Kryeministri i Izraelit Binjamin Netanjahu është fotografuar në 21 dhjetor duke mbajtur një kopje të librit "Nothing Less than Victory: Decisive Wars and the Lessons of History" (Asgjë më pak se fitore: Luftrat vendimtare dhe mëzimet e historisë) nga John David Lewis (Princeton University Press, 2010). Në atë libër, Lewis merr në shqyrtim gjashtë raste të studjuara duke vënë re se në të gjitha ato "fati i luftës u vendos kur njëra palë provoi shijen e humbjes dhe vullneti i saj për të vazhduar, në vend që të forcohej, ra përtokë".
Netanjahu duke mbajtur librin e John David Lewis' "Asgjë më pak se fitore". |
Që Netanjahu duhet të jetë duke ndjekur po këtë vijë mendimi është veçanërisht inkurajuese në kërë moment fluksi, kur shtetet arabe sunite janë përqendruar si kurrë ndonjëherë në një kërcënim joizraelit (fjala është për kërcënimin iranian), kur Obama po e lë Izraelin në mëshirën e fatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe kur rebelimet politike po çorodisin Perëndimin. Me fjalë të tjera, është koha e duhur për të zbatuar argumentin e Lewis ndaj palestinezëve. Në fakt, Izraeli ka ndjekur me sukses një strategji që shijen e humbjes të detyrojë që ta provojnë armiqtë e tij, gjatë 45 viteve të para të tij, kështu që kjo do të ishte një kthim te rrugët e vjetra.
Ajo strategji fillon duke pranuar se, qysh prej Deklaratës së Balfurit, në 1917, palestinezët dhe izraelitët kanë ndjekur synime statike dhe të kundërshtare. Palestinezët adoptuan një politikë refuzuese me qëllimin për të eliminuar çdo gjurmë të pranisë hebreje në atë që tani është territori i Izraelit. Dallimet mes palestinezëve janë zakonisht vetëm taktike: Të flasim me izraelitët që të na bëjnë lëshime, apo t'i përmbahemi refuzimit të plotë? Autoriteti Palestinez përfaqëson qendrimin e parë dhe Hamasi të dytin.
Në krahun e Izraelit, pothuajse të gjithë janë dakord për nevojën që të pranohen nga palestinezët (dhe arabët e myslimanët e tjerë); dallimet edhe këtu janë taktike. T'u tregojmë palestinezëve se çfarë do të fitonin edhe ata nga Zionizmi apo t'ua thyejmë vullnetin palestinezëve? Laburistët dhe Likudët debatojnë rreth kësaj.
Këto dy shtigje – refuzimi dhe pranimi – kanë mbetur praktikisht të pandryshuara për një shekull të tërë. Larmia e ideologjive, objektivave, taktikave, strategjive, dhe aktorëve tregon që pavarësisht se detajet kanë ndryshuar, themeloret kanë mbetur habitshmërisht po ato. Luftrat dhe traktatet shkojnë e vijnë, duke sjellë vetëm ndryshime të vogla.
Imponimi i vetëpërmbajtjes, që është të bindësh palestinezët dhe shtetet arabe që të pranojnë ekzistencën e Izraelit duke kërcënuar me kundërpërgjigje të dhunshme, ishte në themel të arritjeve të jashtëzakonshme të Izraelit në 1948-1993 me vizion strategjik dhe shkëlqim taktik.
Mirëpo pavarësisht prej kësaj, imponimi i vetëpërmbajtjes nuk e kurorëzoi misionin; vërtet që izraelitët ndërtuan një vend modern, demokratik, të pasur, dhe të fuqishëm, mirëpo fakti që palestinezët, arabët, myslimanët, dhe (gjithnjë e më shumë) e majta ende e refuzon atë, është bërë një burim frustrimi në rritje. Popullata e paduruar dhe dinamike e Izraelit është lodhur me aspektet e ngadalshme dhe pasive të imponimit të vetëpërmbajtjes.
Padurimi çoi në një proces diplomatik që kulmoi me shtrëngimin konfirmues të duarve dhe nënshkrimin e Marrëveshjeve të Oslos, në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, në shtator 1993. Mirëpo, ato marrëveshje shumë shpejt i zhgënjyen të dyja palët.
Gjërat shkuan keq pjesërisht sepse Yasir Arafat, Mahmoud Abbas dhe të tjerët në Autoritetin Palestinez bënë sikur e braktisën refuzimin dhe pranuan ekistencën e Izraelit por, në fakt, thjeshtë kërkuan eliminimin e Izraelit me metoda të reja më të sofistikuara, duke zëvendësuar forcën me deligjitimizimin.
Pjesërisht, edhe izraelitët bënë një gabim të thellë, pasi hynë në procesin e Oslos me premisën e gabuar se luftës mund t'i jepet fund nëpërmjet vullnetit të mirë dhe kompromisit. Në fakt, lëshimet e Izraelit vetëm sa thelluan armiqësinë palestineze.
Përpjekja e Oslos vuri në dukje kotësinë e lëshimeve izraelite ndaj palestinezëve kur këta të fundit nuk përmbushin detyrimet e tyre. Duke sinjalizuar dobësi në krahun e Izraelit, Osloja e përkeqësoi gjendjen. Ajo që njihet si "procesi i paqes" duhet të ishte emërtuar më saktë si "procesi i luftës".
Kjo na sjell te konceptet e mia kyçe: fitorja dhe humbja. Fitore është kur dikush ia imponon me sukses vullnetin e tij një armiku, duke e detyruar që nëpërmjet humbjes të heqë dorë nga ambicja për të cilën po lufton. Luftrat mbarojnë, siç na mëson historia, jo nëpërmjet vullnetit të mirë po nëpërmjet humbjes. Ai, që nuk fiton, humbet.
Mendimtarët dhe luftëtarët në shekuj kanë qenë në një mendje për rëndësinë e fitores si një synim i saktë i luftimit. Për shembull, Aristoteli shkroi se "fitorja është synimi i gjeneralimit" dhe Duajt D. Ajzenauer ka thënë se "në luftë asgjë nuk e zëvendëson fitoren". Përparimi teknologjik nuk e ka ndryshuar këtë të vërtetë të përjetshme ndjerëzore.
Izraeli ka vetëm një rrugë për të fituar pranimin nga palestinezët: të kthehet te politika e tij e vjetër e imponimit të vetëpërmbajtjes, duke ndëshkuar plestinezët kur ata e sulmojnë. Imponimi i vetëpërmbajtjes është më shumë se taktika të ashpra, të cilat i ndjek gjithësesi çdo qeveri izraelite; këtu nevojiten politika sistematike që inkurajojnë palestinezët të pranojnë Izraelin dhe të dekurajojnë refuzimin. Nevojitet një strategji afatgjatë që thyen vullnetin dhe promovon ndryshim qendrimesh.
Qëllimi këtu nuk është dashuria e palestinezëve për Zionin por shpërbëja e aparatit të luftës: mbyllja e fabrikave të vetëvrasësve, fundi i demonizimit të hebrejve dhe Izraelit, njohja e lidhjeve hebreje me Jeruzalemin, dhe "normalizimi" i marrëdhënieve me izrelitët. Pranimi palestinez i Izraelit do të arrihet kur, gjatë një periudhe të zgjatur dhe me vazhdimësi të plotë, dhuna të ketë përfundur, duke u zëvendësuar nga letra dërguar redaktorit apo nota verbale me fjalë të ashpra.
Ironia është që një fitore izraelite do të çlironte plestinezët duke i detyruar të shohin realitetin e fantzive të tyre irredentiste dhe retorikës boshe të revolucionit. Humbja gjithashtu i çliron ata duke u dhënë mundësi që të përmirësojnë jetët e tyre. Të çliruar nga një obsesion genocidal kundër Izraelit, palestinezët mund të bëhen një popull normal dhe të zhvillojnë politikën, ekonominë, shoqëinë, dhe kulturën e tyre. Sidoqë të jetë, ky ndryshim nuk do të vijë lehtësisht apo me shpejtësi: Palestinezët do të detyrohen të durojnë shijen e hidhur të humbjes, me të gjitha kufizimet, shkatërrimin, dhe dëshpërimin që sjell ajo. Nuk mund t'i biesh shkurt këtu.
Që Uashingtoni të jetë ndihmës, do të thotë që të mbështesë Izraelin në hedhjen e hapave të vështirë. Do të thotë mbështetje diplomatike për Izraelin, si për shembull për demaskimin e farsës së "refugjatit palestinez" dhe hedhjen poshtë të pretendimit për Jeruzalemin si kryeqytet palestinez.
Diplomacia izraelito-palestineze është e parakohshme sa kohë që palestinezët nuk pranojnë shtetin hebre. Çështjet qendrore në Marëveshjet e Oslos nuk mund të diskutohen në mënyrë të frytshme sa kohë që njëra palë vijon të mos e njohë tjetrën. Mirëpo, negociatat mund të rihapen dhe të marrin një vrull të ri, nëqoftëse dhe kur palestinezët të pranojnë shtetin hebre. Mirëpo, kjo perspektivë ndodhet në të ardhmen e largët. Për momentin, Izraelit i duhet të fitojë.