Partia Republikane emëroi Donald Trump si kandidat për president të Shteteve të Bashkuara – dhe unë u përgjigja duke i dhënë fund anëtarësisë sime prej 44 vitesh në GOP (shkurtesë amerikane për Partinë e Vjetër të Madhe – shënim i përkthyeses).
Ja pse u tërhoqa, u dorëhoqa dhe ndërrova krah.
Së pari, karakteri harbut, egoist, foshnjërak dhe i padurueshëm që Trump e gërsheton me krenarinë për injorancën e vet, caktimin e politikave si i vjen për momentin dhe prirjet e tij neofashiste e bëjnë atë kandidatin serioz presidencial më përçarës e më të frikshëm në historinë amerikane. Ai është saktësisht "njeriu për të cilin druheshin baballarët e Amerikës", duke cituar shprehjen e paharrueshme të Peter Wehner dhe unë nuk dua të jem pjesë e kësaj.
Ja si duket një konservatore e vërtetë: Margaret Thatcher me autorin, në 1996. |
Së dyti, përdredhja e tij mbi çështjet ("çdo gjë është e negociushme") do të thotë se, si president, ai ka mandate të bëjë çfarëdo që t'i mbushet mendja të bëjë. Ky perspektivë e paparë dhe tmerruese mund të përfshijë edhe hedhjen në gjyq të reporterëve apo buldozimin e Kongresit nëse nuk bindet. Mund të nënkuptojë edhe ligjin marcial. Mos më llogarisni aty.
Së treti, me përjashtime të nderuara, do të doja të distancohesha edhe nga establishmenti i Partisë Republikane, që ka bërë paqe me Trump deri në pikën sa që në mënyrë të padrejtë shtypi elementët që në konventën kombëtare, në Klivlend, u përpoqën t'i bënin qendresë emërimit të tij si kandidat. Po, politikanët dhe donatorët duhet të përqendrohen menjëherë në çështjet e çastit (emërimet në Gjykatën Supreme), por udhëheqësit partiakë si kryetari i komitetit të GOP, si Reince gabuan duke u dorëzuar te Trump. Siç vë re me shumë ironi edhe kolumnisti Michael Gerson, Trump "e sulmoi establishmentin republikan si me energji –të-ulët, ngordhësira të frikësuara. Tani, udhëheqësit republikanë po vihen në rresht për t'iu dorëzuar – pikërisht si me energji-të-ulët, ngordhësira të frikësuara".
Së katërti, lëvizja konservatore, të cilës i përkas është zhvilluar që prej viteve 1950 në një forca madhore intelektuale. Ajo e ka bërë këtë duke u mbështetur në disa ide kyçe (qeveri e kufizuar, një rend moral, dhe një politikë të jashtme që pasqyron interesat dhe vlerat amerikane). Mirëpo, humnerra kulturore dhe ankthi kushtues i një presidencë me Trump mesiguri do ta shkatërronte këtë krijim delikat. Në mënyrë ironike, një presidencë me Hillary Clinton rreikon vendosjen e gjykatësve të këqinj në Gjykatën Supreme, por lëvizjen konservatore e lë të paprekur.
Së fundi, Trump është "një mburravec injorant, amoral, i pandershëm dhe manipulues, misogjinist, donzhuan, super-sherraxhi, izolacionist", siç e ka përshkruar donator republikan Michael K. Vlock. Kjo listë e bukur cilësish do të thotë që mbështetja për Trump është heqje dorë përgjithmonë nga mundësia për të kritikuar ndonjë demokrat në bazë të karakterit. Apo, e thënë në mënyrë personale: si mund ta shohë më pastaj dikush veten në pasqyrë?
Dhe kështu, pasi Trump mori emërimin zyrtar, unë dola.
Që Partia Republikane të ripërtërijë shpirtin e saj, Trump duhet të shpartallohet në nëntor. Të spastrohet ndikimi i tij, që të rinërtohet partia e Linkolnit dhe e Reaganit.
Deri atëhere do të mbështes kandidatë të tjerë republikanë, sidomos të shkëlqyerin nga Pennsylvania, Senatorin Pat Toomey. Ndërsa për president? Ose libertarianin Gary Johnson, një kandidat emrin e të cilit mund ta shkruash fletëvotim, ose asnjë tjetër.