Plot, 20 vjet më parë, një kryeministër i sapozgjedhur i Izraelit, Binyamin Netanyahu në mënyrë dramatike deklaroi përpara një seance të përbashkët të dy dhomave të Kongresit Amerikan:
Jemi shumë mirënjohës për gjithshka që na është dhënë nga Shtetet e Bashkuara, për gjithshka që na është dhënë nga kjo sallë, nga ky institucion. Por, unë besoj se nuk ka nderim më të madh ndaj ndihmës kohëgjatë ekonomike amerikane ndaj Izraelit sesa që sot të jemi në gjendje të themi: "Do të arrijmë pavarësinë tonë ekonomike. Do ta bëjmë. Në katër vitet e ardhshme, do të fillojmë procesin e gjatë të zvogëlimit të shkllëzuar të ndihmës suaj bujare ekonomike ndaj Izraelit". Jam i bindur se politikat tona ekonomike do të hedhin themelet për të qendruar me këmbët tona dhe për një fuqi të madhe ekonomike.
Netanyahu duke folur përpara Kongresit, në korrik 1996. |
Ndonëse Netanyahu ka qenë kryeministër për gati gjysmën e viteve që kanë rrjedhur që nga fjalimi i korrikut 1996 dhe ndihma ekonomike ka përfunduar në 2007, ajo në fushën ushtarake nga SHBA pothuajse është dyfishuar dhe vijon të rritet. Vërtet, zyra e Netanyahut sapo ka njoftuar për dërgimin e një emisari në Washington për të nënshkruar "një MoU [memorandum mirëkuptimi] të ri, ndërmjet të dy vendeve sa më shpejt që të jetë e mundur", për të përshpejtuar transfertën vjetore të 3,8 miliardë fonde amerikane për dekadën e ardhshme në Izrael.
E megjithatë, synimi i atëhershëm i Netanyahut për vetëmjaftueshmëri ishte i saktë. (Unë e trajtoj ndihmën ekonomike dhe ushtarake si ekuivalente funksionalisht sepse të dyja përfshijnë transferime të këmbyeshme parash.) Studime pafund kanë qartësuar tashmë se ndihma nga jashtë, që filloi pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh në rritjen ekonomike. Politikat e mençura – tregjet e lira, çmimet ekuitable, inkurajimi i eksporteve, dhe respektimi i rregullave të disiplinuara makroekonomike – kanë shumë më tepër rëndësi. Vendet me politikat e duhura ecin mirë në garën e zhvillimit; ato nuk dalin keq, sado ndihmë nga jashtë që t'u japësh.
Qysh në 1966, ekonomisti Albert O. Hirschman komentoi që të gjitha projektet e zhvillimit janë "të mbytura me probleme" Gjatë karrierës së tij të shquar, Peter T. Bauer argumentoi se ndihma nga jashtë (e përmbledhur me shprehjen e tij sardonike "një proces në të cilin të varfërit në vendet e pasura mbajnë me para të pasurit në vendet e varfëra") jo vetëm që ka dështuar por ka pasur edhe një gamë të gjerë efektesh fatkeqe mbi vendet përfituese.
Ky model është vërtetuar edhe në Izrael. Joel Bainerman, një gazetar ekonomic, tregoi në një artikull të 1995 në revistën "Middle East Quarterly", se ndihma amerikane "sjell përfitime afatshkurtra por dëmton aftësinë afatgjatë të vendit për të konkurruar", duke shtrëmbëruar ekonominë. Për shembull, ka sjellë ndërtimin e pallateve të banimit në vende të gabuara dhe ka shkaktuar konsum të fryrë artificialisht. Ajo ka shkaktuar gjithashtu kufizim të sovranitetit të Izraelit sepse Jeruzalemi ka qenë i detyruar t'i bindej bamirësit të tij në Washington.
Për fat të mirë, edhe nëse Netanyahut i ka ikur nga vëmendja vizioni i tij fillestar, ka të tjerë që e kanë mbajtur gjallë. Veçanërisht, siç citohet edhe në shkrimin "Ish-gjenerali izraelit: Ndihma e SHBA-së dëmton dhe korrupton" nga Barbara Opall-Rome, një ish-gjeneral mbresëlënës ka arritur në përfundimin se vendi i tij do të ishte shumë më mirë – dhe lidhja SHBA-Izrael shumë më e fortë – nëse dhurimet ushtarake amerikane do të pakësoheshin.
Gjeneral-Majori rezervist Gershon Hakohen, dikur komandant i Korpusit Verior të Izraelit dhe tani studjues në Qendrën Begin-Sadat për Studime Strategjike (BESA), ka konluduar që ndihma amerikane "dëmton dhe korrupton" Izraelin dhe argumenton në favor të pakësimeve të kësaj ndihme: "nëse kjo do të bëhej në mënyrë të llogaritur e të planifikuar mirë, do të risillte sovranitetin tonë, vetëmjaftueshmërinë tonë ushtarake, dhe kapacitetin tonë industrial".
Gjeneral-Majori rezervist Gershon Hakohen, dikur komandant i Korpusit Verior të Izraelit dhe tani studjues, në Qendrën Begin-Sadat për Studime Strategjike (BESA). |
Hakohen sjell një argument që sfidon intuitën sipas të cilit varësia e Izraelit ndaj ndihmës së parashikueshme afatgjatë amerikane, i shërben më shumë interesave të SHBA-së sesa atyre të Izraelit. Kjo ndodh sepse ajo që ai e quan "varësia totale" e Izraelit ndaj ndihmës së SHBA-së shton varësinë e verbër të Izraelit në fuqinë ajrore ndërsa dekurajon të mendurarin novator për aftësitë luftarake tokësore.
"Izraeli është kaq i varur nga platformat dhe armatimet e përparuara të SHBA-së që na dërgojnë saqë kemi ndaluar së menduari në mënyrë krijuese, në kuadër të koncepteve operacionale. Për breza me radhë, kemi ngecur në shtrydhjen e trurit se sit ë përmirësohemi teknologjikisht; dhe kjo nuk është nevojshmërisht mënyra e duhur e të menduarit kur ke përballë armiq që ndryshojnë vazhdimisht në konflikte asimetrike. ... shija e keqe e gjërave që arrijmë me forcat tona është më e preferueshme sesa privilegjet e ëmbla që na burgosin".
Për më tepër, çlirimi nga ndihma e amerikanëve eliminon edhe një burim të madh tensionesh: "Në momentin që nuk do të jemi më ekonomisht të varur prej tyre, partneriteti do të lulëzojë".
Për njerëzit, në jetë, është më mirë kur mbahen me forcat e tyre, por po kështu është edhe për shtetet. Izrael ka një GDP prej më shumë se $300 miliardësh dhe të ardhura vjetore për kokë $40.000. Qeveria e SHBA-së do të ketë një aleat më të mirë nëse në mënyrë inteligjente e përfundon marrëdhënien e ndihmës.