Gjatë një prej ndalesave në turin e tij të "Falenderimit", Donald Trump deklaroi në 1 dhjetor (në segmentin 1:28:13-1:29:15):
Ne do të ndjekim një politikë të re të jashtme që më së fundi nxjerr mësime nga gabimet e të kaluarës. Nuk do të kërkojmë më të rrëzojmë e të përmbysim qeveri, o njerëz. Kujtoni vetëm diçka - $6 trilionë, 6 trilionë [të harxhuar] në Lindjen e Mesme, 6 trilionë. Qëllimi ynë është stabiliteti, jo kaosi, sepse ajo që duam është të ndërtojmë vendin tonë [Shtetet e Bashkuara]. Ka ardhur koha, ka ardhur koha. Do të bëhemi partnerë të cilitdo komb që dëshiron të bashkohet me ne në përpjekjet për të mundur ISIS-in dhe terrorizmin radikal islamik - ja kështu pra, t'i thërrasim gjërat me emrin që kanë, t'i thërrasim gjërat me emrin që kanë. Në tratativat tona me vendet e tjera, do të shohim ku ka ka vend e mundësi për interesa të përbashkëta si dhe do të jemi në gjurmim të një periudhe të re paqeje, mirëkuptimi dhe vullneti të mirë.
Pasazhet kyçe janë "Nuk do të kërkojmë më të rrëzojmë e të përmbysim qeveri", "Do të bëhemi partnerë të cilitdo komb që dëshiron të bashkohet me ne në përpjekjet për të mundur ISIS-in dhe terrorizmin radikal islamik" dhe "Do të shohim ku ka ka vend e mundësi për interesa të përbashkëta".
Si t'i kuptojmë këto tre deklarime? Gerald Seibit të gazetës "Wall Street Journal", që ishte i pari që vuri re këtë pasazh, iu duk "i mbarsur me kuptim të thellë" dhe doli me konkluzionin që Trumpi "do të jetë i çliruar nga pesha e nevojës për konsekuencë apo besnikëri ndaj cilësdo suazë ideologjike".
Unë e kuptoj ndryshe. Ajo që thotë Trumpi është: "Përveçse kur bëhet fjalë për ISIS-in, unë nuk do të përsëris një Irak apo Libi tjetër, por dua të gjej mënyra për të punuar me regjimet egzistuese. Nuk dua të harxhoj paratë e taksapaguesve në Lindjen e Mesme (apo, duke e çuar argumentin pak më tutje, të sakrifikoj jetë amerikanësh). Me këto fjalë, ai duket se po distancohet nga Xhorxh W. Bushi dhe nga Barak Obama, të cilët i sheh si tejet ambiciozë dhe që kanë ngecur në dhunën në rajon.
Dakord, nëse të ecën. Por, siç e kanë provuar zakonisht udhëheqësit amerikanë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhuna nuk të le të shohësh punën tënde. Duke përmbledhur një thënie të Trockit, ti mund të mos tregosh interes për Lindjen e Mesme, por është Lindja e Mesme që tregon interes për ty.
Vetëm pas pak muajsh si diplomat i lartë i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Shulci konstatoi diçka që ia vlen ta kujtosh, "Nëse nuk bën diçka për të, atëherë 100% të kohës si Sekretar Shteti do të të duhet ta kalosh duke u marrë me Lindjen e Mesme. është një subjekt që të cfilit dhe që të vërsulet gjatë të gjithë kohës". Pasardhësi i Shulcit, Xhejms Bejkër, ia kushtoi gati gjysmën e librit të kujtimeve të tij si Sekretar Shteti, Lindjes së Mesme. Unë vetë, njëherë, i pata vënë pasardhësit të tij, Uorren Kristofer, nofkën "Sekretar i Shtetit për Lindjen e Mesme".
Sekretarët amerikanë të Shtetit (nga e majt, Kisinxher, Bejkër, Ollbrajt, Pouell, Klinton) kanë patur gjithnjë prirjen për të harxhuar një përqindje të tepruar të kohës duke u marrë me çështjet e Lindjes së Mesme. |
Bill Klintoni e ka pritur Jaser Arafatin në Zyrën Ovale më shumë se cilindo autoritet tjetër të një vendi të huaj. Në periudhën mes 11 Shtatorit dhe luftrave në Afganistan e Irak, çështja e Lindjes së Mesme më shumë se asnjë çështje tjetër ravijëzoi qeverisjen e Xhorxh W. Bushit. Barak Obama doli në dritë si figurë politike kur iu kundërvu luftës në Irak dhe [pësoi] poshtërimin më të madh në rastin e Sirisë.
Trump dhe ekipi i tij nuk mund ta përzënë me një të lëvizur të dorës Marrëveshjen me Iranin, luftërat civile në Libi, Siri, Irak dhe Jemen, islamizmin, imigrimin e pakontrolluar, daljen jashtë kontrolli të Erdoganit, Sisin që ka marrë kot, problemet financiare të sauditëve, politikën rexheksioniste të palestinezëve, çmimin e energjisë, trafikun e drogës dhe më tej. Për më tepër, përpjekja e posaçme për të vënë theksin mbi termin "terrorizëm radikal islamik" dhe për të shpallur synimin që ta zhvendosë ambasadën e Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem sinjalizon gjithshka, por jo gatishmërinë për t'i kthyer shpinën çështjes së Lindjes së Mesme.
Do apo nuk do, këto gjëra kërkojnë një politikë të hartuar me kujdes. Ndryshe nga Gerald Seibi, unë parashikoj që rreshtat e thjeshtë e të hedhur pakujdes nga Trumpi mbi Lindjen e Mesme nuk do të lënë shumë gjurmë.