Çdo qeveri kryesore e dënoi përpjekjen për grusht shteti në Turqi, ashtu si bënë edhe të katër partitë me përfaqësues në parlamentin turk. Po kështu bëri edhe Fethullah Gylen, figura fetare që po akuzohet se ka qenë pas përpjekjes për të marrë pushtetin.
E gjitha kjo më bën që të ndihem paksa i vetmuar, pasi shkrova një tuit të premten, pak pas fillimit të revoltës, "#Erdoğan vodhi zgjedhjet e fundit në #Turqi dhe sundon në mënyrë despotike. E meriton të rrëzohet me grusht ushtarak. Shpresoj të ketë sukses".
Duke mbetur në një pakicë prej gati një njeriu të vetëm them se një shpjegim pak më i gjatë se 140 shkronja është i nevojshëm. Tri arsye më shtynë për të mbështetur rrëzimin e presidentit të zgjedhur në pamje të parë në mënyrë demokratike dhe që qeveris, në pamje të parë në mënyrë demokratike, Rexhep Tajip Erdoganin, nga ato që në pamje të parë duken si forca reaksioni.
Erdogani vodhi zgjedhjet. Erdogani është një islamist që doli fillimisht në pah si kryebashkiak i Stambollit dhe kryeministër i Turqisë, duke respektuar rregullat e lojës. Mirëpo, me kalimin e kohës, ai u bë gjithnjë e më përbuzës ndaj këtyre rregullave, në mënyrë të veçantë atyre zgjedhore. Ai monopolizoi median shtetërore, inkurajoi në heshtje sulmet fizike mbi anëtarë të partive opozitare, dhe vodhi vota. Në veçanti, zgjedhjet e fundit të 1 nëntorit, dëshmuan shenja të shumta manipulimi.
Erdogani sundon në mënyrë despotike. Erdogani ka vënë nën kontrollin e tij njëri-pas-tjetrit institutet e vendit, duke vazhduar edhe në këto dy vjet që kur u bë president, një post që ka qenë kushtetueshmërisht dhe historikisht jopolitik. Rezultati? Një pjesë gjithnjë e më e madhe e turqve po punojnë drejtpërdrejt nën kontrollin e tij apo të shërbëtorëve të tij: kryeministri, qeveria, gjykatësit, policë, mësues, bankierë, pronarë të medias, dhe udhëheqës të tjerë biznesi. Udhëheqja ushtarake i është nënshtruar Erdoganit miëpo, siç e konfirmoi edhe përpjekja për grusht shteti, korpusi i oficerëve ka mbetur si i vetmi institucion ende jashtë kontrollit të tij të drejtpërdrejtë.
Erdogani i përdor fuqitë e tij despotike për synime dashakeqëse, duke zhvilluar praktikisht një luftë civile kundër kurdëve në Turqinë juglindore, duke ndihmuar ISIS-in, duke iu imponuar fqinjëve dhe duke promovuar islamizmin sunit.
Luftimet ndërmjet kurdëve dhe policisë ka shkaktuar mjaft dëme në rajonin Gazi të Stambollit. |
Ndërhyrja ushtarake ka pasur sukses në të kaluarën në Turqi. Turqia është vendi ku grushtet ushtarake kanë pasur efektin më pozitiv. Në të katër grushtet modern (1960, 1971, 1980, 1997), shtabi i përgjithshëm ka treguar një mirëkuptim të disiplinuar të rolit të tij – për të riorientuar shtetin për t'u tërhequr pastaj përsëri nga politika. Qendrimi në pushtet ka zgjatur përkatësisht, pesë vjet, dy vjet e gjysëm, tre vjet, dhe zero vjet.
Turqia do të përfitonte nga një periudhë e shkurtër ripozicionimi ushtarak që do t'i jepte fund sundimit gjithnjë e më të paligjshëm të Erdoganit, edhe nëse kjo do të bëhej duke e zëvendësuar atë me një figurë më të arsyeshme islamiste nga vetë partia e tij si për shembull Abdullah Gyl apo Ali Babaxhan.
Sipas fjalëve të paharrueshme të Xhevik Bir, një figurë udhëheqëse në grushtin e vitit 1997: "Në Turqi hemi një martesë të Islamit dhe demokracisë. ... Fëmija nga kjo martesë është sekularizmi. Tani, ky fëmijë sëmuret herë pas here. Forcat e Armatosura Turke janë doktori që shpëton fëmijën". Ky fëmijë tani është shumë i sëmurë dhe ka nevojë për mjekun e tij. Për fat të keq, doktori u pengua kësaj here. Kush e di se sa keq do të bëhet tani që sëmundja do të përhapet.
Gjen. Xhevik Bir më dhuroi një suvenir në selinë qendrore ushtarake në Ankara, më 1997. |
Një ide fillestare për të ardhmen na është dhënë tani: 6,000 turq janë qysh tani në qeli, mbi 3,000 gjykatës dhe prokurorë janë pushuar nga puna, ndërsa marrëdhëniet me Uashingtonin janë përshkallëzuar deri në një situatë të mundshme krize për shkak të kërkesës së Erdoganit për ekstradimin e Gylenit. Sado e shtrembër rruga e ndjekur në të kaluarën, e ardhmja ngjan akoma më e tmerrshme.
Unë e përsëri parashikimin tim se rrëzimi i Erdoganit do të vijë nga marrëdhëniet e jashtme. Duke zbatuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, të njëjtën prirje për luftë që i ka ecur mjaft mirë në planin e brendshëm, ai do të gjejë fundin kur të tregohet më agresiv se sa i mban takati. Do të paguajë një çmim të rëndë, por Turqia të paktën do të heqë qafe këtë megalomaniak.
Shtesë e 26 korrikut, 2016: Treguesit sugjerojnë se nëse grushti i shtetit ka qenë i vërtetë, ai ka qenë një përpjekje pro-Atlanticiste, pro-NATO, pro-SHBA. Semih Idiz shkruan në "Al-Monitor" mbi pikëpamjet e Pas Admiralit në pension Xhem Gyrdeniz:
Në një intervistë me të përditshmen "Hürriyet", Gyrdeniz thotë se ka ekzistuar gjithnjë një betejë ndërmjet "Atlanticistëve" dhe "kampit të Euroazisë" në ushtri. Ai thotë se nëse grushti do të kishte qenë i suksesshëm, Turqia do të ishte bërë pjesë e planeve "atlanticiste", në dëm të madh të saj. "Humbjet do të përfshinin deklaratën e një Kurdistani të pavarur, autonomy [për kurdët] në Anatolinë juglindore dhe humbjen e Qipros".
Komenti im: Një arsye më të tepër për të uruar që grushti të kishte pasur sukses.