Arabia Saudite mund të jetë vendi më i ndryshëm në botë nga Shtetet e Bashkuara, sidomos kur vjen puna te feja. Një projektligj i rëndësishëm i propozuar nga kongresisti Dave Brat (Republikan nga Virxhinia) synon të marrë nismën për të ndryshuar këtë mospërputhje monumentale.
Gjykojini vetë këto dallime: Sekularizmi është parim themelor i SHBA-së, i shenjtëruar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës; në dallim nga kjo, Kurani dhe Suna janë kushtetuta saudite, e sanksionuar në nenin e parë të Ligjit Bazë.
Çdokush mund të ndërtojë një strukturë fetare të çfarëdo natyre në Shtetet e Bashkuara, kështu që edhe sauditët mund të financojnë xhami pas xhamie. Mirëpo, në mbretërinë e tyre, lejohen vetëm xhami; nuk ka as edhe një kishë të vetme – apo as edhe një sinagogë, apo tempull hindu, sikh, jain apo baha'i. Sinjalet gati dhjetë vjet të vjetra se gjoja sauditët do të lejonin më në fund kishën e parë nuk janë bërë realitet, po mesa duket shërbejnë vetëm si taktika vonuese.
Lutu si të duash në Amerikë, sa kohë që nuk shkel ligjin. Jomyslimanët që luten me të tjerët në Arabinë Saudite quhet që po bëjnë aktivitet ilegal që mund t'i çojë në pranga njësoj si të ishin duke marrë pjesë në ndonjë orgji droge.
Shtetet e Bashkuara, sigurisht, nuk kanë qytete të shenjta ku lejohen vetëm njerëz të një feje specifike. Arabia Saudite ka dy të tilla, Mekën dhe Medinën; të ndaluarin që guxojnë të hyjnë, nëse kapen, do të vuajnë "dënim shumë të rëndë" si shprehen në mënyrë delikate autoritetet saudite.
Meka, një nga dy qytetet e ndaluara për jomyslimanët, në Arabinë Saudite (tjetri është Medina). |
Me përjashtime të rralla (dhe mbase të paligjshme), qeveria amerikane nuk financon institucione fetare jashtë vendit (madje përjashtime mund të ketë vetëm për disa institucione islamike). Ndryshe nga kjo, monarkia saudite ka shpenzuar në rang botëror rreth 100 miliardë dollarë për të përhapur versionin Uahabi të Islamit. Ata që kanë dalë nga shkollat uahabiste të financuar nga sauditët shpesh kanë qenë të prirur për dhunë politike kundër jomyslimanëve.
Sauditët, në mënyrë arrogante, nuk i kanë fshehur asnjëherë shpenzimet e tyre për promovimin e Uahabizmit. Për shembull, në një raport të vitit 2005, Shtëpia e Lirisë (Freedom House) shqyrtoi literaturën ekstremiste me të cilin ushqejnë publikun institucionet e financuara nga sauditët dhe arriti në përfundimin se paraqet "një kërcënim të rëndë për jomyslimanët madje edhe për vetë komunitetin mysliman". Mbretëria ka dhënë gjithashtu grante të shumta dhe bujare për Këshillin e Marrëdhëniece Amerikano-Islamike (CAIR), organizatës më agreive dhe efektive islamiste në Shtetet e Bashkuara.
Kjo mospërputhje, një version i të cilit ekziston në çdo vend perëndimor, kërkon një zgjidhje. Disa qeveri perëndimore kanë ndërmarrë hapa ad hoc, të posaçëm për t'u përballur me të.
- Në 2007, qeveria australiane hodhi poshtë një kërkesë saudite për të dërguar fonde për Shoqërinë Islamike të Australisë Jugore për të ndihmuar në ndërtimin e një xhamie të re. "Qartazi ne nuk duam asnjë organizatë ekstremiste që të depërtojë në Australi", shpjegoi në atëkohë ministri i Jashtëm, Aleksander Dauner. Tetë vite më vonë, kabllot diplomatike saudite, të zbuluara nga WikiLeaks provoi interesin intensive të mbretërisë për të ndikuar politikën islamike në Australi.
- Në 2008, sauditët ofruan të financojnë ndërtimin e një xhamie dhe të një qendre kulturore islamike në Moskë, duke bërë që tre grupe ortodokse ruse t'i shkruanin një letër të hapur Mbretit të atëhershëm Abdullah duke i kërkuar që mbretëria e tij, në shkëmbim, të anullonte ndalimin e kishave.
- Në 2010, Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre refuzoi financimin saudit për një xhami me arsyetimin se në mbretërinë saudite mungojnë liritë themelore fetare.
- Në korrik, i ndikuar nga sulmet e shumta gjatë 18 muajve që vranë 236 njerëz në tokën francize, kryeministri Manuel Valls hodhi idenë e ndalimit të financimeve të huaja për xhamitë vendase, "për një periudhë të caktuar kohe", duke provokuar një debat të ashpër.
Këto përgjigje të rastit, mund të kënaqin votuesit por nuk sjellin pothuajse asnjë ndryshim real. Për atë, nevojitet diçka më shumë; legjislacioni.
Projektligji i propozuar nga Brat, H.R. 5824, "Akti për Forcimin e Reciprocitetit Ndërkombëtar të Lirisë Fetare" e bën të paligjshëm "që shtetasit e huaj të një vendi që kufizon shprehjen e lirë të fesë, të bëjë shpenzime në Shtetet e Bashkuara për të promovuar fenë në SHBA apo për synime të tjera". Tungjajtjeta, Arabia Saudite!
Të "promovosh lirinë", përfshin edhe financimin e "shërbimeve fetare, arsimin fetar, veprimtarinë evangjelike, dhe botimin e shpërndarjen e letërsisë fetare". Nëse financimi vijon duke injoruar këtë ligj, atëhere qeveria e SHBA-së mund të konfiskojë pasuritë.
Duhet ende punë në këtë ligj: aty nuk përmenden ndërtesat fetare, nuk ofrohet ndonjë kriter për konfiskimin e pronës, dhe nuk tregohet se kush do ta bëjë konfiskimin. Por, është një fillim i mbarë. Unë e përgëzoj dhe kërkoj urgjentisht marrjen nën shqyrtim dhe miratimin e tij.
Amerikanët nuk mund t'i nënshtrohen veprimeve të njëanshme agresive të Riadit (apo, në mënyrë të ngjashme, Teheranit dhe Dohës) që shfrytëzojnë pasuritë e tyre të naftës për të mbytur parimet sekulariste të jetës perëndimore. Duhet ta mbrojmë veten.