Mes shumë deklaratave shokuese të lëshuara nga Donald Trumpi gjatë fushatës, më të rëndësishmet janë ndoshta ato që kanë të bëjnë me rolin e tij si president i Shteteve të Bashkuara.
Kur i thanë që personeli me uniformë nuk do t'i bindej një urdhri të paligjshëm të tij si president për të torturuar të burgosurit dhe për të vrarë civilët, Trumpi në mënyrë kërcënuese u përgjigj "Nuk do të refuzojnë. Besomëni, nuk kanë për të refuzuar." Duke iu përgjigjur kritikës së bërë nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, Trumpi foli si të ishte një nga kapot e Mafias: "Paul Ryan, nuk e njoh mirë, por jam i sigurtë se do të shkojmë mirë bashkë. Po nëse nuk do ndodhë kështu? Atëherë ka për ta paguar shtrenjtë." Duke u ankuar për dobësimin e pozitës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, Trumpi premtoi që do t'i bëjë të huajt që "të respektojnë vendin tonë" dhe "të respektojnë udhëheqësin tonë" duke krijuar një "aureolë personaliteti." Lidhur me median, të cilat i sheh me përçmim, Trumpi deklaroi, "Do të risjell në fuqi ligjet kundër shpifjes kështu që kurdo që të shkruajnë artikuj qëllimisht të pavërtetë, negativë dhe të urryer, të mund t'i hedhim në gjyq dhe të nxjerrim kështu shumë para."
Ai i ka inkurajuar pjesëmarrësit në mitingjet e tij që të sulmojnë fizikisht kritikët si dhe ka ofruar t'u paguajë tarifat ligjore. Ka retweet-ur dy herë një figurë naziste amerikane dhe vetëm kur i bënë presion, me gjysëm zemre, e refuzoi mbështetjen nga David Duke dhe Ku Klus Klani. [Ai ende mban tek koka e krevatit një kopje të një përmbledhjeje fjalimesh të hershme të Hitlerit. Gjithashtu ai i bëri thirrje pasuesve të betoheshin përpara tij, duke evokuar përshëndetjen naziste.]
Në këtë mënyrë si dhe mënyra të tjera, kandidati republikan për president ka shkelur normat e politikës amerikane. Ai do që ushtria, kongresi, qeveritë e huaja, shtypi dhe qytetarët e thjeshtë t'i nënshtrohen vullnetit të tij. Ato çfarë kërkon ai kanë vlerë dhe jo disa dokumente të mykura të shekullit të 18-të. Trumpi e paraqet veten si miliarder, mjeshtër për të bërë marrëveshje si dhe si nacionalist që ua del në krye gjërave, pa e vrarë shumë mendjen për humbësit apo për bishtat që mund të dalin më vonë.
Këto prirje nuk kanë kaluar pa u vënë re nga konservatorët. Rich Lowry i National Review shkruan, "Donald Trump jeton në një botë ku nuk ka as Kongres e as Kushtetutë, as kompromise dhe as limite. Aty egziston vetëm vullneti i tij dhe ekipi i tij i ekspertëve." Michael Gerson i Washington Post-it është i të njëjtit mendim: "Përgjigja e thuajse të gjitha problemeve është ai vetë - aftësia e tij për të negociuar, vendosmëria për t'ia arritur qëllimit, mënyra e tij unike e të kuptuarit të vullnetit kombëtar." Jeff Jacoby i Boston Globe druhet se [Trumpi] mund të bëhet "një diktator i pamëshirshëm në Shtëpinë e Bardhë, të cilin nuk do të mund ta ndalin as normat kushtetuese e as rregullat demokratike."
Ish kryetari i Ligës Kundër Shpifjes (Anti Defamation League) e quajti xhestin e ngritjes së dorës për Trumpin si "xhest fashist." |
Edhe liberalët janë të të njëtit mendim. Carl Bernstein, i famshëm për kontributin e tij në zbulimin e skandalit të Watergate-it, e ka quajtur Trump-in "një lloj i ri fashisti në kulturën tonë" si dhe një njeri me "pikëpamje demagogjike dhe autoritariane." Hillary Clinton e ka portretizuar Trumpin si dikë që po ndjek një "rrugë demagogjike" e cila përdor ksenofobinë, paranojën, paragjykimet si dhe frymën nacionaliste "për të nxitur masat".
Ndonëse kjo lloj politike është e paprecedent në sferat e larta të politikës amerikane, ajo egziston dhe quhet : neo-fashizëm.
Termi "fashizëm" e ka zanafillën në vitin 1915 kur u përdor nga Benito Mussolini për të përshkruar një lëvizje të re e cila kombinonte elementë të së djathtës (nacionalizmin) me ato të së majtës (një shtet ekonomikisht i gjithëfuqishëm). Sipas përkufizimit të fjalorit amerikan Merriam-Webster, botëkuptimi fashist "ngre lart kombin dhe shpeshherë racën mbi individin dhe mbështet një qeveri të centralizuar autokratike të kryesuar nga një udhëheqës dikatorial, një organizim të rreptë ekonomik dhe social gati ushtarak si dhe shtypjen me dhunë të opozitës."
Neo-fashizëm është një term që përdoret për figurat e dala gjatë periudhës së pas vitit 1945 të cilat kanë bërë të vetat elementët e programit fashist; është një lëvizje politike "që karakterizohet nga politika që janë hartuar duke integruar principet bazë të fashizmit brenda sistemeve politike egzistuese." Neofashizmi e përshkruan më së miri Trumpin.
Videot e Musolinit tregojnë se si stili i diktatorit italian i ka paraprirë atij të kandidatit favorit të republikanëve; nuk është nevoja të dish italisht për të qenë në gjendje të dallosh ngjashmërinë mes tyre në karakter, në tonin e zërit dhe madje në shprehjet e fytyrës. Historiani i shquar Andrew Roberts ka parë tek Musolini "shabllonin sekret të Trumpit".
Musolini, "Shablloni sekret i Trumpit." |
Shtetet e Bashkuara, republika demokratike më e vjetër në botë, përballet tashmë me një rrezik të brendshëm të padëgjuar më parë në këto 150 vjet të historisë së saj, një rrezik që ka potencialin të degradojë jetën brenda vendit si dhe të dobësojë pozitën e Shteteve të Bashkuara në botë. Asgjë sot nuk është më e rëndësishme sesa t'i bësh rezistencë dhe të mposhtësh Donald J. Trumpin dhe virusin neo-fashist që ai dëshiron të fusë në Shtëpinë e Bardhë.
Republikanët e Pensilvanisë kanë përpara tyre një mision të rëndësishëm për të përmbushur në zgjedhjet brenda partisë të 26 prillit: të bëjmë gjithshka që është e mundur për të mos i lejuar Trumpit të marrë numrin e delegatëve që i duhen për t'u bërë kandidat për president.