"Proçesi i paqes" mes Izraelit dhe Palestinës, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara filloi në dhjetor të vitit 1988, kur udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Jaser Arafat, i përmbushi kushtet që i vunë amerikanët dhe "pranoi rezolutat 242 dhe 338 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, njohu të drejtën e Izraelit për të egzistuar dhe hoqi dorë nga terrorizmi" (në fakt, duke patur parasysh anglishten me shumë theks të Arafatit, ai u duk sikur tha se "hoqi dorë nga turizmi").
Lajmi i bujshëm dhjetorit 1988 kur Arafati tha se hoqi dorë nga terrorizmi. |
Ai proces paqeje frenoi krejt papritur në dhjetor të 2016-ës, kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kaloi Rezolutën 2334. Khaled Abu Toameh, ndoshta analisti më i mirinformuar i politikës palestineze, e interpretoi rezolutën në fjalë si një mënyrë për t'u thënë palestinezëve: "Hiqini nga mendja negociatat me Izraelin. Vetëm ushtroni presion mbi komunitetin ndërkombëtar që ta detyrojë Izraelin të veprojë në përputhje me rezolutën dhe të kapitullojë përpara kërkesave tuaja."
Dhe ndërsa dyert mbyllen me tërsëllimë duke lënë pas 28 vjet frustrim dhe përpjekje të padobishme, është koha të ngremë pyetjen, "Çfarë do të ndodhë më tutje?"
Unë propozoj një fitore izraelite dhe një disfatë palestineze. Domethënë, Uashingtoni duhet të inkurajojë izraelitët që të ndërmarrin hapa të tillë që t'i bëjnë Mahmoud Abazin, Khaled Mashalin, Saed Erekatin, Hanan Ashravin me shokë që të kuptojnë se loja mbaroi, se pavarësisht nga numri i rezolutave që do të kalojnë Kombet e Bashkuara, ëndrra e tyre e fëlliqur për të zhdukur shtetin hebre ka vdekur tashmë, se Izraeli është e do të jetë përgjithnjë, i fortë e i paepur. Kur udhëheqja ta njohë këtë realitet, popullata palestineze do e pasojë në masë siç do të bëjnë më në fund dhe shtetet e tjera arabe dhe musulmane, gjë që do të çojë drejt zgjidhjes së konfliktit. Palestinezët do të përfitojnë nga kjo mundësinë për t'u çliruar më në fund nga një kult i vdekjes dhe do ta përqendrojnë vëmendjen tek ndërtimi i jetës së tyre politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore.
Ka ardhur koha që Mahmoud Abazi (në foto majtas), Khaled Mashali me shokë të kuptojnë se loja mbaroi - dhe ata humbën. |
Ndërkohë që politika në Lindjen e Mesme që do të ndjekë administrata që po vjen e Trumpit, mbetet ende e panjohur, vetë presidenti i zgjedhur Trump ka ngritur zërin kundër rezolutës 2334 dhe ka dhënë shenja (për shembull, duke zgjedhur David M. Fridmanin si ambasador në Izrael) që është i hapur për një përqasje të re, shumë të ndryshme nga e deritanishmja ndaj konfliktit në fjalë, si dhe shumë më të favorshme ndaj Izraelit se ajo e Barack Obamës. Ashtu siç ka qenë gjatë gjithë jetës, në kërkim të fitores (Do të fitojmë kaq shumë nëse zgjidhem, sa do të mërzitemi duke fituar), Trumpin ka të ngjarë ta tërheqë ajo lloj përqasje sipas të cilës pala jonë fiton dhe pala tjetër humbet.
Fitorja gjithashtu i vjen përshtat gjendjes shpirtërore të tanishme të kryeministrit të Izraelit, Binjamin Netanjahu. Përveç inatit që e braktisën në Kombet e Bashkuara, ai ka dhe një vizion ambicioz përsa i përket rëndësisë së Izraelit në shkallë botërore. Jo vetëm kaq. Fakti që ai është fotografuar duke mbajtur një kopje të librit "Nothing Less than Victory: Decisive wars and the Lessons of History" (Asgjë më pak se fitore: Luftrat vendimtare dhe mësimet e historisë) nga Xhon Dejvid Ljuis (Princeton University Press, 2010) sinjalizon që ai qartazi ka në mendje ta fitojë luftën; Në atë libër, Ljuis merr në shqyrtim gjashtë raste të studjuara duke arritur në konluzionin se në secilën prej tyre "fati i luftës u vendos kur njëra palë provoi shijen e humbjes dhe vullneti i saj për të vazhduar, në vend që të forcohej, ra përtokë".
Netanjahu duke mbajtur një kopje të librit "Nothing Less than Victory". |
Së fundi, duke patur parasysh dhe prirjet e përgjithshme të politikave rajonale, mund të themi se ky është momenti më i përshtatshëm. Fakti që administrata e Obamës u bë praktikisht aleate e Republikës Islamike të Iranit i trembi shtetet sunite arabe, me në krye Arabinë Saudite, që nga frika të bëheshin shumë më realiste se më parë. Duke ia patur, për herë të parë, nevojën Izraelit, çështja e "Palestinës" e ka humbur disi rëndësinë dhe në njëfarë mase është hequr dorë nga ideja që Izraeli është armiku kryesor, duke krijuar kështu një mundësi për manovrim të pashoqe më parë në histori.
Për këto katër arsye -- Rezoluta 2334 e Kombeve të Bashkuara, Trumpi, Netanjahu dhe Irani -- ka ardhur koha që vitin e ri dhe administratën e re t'i presim me një politikë të ripërpunuar mbi Lindjen e Mesme, synimi i të cilës të jetë t'i bëjë palestinezët të provojnë "shijen e humbjes".