ABU DHABI – Në një rajon luftrash civile (Siri, Jemen, Libi), diktaturash që po çimentohen (Turqi, Egjipt), armatimi bërthamor (Iran) dhe katastrofa të mundshme ujore (Irak), ku tjetër përveç Izraelit mund të gjejë njeriu jetë të mirë në Lindjen e Mesme? Mbase për çudi, në Emiratet e Bashkuara Araba, një vend në Gjirin Persik.
Megjithë sfidat e shumta të vendit – afërsia me Iranin dhe Irakun, mungesa pothuajse e plotë e burimeve të freskëta, rënia e çmimeve të naftës, 8/9 e popullsisë janë të huaj dhe me islamistë të dhunshëm që sillen rrotull –10 milion banorët e këtij vendi jetojnë mirë.
Dy fakte bazë janë në themel të kësaj. Së pari, EBA është një rast pothuajse i paparë se (ashtu si Zvicra), është një vend që qeveriset nga një komitet, që është gjithashtu unik në përbërjen e tij: shtatë sundimtarë të shtatë emirateve individuale. Më tej, këta sundimtarë janë pjesë e familjeve të zgjeruara dhe me ndikim të madh. Ky gërshetim e bën të vështirë që një individ i caktuar të dominojë vendin apo të mbretërojë si një narcisist. Në të njëjtën kohë, çdo sovran (në mënyrë të veçantë emiri i Dubait) gëzon pushtet të madh në zotërimin e tij, duke bërë kështu që çdo emirat të ketë karakterin e vet të veçantë.
Logoja e shtatë sundimtarëve për Ditën Kombëtare të ENA-s 2015. |
Së dyti, një marrëveshje mes sundimtarëve dhe të sunduarve konsiston në atë që të parët kanë autoritet të gjerë ndërsa të dytët gëzojnë qendrueshmëri dhe begati. Ashtu si në mbretëritë e tjera të Gjirit Persik (më përjashtimin disi të Kuvajtit), një kombinim i të kaluarës farefisnore dhe të tashmes së pasur me naftë ka krijuar një shoqëri, të cilën jepemerret e politikës pothuajse nuk ekzistojnë dhe janë zëvendësuar me një paternalizëm gjithëpërfshirës. Kjo i shtohet pushtetit të një qeverie e cila nuk ka nevojë të taksojë me protektivitetin e një kryetari fisi. Në vend të demokracisë, sundimtarët ofrojnë mbrëmje ceremoniale të hapura për të gjithë.
Paternalizmi nënkupton rregulla të thjeshta: Nuk mund të kundërshtosh sundimtarët. KUrrë mos u përpiq të kufizosh pushtetin e tyre. Respekto dekorin dhe vetëpërmbajtjen publike. Rezultati është një shoqëri e cila përqendrohet në marrëdhëniet familjare dhe shoqërore, në blerjet në mapo, zbavitjet, udhëtimet dhe kënaqësi të tjera të pafajshme për fëmijët, familjet dhe çiftet. Eroticizmi, ekstravanganca dhe radikalizmi nuk janë të mirëpritura. Lajmet nga EBA janë zakonisht të mërzitshme, për takime të emirit, për luhatjet e çmimit të naftës, për hapje dyqanesh, mbyllje urash, oraret e lutjeve dhe rezultatet e sporteve. Hoteli marramendës Atlantis, në Dubai, të kujton Las Vegasin, por pa bixhozin, dehjet dhe prostitucionin, të cilat janë në masa të ndryshme të ndaluara me ligj. Fshati Global, gjithashtu në Dubai, të jep ndjesinë e një vazhdimi të Disney-t.
Fshati Global, i Dubait, të jep ndjesinë e një vazhdimi të Disney-t. |
Në jetën private, banorët (si subjektet ashtu edhe emigrantët) nuk i bezdis njeri. Diskutimet politike, ideologjitë politike, alkooli, droga dhe seksi – të gjitha injorohen me kusht që të tregosh maturi dhe të mos cënosh asnjëherë rendin publik. Kamerat nga çatitë janë të kudondodhura por regjistrimet kontrollohen vetëm kur ka arsye specifike.
Ndonëse sistemi në përgjithësi funksionon mirë, të huajt e ndjejnë shumë kufizimin, kur janë të mësuar me bam-bumet e tregut të lirë politik, shprehjen maksimale të vetes dhe të drejtën për të sfiduar zakonet. Kushdo që dëshiron të shkelë kufijtë e vendosura nga Emiratet, do të bënte mirë që të jetonte tjetërkund, sepse ndëshkimet mund të jenë frikshmërisht të ashpra.
Dy shembuj: Një dyshe britanikësh u takuan në një branç që ofronte shampanjë pa kufi dhe pastaj, pa e menduar mirë, dolën në një plazh, për t'u puthur e përqafuar (sipas versionit të tyre) apo për të kryer marrëdhënie seksuale (versioni i qeverisë). Brenda një kohe të shkurtër, ata u detyruan të martohen, u gjobitën, pësuan probleme mendore, vuajtën një burgim tremujor dhe në fund u deportuan. Ndërsa një grua australiane, e nervozuar që një veturë kishte zënë dy vende parkimi të ndara për invalidët, të paktën dinte mjaftueshëm për zakonet emirate dhe e mbuloi targën përpara se ta fotografonte veturën për ta postuar në Facebook. E megjithatë, pronari i veturës ofenduese paraqiti një ankesë te autoritetet me akuzën se ishte fyer. Ata e arrestuan menjëherë australianen, e zhveshën për ta kontrolluar, e dënuan me gjyq, e burgosën dhe pastaj e deportuan.
Michelle Palmer dhe Vince Acors, ndanë plazhit. |
Më keq akoma, familjes në pushtet i falen të gjitha, sadokeq që të sillet. Issa bin Zayed Al Nahyan, një nga vëllezërit e sundimtarit të Abu Dhabi, filmoi veten duke torturuar në mënyrë sadiste dhe përpak duke e vrarë një tregëtar afgan, të cilin e kishte akuzuar se ia kishte punuar duke ia marrë 5,000 dollarë. Mirëpo – ndryshe nga rasti me gruan australiane – Issa nuk pati ndonjë pasojë sepse ministri i brendshëm, një tjetër vëlla i sundimtarit, e rregulloi që të shpallej i pafajshëm.
Fatmirësisht, për shkak të detyrimeve shoqërore, ky lloj depraviteti shihet rrallë në EBA. Krahasuar me shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme, Emiratet kanë gjetur një formulë për suksesin. Komiteti ka të metat e tij, por në krahasim me diktatorët që mbizotërojnë në vendet e afërta, duket shumë i mirë. Hipokrizia nuk meriton lavdërim, por është më mirë sesa shtypja fetare që shihet në Arabinë Saudite fqinje.
Përfundimi që nxjerr është i kujdesshëm. Çfarëdo të metash që të kenë EBA dhe ato janë plot, të kërkosh një qeveri më demokratike dhe një shoqëri të lirë aty rrezikon të shkatërrojë oazin e qetësisë duke ia hapur derën çakërdisjes që mbretëron në pjesën tjetër të rajonit. Më mirë të mbeten si janë dhe të inkurajohet ndikimi i tyre.
Shtesë e datës 11 prill, 2016: Sot, doli lajmi se një grua amerikane, 25-vjeç, është në gjyq se ka fyer EBA dhe udhëheqësit e saj, me anë të një sulmi verbal në Aeroportin e Abu Dhabit. Lexoni nëse arrini ta kuptoni këtë që shkruan gazeta "National": Ajo...
i tha gjykatës se ishte thjesht duke pritur për një taksi kur dy burra iu drejtuan por nuk u pëlqeu mënyra sesi u foli ajo. Gruaja i tha gjykatësit se nuk e kuptonte se pse ishte në gjyq dhe se asgjë nuk kishte ndodhur. "Burrat u përpoqën që të më ndihmojnë. Mirëpo unë kisha për të kapur një aeroplan tjetër që nisej në 1.29 AM. Nuk pranova që të merrem me ta dhe nuk ndodhi asgjë", tha jo. ... Gruaja tha se ndodhej në burg që prej 23 shkurtit dhe e pyeti gjykatësin nëse ishte e mundur që të pagunte një gjobë dhe të dilte nga burgu.