhen poshtë lehtë.
Më pak e sigurt: Politika "asnjë-musliman" duket e lehtë për t'u zbatuar, por të gjesh se kush është musliman e kush jo është një problem më vete (a janë Ahmaditë, muslimanë?). Jo vetëm kaq, por me t'u vendosur kjo politikë, çfarë do t'i pengojë muslimanët të luajnë pjesën sikur kanë hequr dorë nga feja e tyre ose të konvertohen në një fe tjetër, sidomos në kristianizëm? Këto veprime do të kërkojnë po atë hulumtim në thellësi si dhe marrjet në pyetje siç i përshkruam më lart. Përkundrazi, pikërisht për arsyen se një i konvertuar mund të fshihet pas injorancës për fenë gjoja të re, të dallosh një që vërtet është konvertuar në kristianizëm nga dikush që hiqet si i tillë është akoma më e vështirë sesa të bësh dallim mes një islamisti dhe një muslimani të moderuar.
Tepër e rëndë: Vërtet, proçedura është e shtrenjtë, e ngadaltë dhe kërkon njerëz të aftë. Por kjo gjithashtu sjell si avantazh ngadalësimin e një proçesi që shumëkush, përfshirë dhe mua, e konsiderojmë që ka dalë jashtë kontrollit, me një numër emigrantësh që hyjnë në vend shumë shpejt. Imigrantët në vitin 1965 përbënin 5% të popullsisë, 14% në vitin 2015, dhe parashikohet të arrijnë në 18% ne vitin 2065. Ky është një numër tepër i madh që të mund të asimilohet në vlerat e Shteteve të Bashkuara, sidomos kur kaq shumë prej tyre vijnë nga vendet jashtë perëndimit; mekanizmi i mësipërm ofron një mënyrë për ta ngadalësuar proçesin.
Sa për ata që diskutojnë se një formë e tillë hetimi dhe kontrolli për marrje vizash është e paligjshme; legjislacioni i mëparshëm mbi naturalizimin për shembull, kërkonte që një aplikant të ishte "i devotshëm ndaj parimeve të kushtetutës" dhe rregullisht kjo gjë konsiderohej e ligjshme.
Së fundi, muslimani i sotëm i moderuar mund të bëhet islamisti i egërsuar i të nesërmes; ose vajza e tij e vogël, dy dhjetëvjeçarë më vonë, mund të bëhet xhihadiste. Ndërkohë që mund të ndodhë që çdo emigrant të bëhet armiqësor, ndryshime të tilla ndodhin shumë më tepër mes atyre që janë lindur muslimanë. Nuk ka asnjë mënyrë që të garantojë që kjo nuk do të ndodhë, por hulumtimet në shkallë të gjerë dhe marrjet në pyetje i zvogëlojnë gjasat.
Konkluzion
Vërtet, të mbrosh vendin nga islamistët kërkon angazhim të madh të talentit, të mjeteve dhe të kohës. Por të përdorura siç duhet, këto pyetje ofrojnë një mekanizëm që arrin të ndajë armikun nga miku mes muslimanëve. Ato gjithashtu sjellin si avantazh ngadalësimin e emigracionit. Edhe përpara se të bëhej Trumpi president, nëse i besoni CAIR-it, agjencia doganore për mbrojtjen e kufinjve të Shteteve të Bashkuara (CBP) bënte pyetje të ngjashme me ato që mbrojmë këtu (Çfarë mendoni për Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Cilat janë pikëpamjet tuaja për xhihadin? Shih shtojcën për një listë të plotë të pyetjeve). Me mbështetjen nga Trumpi, le të shpresojmë që kjo politikë efikase "asnjë-islamist" është në rrugë e sipër për t'u shndërruar në sistematike.
Shtojcë:
Më 18 janar, 2017, vetëm pak orë përpara se Donald Trump të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, zyra në Florida e Këshillit mbi marrëdhëniet amerikano-islamike (CAIR) paraqiti dhjetë ankesa kundër agjencisë e doganave dhe e mbrojtjes së kufinjve (CBP) të Shteteve të Bashkuara për shkak se kjo e fundit i kishte bërë pyetje qytetarëve muslimanë lidhur me pikëpamjet e tyre politike dhe fetare. Mes pyetjeve që gjoja janë bërë ishin dhe këto si vijon:
1. A je musliman i devotshëm?
2. A je sunit apo shiija?
3. Cilën shkollë mendimi ndjek?
4. Cilët studiues muslimanë ndjek?
5. Cilët janë studiuesit muslimanë të cilëve ua vë veshin?
6. Lutesh pesë herë në ditë?
7. Pse ke qilimin e lutjes me vete në valixhe?
8. Pse e ke Kuranin me vete në valixhe?
9. Ke vizituar Arabinë Saudite?
10. E ke vizituar ndonjëherë Arabinë apo Izraelin?
11. Çfarë di për Tableeghi-Jamat?
12. Ç'mendim ke për Shtetet e Bashkuara?
13. Ç'pikëpamje ke për xhihadin?
14. Në cilën xhami shkon?
15. A ka individë me pikëpamje ekstreme/radikalë në xhaminë tënde?
16. A ka imami yt pikëpamje ekstremiste?
17. Cilat janë pikëpamjet e imamëve të tjerë ose anëtarëve të tjerë ë komunitetit që predikojnë të premteve në xhami?
18. A kanë pikëpamje ekstremiste?
19. A e ke dhënë ti vetë ndonjëhere lutjen e të premtes? Çfarë keni diskutuar me anëtarët e komunitetit?
20. Cilat janë pikëpamjet tuaja lidhur me [organizata të ndryshme terroriste]?
21. Cilat rrjete sociale përdor?
22. Cili është emri që përdor në llogarinë tënde në Facebook?
23. Cili është emri që përdor në llogarinë tënde në Twitter?
24. Po në Instagram?
25. Thuaj emrat dhe numrat e telefonit të prindërve, të afërmeve dhe miqve?
CAIR gjithashtu pretendon që një muslimani kanadez iu bënë pyetjet e mëposhtme nga CBP-ja dhe më pas nuk u lejua të futet [në Shtetet e Bashkuara]:
1. Je Suni apo Shiia?
2. Mendon që duhet ta lejojmë dikë si ju të futet në vendin tonë?
3. Sa shpesh lutesh?
4. Pse e ke rruar mjekrën?
5. Cilën shkollë mendimi ndjek?
6. Ç'mendim ke për politikën e jashtme që ndjek amerika ndaj botës muslimane?
7. Ç'mendim ke për vrasjen e jo-muslimanëve?
8. Çfarë mendon për [grupe të ndryshme terroriste]?
Së fundi, CAIR vë në dijeni që ata që u morën në pyetje "u mbajtën nga 2 deri në 8 orë nga CBP-ja."