Marrëveshja Sykes-Picot (Sajks-Piko) që ka formuar dhe shformuar Lindjen e Mesme moderne u nënshkrua rreth 100 vjet më parë, në 16 maj, 1916. Në këtë marrëveshje, Mark Sykes për britanikët dhe François Georges-Picot për francezët, me pjesëmarrjen gjithashtu të rusëve, ndanë shumicën e rajonit, duke lënë pa zgjidhur vetëm detaje të imëta që kishin të bënin me Fuqitë Qendrore që u mposhtën në Luftën e Parë Botërore.
Sykes-Picot (emir zyrtar në fakt është Marrëveshja e Azisë së Vogël) ia vlen të kujtohet për shkak se dy gabime të thella të tyre rrezikohen që të përsëriten: njëri është çështje forme, tjetri është çështje thelbësore.
Mark Sykes (majtas) dhe François Georges-Picot (djathtas). |
Forma: E negociuar fshehtas nga tre fuqi perandorake europeane, ajo u bë një symbol i dredhisë europiane. Aspak e habitshme që Fuqitë Aleate të cilat copëtuan fshehtas pjesën qendrore të Lindjes së Mesme, pa u këshilluar me banorët vendas shkaktuan reagime plot zemërim (George Antonius, shkroi në 1938: "një dokument shokues ... prodhim i pangopshmërisë më të keqe ... një akt i habitshëm për dyfytyrësinë e vet"). Sykes-Picot krijoi terrenin për përhapjen me pasoja shumë të thella të mentalitetit të komplotit nga i cili nuk ka rreshtur së vuajturi ky rajon.
Sykes-Picot krijoi një shtëllungë frike ndaj ndërhyrjes nga jashtë që shpjegon prirjen ende shumë të përhapur për të zbuluar orë e çast arsye të fshehura pas synimeve të deklaruara. Në 1916, ajo që dukej si një ndarje e mençur e territoreve mes aleatëve u kthye në një akt që krijoi terrenin për një shekull të tërë dyshimi, frike, ekstremizmi, dhune dhe paqendrueshmërie. Sykes-Picot kontribuoi thelbësisht që Lindja e Mesme të bëhej rajoni i sëmurë që është sot.
Thelbi: E thënë thjesht, Franca mori Sirinë dhe Libanin, Britania mori Palestinën dhe Irakun. Por operacionalisht nuk ishte aq e lehtë, sepse kufijtë, administratat dhe pretendimet konkurruese kërkonin zgjidhje. Për shembull, forcat franceze shkatërruan mbretërinë që njihej në Siri. Winston Churchill një mbasdite të bukur shpiku një vend që sot njihet si Jordania. Nga presioni i katolikëve libanezë, qeveria franceze rriti sipërfaqen e Libanit, në kurriz të Sirisë.
Por, çështja më e madhe, sigurisht, ishte jo e zotërimit të Tokës së Shenjtë, apo Palestinës një problem i ndërlikuar ngaqë Londra ia kishte premtuar në vija të përgjithshme këtë tokë si arabëve (në korrespondencën McMahon-Hussein në janar 1916) ashtu edhe zionistëve (në Deklaratën e Balfour në nëntor 1917). Duket se Londra jo vetëm që e kishte shitur të njëjtën tokë dy herë, por edhe kishte vënë kundër njëri-tjetrit arabët dhe hebrenjtë për të siguruar që të mbetej vetë (sipas Sykes-Picot) në zotërim të saj.
Harta që shoqëroi marrëveshjen Sykes-Picot. |
Me avantazhin që e gjykojmë pas një shekulli kohë, mund të themi se Sykes-Picot pati një ndikim pothuajse tërësisht negativ pa asnjë cilësi justifikuese. Shtroi themelet për shtetet abuzuese të Sirisë dhe Irakut, për luftën civile libaneze si dhe përshkallëzoi konfliktin arabo-izraelit
Në 100-vjetorin e saj, arritja qendrore e Sykes-Picot, krijimi i shteteve të Sirisë dhe Irakut duket se është në prag të rrënimit. Paralelisht për çudi, të dyja janë shndërruar me shpejtësi nga diktatura të plotfuqishme totalitariane të Hafez al-Assad dhe Saddam Hussein në tre mikro-shtete. Të dyja kanë nga një qeveri qendrore, kryesisht shia, të mbështetur nga Irani; nga një opozitë sunite me mbështetje turke e saudite; dhe nga një force kurde të mbështetur nga SHBA e Rusia.
Saddam Hussein i Irakut (majtas) dhe Hafez al-Assad i Sirisë (djathtas) në 1979. |
Shteti Islamik (ndryshe ISIS, ISIL apo Daesh) shpalli "fundin e Sykes-Picot" kur zhduku pikat kufitare përgjatë vijës Siri-Irak; gjithësesi, shumë vëzhgues, duke më përfshirë edhe mua, e shohim frakturimin e këtyre dy shteteve të dhunshme në gjashtë mini-shtete si një gjë të mirë, sepse shtetet e vogla janë më homogjene dhe më pak të fuqishme sesa regjimet e mëparshme.
Sykes-Picot ka një mësim për ditët tona, që është i thjeshtë dhe i rëndësishëm: fuqitë e huaja nuk duhet të provojnë që të vendosin në mënyrë të njëanshme fatin e rajoneve të largëta dhe sidomos jo jo fshehtas. Kjo mund të tingëllojë pak si një këshillë e vonuar dhe që të gjithë e marrin me mend, mirëpo në një kohë shtetesh të dështuara dhe anarkie, fuqitë janë përsëri të joshura që të marrin situatën në dorë, siç bënë në Siri, në 2011, ku ndërhyrja e tyre dështoi tmerrësisht. Përpjekje të ngjashme mund të ndodhen përpara nesh në Siri, Irak dhe Jemen. Përtej këtyre konflikteve Michael Bernstam nga Hoover Institution ka argumentuar për një rivizatim të "hartës së vjetëruar dhe artificiale" të rajonit.
Jo. Më mirë se të kërkojmë të imponojnë vullnetin e tyre mbi një rajon të dobët dhe anarkik, fuqitë duhet të durojnë e të rrinë mënjanë duke u kujtuar banorëve të rajonit që marrin përgjegjësinë që u takon. Në vend që të trajtojnë popujt e Lindjes së Mesme si fëmijë të përjetshëm, të huajt duhet t'i shohin sit ë rritur dhe t'i ndihmojnë që t'ia dalin mbanë. Vetëm në këtë mënyrë, me kalimin e kohës, Lindja e Mesme, e paqendrueshme, brutale dhe e dështuar do të zhvillohet në diçka më të mirë. Vetëm në këtë mënyrë, ajo do të kapërcejë trashëgiminë e poshtër të Sykes-Picot.