Omani, ku kalova javën e kaluar, është një vend arab si asnjë tjetër. Do t'i numëroj në çfarë ndryshon.
Pallati i Sulltanit të Omanit nga shekulli i nëntëmbëdhjetë. Në Zanzibar. |
Islami ka tri degë kryesore: Suni (rreth 90 përqind e myslimanëve), Shia (rreth 9 përqind) dhe Ibadi (rreth 0.2 përqind). Omani ka të vetmen popullsi me shumicë Ibadinë botë. Duke qenë një pakicë e vockël në kontekstin e madh mysliman, sunduesit e Omanit kanë qendruar historikisht larg çështjeve të Lindjes së Mesme. Një pjesë e vendit ishte shkretëtirë malore e izoluar, ndërsa një pjesë e përqendruar në lidhjet detare, sidomos me Indinë dhe Afrikën Lindore. Për gati dy shekuj, perandoria otomane konkurroi me europianët se kush do të kontrollonte Oqeanin Indian; dhe Omani sundoi ishullin afrikan të Zanzibarit deri në vitin 1964, duke qenë i vetmi shtet jo-europian që kishte zotëronte një territor afrikan.
Kjo largësi e pashoqe nga problemet e Lindjes së Mesme, qoftë konflikti arabo-izraelit apo ekspansionizmi iranian, vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në kohën tonë, me një luftë civile që po vlon në Jemenin fqinj ndërsa Irani po krijon probleme pikërisht afër Gadishullit Musandam të Omanit, që zgjatet në Ngushticën stër-strategjike të Hormuzit, Omani është një oaz qetësie. Xhihadizmi deri tani nuk ka dhënë ndonjë shenjë; nuk ka pasur asnjë akt dhune në Oman dhe asnjë omanas nuk i është bashkuar ISIS-it.
Natyra e dyzuar shkretëtirë-det e Omanit ka krijuar një tension ndërmjet botëkuptimit kozmopolitan dhe prirjes për izolimi. Sundues nga 1932 në 1970, Said bin Taimur u shkollua në Indi dhe Irak, pastaj vizitoi Presidentin Franklin D. Roosevelt në Washington; ai gjithashtu e arsimoi jashtë shtetit djalin e tij Kabus bin Said. Pavarësisht nga kjo, Said i mbajti omanasit të izoluar nga bota e jashtme, i mbajti mënjanë të ardhurat nga nafta dhe në mënyrë perverse besoi se izolomi dhe prapambetja do të siguronin sundimin e tij të vazhdueshëm. Simbolike për gjendjen e Omanit në 1970 ishte fakti që në total numëronte vetëm 2 gjeneratorë elektriku, 2 spitale, 3 shkolla private, dhe 6 milje rrugë të asfaltuar. Skllavëria ishte e ligjshme; kurse pirja e duhanit në rrugë jo. As edhe një gazetë e vetme po kinema nuk ekzistonte në vend. Si e përshkruante një vizitor, "ora e historisë kishte mbetur diku në Lindjen e Mesme".
Duket se varfëria dhe injoranca nuk e siguruan dot vazhdimin e sundimit të tij. Në korrik 1970, 30-vjeçari Kabus përmbysi babain e tij me një grusht shteti në pallat; 47 vjet më vonë, Kabus mbetet sundimtari absolut i Omanit. Ai u dëshmua si një modernizues i pandalshëm që mbikqyri personalisht ndërtimin e vendit, nga rafineritë e naftës te teatri i operës. Rreth një milion fuçi petroleum në ditë prodhohen për të subvencionuar ekonominë por pa e mbytur atë; dy milionë e gjysëm omanas kanë punësuar rreth dy milionë mërgimtarë, kryesisht nga Azia Jugore.
Bukuri omane: një kështjellë portugeze në Muskat. |
Dikur një vend i mbyllur, tani i hap dyert me lehtësi; Një vizë kushton 13 dollarë amerikanë në aeroport dhe bukuria e Omanit e ka kthyer në destinacion për shumë pasanikë perëndimorë që dashurojnë diellin dhe janë eko-turistë. Është bërë kaq shumë shik sa që "Lonely Planet" e rreshtoi kryqytetin e tij, Muskat, si qytetin e dytë më të mirë në botë për të udhëtuar.
Si rezultat, vendi ka ecur përpara, duke çuar elektricitetin edhe në fshtrat më të humbur, me një rrjet të gjerë autostradash të shkëlqyera, 91% që dinë shkrim e e këndim, një rrjet kolegjesh, si dhe Orkestrën Mbretërore Simfonike të Omanit.
Një diktator zemërmirë, Kabus mbizotëron vendin në mënyra të pazakonta për një perëndimor. Ai shërben njëkohësisht si kryeministër dhe ministër i mbrojtjes, i punëve të Jashtme dhe i Financave, si edhe si Komandant Suprem i forcave të armatosura dhe policisë. Madje edhe kjo nuk i përfshin të gjitha: si ka vënë në dukje "Economist", është e zakonshme për një banor të Muskatit "që të dalë me makinë në Rrugën Sultan Kabus, të kalojë anash Xhamisë së Madhe 'Sultan Kabus' dhe madje edhe Protit Sultan Kabus. Ai ose ajo mund të jetë diplomuar në Universitetin 'Sultan Kabus' dhe të shohë ndeshjet e futbollit në kompleksin e sporteve 'Sultan Kabus' përpara se të kthehet në shtëpi, në 'Madinat Sultan Kabus', një lagje e qytetit".
Një kryengritje arabe që filloi në 2011 u përhap edhe deri në Oman, mirëpo, ashtu si në shumicën e mbretërive, u përballua lehtësisht, me pak shpenzime më shumë.
3 marsi solli lajmin më të madh në vend që prej disa dekadash: 76-vjeçari Kabus, i sëmurë, i dobësuar dhe pa fëmijë, emëroi një të afërm të tij, Asaad bin Tarik, si zëvendës-kryeministër, një hap që është interpretuar gjerësisht se tregon njeriun që ka zgjedhur për ta zëvendësuar. Pas shumë vitesh spekullimi, kjo zgjedhje, me pak fat, do të shmangë paqendrushmërinë që kërcënon vendin.
Sulltani Kabus (djathtas) duke përshëndetur pasuesin e tij të besuar, Assad bin Tariq. |
Si demokrat, nuk i shoh dot mbretëritë absolute. Mirëpo, si analist i Lindjes së Mesme, e pranoj se mbretëritë qeverisin shumë më mirë sesa alternativat e tjera të rajonit, kryesisht ideologë dhe oficerë ushtarakë. Prandaj, u bashkohem omanasve të shumtë në shpresën për një tranzicion pa probleme që do ta mbante vendin me zotësi larg rreziqeve.