Çfarë duhet thënë për Linda Sarsour nga Brooklyn, paditësja kryesore në padinë kundër urdhërit për imigracionin nga Presidenti Trump si dhe simboli i ri i kudogjendur i aleancës mes të majtës së egër me islamin radikal?
Shtëpia e Bardhë nën administratën e Obamës e pati quajtur "përkrahëse të ndryshimit". Kryetari i Bashkisë së New York City-t, Bill de Blasio, kërkoi mbështetjen e saj. Senatori i Vermontit Bernie Sanders e përdori si mëkëmbëse gjatë fushatës së tij për president. Ajo gjithashtu mori pjesë si delegate në Konventën Kombëtare të Demokratëve në vitin 2016.
Linda Sarsour dhe Bernie Sanders. |
Ka dalë në emisionet kryesore televizive dhe gazeta "The New York Times" botoi një shkrim të fryrë për të, të titulluar "Goca nga Brooklyn-i me hixhab". Ajo ka gjithashtu mbështetjen e organizatës "Media Matters for America" me themelues David Brock-un. Ajo ishte një nga katër organizatoret e Marshimit anti-Trump të grave në Washington si dhe është mbështetur nga aktorja Susan Sarandon dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Ellison. Me një fjalë, Linda Sarsour "nderohet nga të majtët", vë në dukje reformatorja myslimane Shireen Qudosi. Po ashtu dhe Islamistët: për shembull, Al-Jazeera e ngre në qiell.
Sarsour u plas në jetën time në marsin e vitit 2010 kur më ngatërroi mua, Daniel Pipes, me PipeLineNews.org, një shërbim i specializuar lajmesh, që kishte botuar një artikull kritikues ndaj saj, ku e quante "simpatizante e Hamasit". Ajo iu përgjigj [artikullit] duke më larë e lyer në mënyrë tallëse me fjalë mirënjohjeje për vëmendjen e kushtuar ("FALEMINDERIT Z. Pipes!"). Me të vënë re gabimin e saj, shkrova një përgjigje me ton sarkastik (Sarsour duhet t'ia shprehë dashurinë PipeLineNews.org, jo mua"). Kur ajo refuzoi të pranonte gabimin, nisa të tregoj interes për karrierën e saj.
Mësova që Sarsour vazhdimisht gabonte, por nuk e korrigjonte asnjëherë veten. Vrasjen e Shaima Alawadit e paraqiti - në mënyrë të gabuar – si rezultat të urrejtjes ndaj myslimanëve kur në fakt kishte qenë vetë burri mysliman i Alawadit, Kassim Alhimidi, që e kishte vrarë të shoqen për çështje nderi. Por ka akoma më keq. Sarsour sajoi nga hiçi një krim urrejtje që gjoja ishte kryer ndaj saj, duke fituar kështu pikë politikisht duke portretizuar si racist të dhunshëm, një burrë të pastrehë me të meta mendore.
Mësova gjithashtu për urrejtjen prej paranojakeje të Sarsour-it ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Terroristin aspirant me bomba në të mbathura, Umar Farouk Abdulmutallab-in, ajo e paraqiti si agjent të CIA-s, duke lënë të kuptohej që qeveria federale vret amerikanë që të fusë në grackë musulmanët. Gjithashtu, pa e menduar gjatë, deklaroi që "fëmijët myslimanë [po] egzekutohen" në Shtetet e Bashkuara, me sa duket nga qeverija.
Mësova dhe për promovimin që Sarsouri i bën Islamizmit. Ajo përkrah Arabinë Saudite, sepse sipas saj, vënia në jetë e ligjit islamik aty sjell gjoja avantazhe si leje lindje të paguar dhe kredit karta me interes zero. Ajo gjithashtu dha shenja që mbështeste veprimtarinë luftarake xhihadiste duke bërë gjestin simbolik të saj me gishtin tregues të ngritur lart.
Linda Sarsour dha shenja që mbështeste veprimtarinë luftarake xhihadiste duke bërë gjestin e saj simbolik me gishtin tregues të ngritur lart. |
Mësova për sulmet e poshtra të Sarsour-it kundër Izraelit si dhe faktin që inkurajonte goditjen me gurë të Forcave Mbrojtëse të Izraelit. Doli në fotografi me Salah Sarsour, një operativ të Hamasit të futur në burg nga autoritetet izraelite në vitet 90-të. Ajo e pranon se shumë të afërm të saj meshkuj janë në burgjet izraelite.
Mësova dhe për injorancën e Sarsour në histori. Ajo promovon një nocion të trilluar mbi themeluesin e Islamit, Muhametin: "Profeti ynë ka qenë një aktivist për drejtësinë racore, një aktivist për të drejtat e njeriut, një feminist i mirëfilltë. Ai ishte dikush që kujdesej për ambjentin. Kujdesej për të drejtat e kafshëve. ... Ai ka qenë gjithashtu viktima e parë e Islamofobisë." Diçka tjetër që më zuri syri ishin përsiatjet e saj mbi skllavërinë në Amerikë: "Sakrificat e skllevërve zezakë myslimanë në këtë vend as nuk krahasohen me islamofobinë [sic] e ditëve tona".
Mësova për reputacionin jo të mirë që kishte dhe mes atyre që normalisht duhet të ishin aleatet e saj. Debbie Almontaser, një kolege islamiste, e qortoi për mungesën e thjeshtësisë dhe të përulësisë. Feministja Aki Muthali e quajti raciste (lexojeni dhe njëherë tjetër thënien e saj të cituar më lart, për skllevërit zezakë). Website-i anti-zionist "Ikhras" e ka akuzuar gjithashtu si një person që ushqen brenda vetes "racizëm të shëmtuar ndaj afro-amerikanëve". Po ky website e ka cilësuar figurën publike të Sarsour-it si "një maskaradë të mbushur me shtirje dhe egzagjerime"; e ka portretizuar si një fetare të rreme; dhe ka zbuluar tek ajo njeriun të cilit i mungojnë aftësia për të dalluar të mirën nga e keqja si dhe "parimet apo bindjet e sinqerta".
Mësova dhe sesi Sarsour i përgjigjet kritikave që i bëhen me një vulgaritet të hidhur e dashakeqës. Ajo, me sharmin dhe hijeshinë që e karakterizojnë, tha për Brigitte Gabriel dhe Ayaan Hirsi Alidy, dy udhëheqëset anti-islamike (kjo e fundit madje, viktimë e proçedurës së prerjes së organit gjenital femëror), "Do të doja të kisha mundësinë tua hiqja vaginat - ato nuk meritojnë të jenë gra".
Mësova dhe që Sarsour, kësaj gruaje të thjeshtë të veshur keq, të mbuluar me një hixhab të rëndë, i pëlqen t'ia bëjë vetes me sy duke u hequr si lozanjare. Në mënyrë publike mburret "për pamjen e saj që të lë pa mend", deklaron "Jam e bukur", dhe entuziazmohet për "këtë foto kaq të bukur timen". Sarsour gjithashtu e fryn veten pa pikë lezeti, si për shembull në rastin kur i drejtohet vetes si një nga "njerëzit që të mahnisin".
Kjo listë e gjatë faktesh mbi paaftësinë, ekstremizmin, vulgaritetin dhe të qënin strambo më bën të vras mendjen se si ka mundësi që si islamistët ashtu dhe të majtët të kenë rënë përmbys mbi Linda Sarsour-in. Nëse ajo është ylli me të cilin ata mburren, atëherë konservatorët mund të flenë të qetë.