Duke dashur të fliste për ndjenjat në rritje anti-islamike mes amerikanëve, Barak Obama u shfaq në 3 shkurt në Shoqërinë Islamike të Baltimorës (për fat të keq, xhami e akuzar për lidhje jo shumë të zgjedhura Islamiste) për të folur për Islamin dhe myslimanët. Fjalimi prej 5,000 fjalësh përmbante plot gjëra me interes. Këtu vijon një analizë e thellë e pikave kryesore të tij:
OBAMA: shumë amerikanë nuk kanë vizituar ndonjëherë ndonjë xhami. Njerëzve që po na shikojnë tani dhe që nuk e kanë provuar — mendoni për kishën tuaj, apo sinagogën, apo tempullin tuaj dhe kjo xhami do t'ju duket shumë e njohur. Këtu familjet mblidhen për t'u lutur dhe për të shprehur dashurinë e tyre për Zotin e për njëri-tjetrin. Ka një shkollë ku mësuesit hapin mendjet e reja. Fëmijët luajnë bejzboll dhe futboll dhe basketboll — djem dhe vajza — kam dëgjuar se janë shumë të zotë. Kab Skauts, Gërl Skauts takohen, recitojnë Betimin Ndaj Flamurit këtu.
PIPES: Të gjitha të vërteta, mirëpo çka për anën e errët, rolin unik dhe të përsëritur të xhamive në përhapjen e ideve totalitare dhe nxitjen e dhunës? Kjo lihet e pathënë në prezantimin e ëndrrave me syhapur të presidentit.
Obama në Shoqërinë Islamike të Baltimorës. |
Si amerikanë myslimanë, ju [shqetësoheni që] i gjithë komuniteti juaj bëhet shënjestër apo akuzohet kaq shpesh për aktet e dhunshme të shumë pak vetëve.
Obama këtu paraqet myslimanët si viktima të rastësishme dhe të pafajshme ndonëse frika ndaj tyre është tërësisht e arsyeshme për shkak se (1) kaq shumë dhunë vjen prej tyre ndonëse përbëjnë vetëm 1 përqind të popullsisë në SHBA dhe (2) myslimanët e padhunshëm janë simpatizues të të dhunshmëve.
Komuniteti myslimano-merikan mbetet relativisht i vogël — vetëm disa milionë njerëz në gjithë vendin.
Kjo është një mënyrë dinake nga Obama për të tërhequr mbrapsh deklaratën e ekzagjeruar me shifrën 7 milionë që dha në 2009 pa e pranuar haptas.
kohët e fundit, kemi dëgjuar retorika politike të pajustifikueshme kundër amerikanëve myslimanë, një retorikë e cila nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë.
Një kritikë e tërthortë ndaj Donald Trump të cilën Trump e meriton.
Nuk është çudi pra që kërcënimet dhe ngacmimet ndaj amerikanëve myslimanë kanë shpërthyer.
Kjo është qesharake. Sa i përket rritjes të kërcënimeve dhe ngacmimeve – e cila nuk dihet sesa është e vërtetë për shkak të natyrës së demaskuar të raportimit nga media – shkaku kryesor është vetë dhuna myslimane. Është e arsyeshme që jomyslimanët të shqetësohen se mos kolegu i tyre mund t'u presë kokën apo t'i sulmojë gjatë ndonjë feste, se mund të hidhen në erë ndërsa ndjekin ndonjë ndeshje sportive apo se mund t'iu vijë e t'u përplaset ndonjë avion ndërsa janë duke punuar në zyrat e tyre. Të fajësosh jomyslimanët për frikën e natyrshme njerëzore dhe instiktit për të mbrojtur jetën është të ngatërrosh simptomat me shkakun.
Për më shumë se njëmijë vjet, njerëzit janë joshur nga mesazhi i paqes në Islam.
Sigurisht që disa janë konvertuar, sepse u ka pëlqyer ana paqësore e Islamit, por shumë të tjerë e kanë parë si një forcë militante dhe janë konvertuar për t'iu bashkuar një fuqie fituese. Për shembull, të konvertuarit perëndimorë që janë bashkuar me ISIS-in, janë një pjesë e këtyre. Edhe njëherë, Obama përqendrohet në anën e mirë dhe bën sikur nuk ekziston ana e pakëndshme.
vetë fjala, Islam, vjen nga salam — paqe.
Si ka mundësi që një person në një pozitë kaq me përgjegjësi mund të thotë një gjë kaq qartësisht të gabuar? Islam do të thotë nënshtrim, dhe nuk vjen nga fjala paqe. Siç e kam shpjeguar in 2005, "Nuk ka lidhje në kuptimin e fjalëve salām dhe islām, paqe dhe nënshtrim. Këto janë dy fjalë të ndryshme me kuptime që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën". Turp për Obamën.
Për të krishterët si unë...
Duke qendruar në xhami, Obama mbase e ndjen të arsyeshme të kujtojë audiencën e tij se ai nuk është mysliman. Ai do të ishte shumë më bindës nëse do të kishte hedhur më shumë dritë në biografinë e tij. Për shembull, ai deklaron nganjëherë se "gjithmonë ka qenë një i krishterë" dhe herë të tjera se vetëm kur mbaroi kolegjin "u bë i krishterë". Do të ishte gjithashtu ndihmëse nëse ai do të arrinte t'i jepte një datë këtij ndryshimi të rëndësishëm në jetë, në vend që, siç argumenton Jason Kissner, një profesor i asocijuar i kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Kalifornias, Fresno, të ofrojë "dy tregime krejtësisht kontradiktore" lidhur me kohën se kur ndodhi afërsisht kjo ngjarje.
Amerikanët myslimanë na mbrojnë sigurinë. Ata janë policët tanë dhe zjarrfikësit tanë. Ata janë në sigurinë kombëtare, në komunitetin tonë të shërbimit të inteligjencës. Ata shërbejnë me nder në forcat tona të armatosura.
Edhe njëherë, kjo është e vërtetë, por përsëri lihet mënjanë ana tjetër –penetrimi i vazhdueshëm i shërbimeve american të sigurisë dhe ushtarake nga armiqtë islamistë.
është e pamohueshme se një fraksion i vogël myslimanësh trumbetojnë një interpretim pervers të Islamit.
Dhe ja ku kthehemi përsëri, Imam Obama duke deklamuar se cilat interpretime të Islamit janë perverse dhe cilat janë të sakta. Nuk është hera e parë që e bën këtë, ashtu si e kanë bërë edhe shumë udhëheqës të tjerë jomyslimanë, përfshi edhe presidentë të mëparshmëm të SHBA-së. Është budallallëk dhe qesharake.
pikërisht në kohën tonë, është një element i organizuar ekstremist që përzgjedh në mënyrë të qëllimshme, pjesë të shkëputura nga tekstet islamike për t'i rrotulluar dhe interpretuar në mënyrë që të justifikojë vrasjet dhe terrorin që po kryen.
Do të ishte më e saktë që në vend të kësaj të kishte thënë: " pikërisht në kohën tonë, është një element i organizuar ekstremist që përzgjedh pjesë nga tekstet mesjetare islamike dhe i interpreton në mënyra mesjetare për t'i interpretuar në mënyrë që të justifikojë vrasjet dhe terrorin që po kryen".
Pjesë e asaj çfarë ka ndodhur në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore si dhe në vende të tjera ku kemi parë dhunë sektare, është instrumentalizimi i fesë për qëllime të tjera - pushtet dhe kontroll.
Ky është materializëm tipik i majtë i cili e sheh fenë si mjet për të arritur diçka tjetër, zakonisht e lidhur kjo me një përfitim ekonomik. Por jo, Islamistët janë besimtarë të vërtetë që i janë dhënë dhunës për të realizuar vizionin që kanë dhe që nuk e shohin pushtetin si qëllim në vetvete, siç këmbëngul Obama.
Kundërshtarët e Tomas Xhefersonit u përpoqën t'i turbullojnë ujërat duke sugjeruar që ai ishte musulman - kështu që personalisht nuk jam as i pari e as i fundit. Po, po, është e vërtetë. Mund të kërkoni dhe vetë. Jam në shoqëri të mirë.
Në fakt kërkova - në librin "Jefferson's religion", të vitit 2007 me autor Stephen J. Vicchio, dhe nuk gjeta asgjë që të vërtetonte që Xhefersonin e kanë quajtur musliman. Kundërshtarët e tij e kanë thirrur më lloj-lloj emrash si "i pafe francez", "i pafe me patentë", "ateist që çirret", dhe "fanatik", por asnjëherë "Muhamedan".
Thomas Jefferson. |
ashtu sikurse udhëheqësit fetarë, përfshirë dhe muslimanët, duhet të ngrenë zërin kur persekutohen të krishterët kudo në botë - ose kur ka rritje të antisemitizmit - sepse e vërteta është që ka të krishterë në Lindjen e Mesme që janë vënë në shënjestër, pavarësisht se jetojnë aty prej shekujsh, sikurse ka hebrenj që jetojne prej shekujsh në vende si Franca, të cilët aktualisht po ndjehen të detyruar të largohen, sepse ndjehen të sulmuar - nganjëherë nga muslimanët.
Nuk është një fjali e plotë dhe as koherente, por me të drejtë kërkon që muslimanët të ngrenë zërin kundër persekutimit fetar dhe vë në dukje që hebrenjtë në Europë "nganjëherë" (në të vërtetë, thuajse gjithnjë) sulmohen nga muslimanët. është njëfarë çlirimi kur sheh për një çast të dalë në pah ana e errët e gjërave.
njëfarëlloj egziston ideja që nëse thjesht do të thoja, këta janë të gjithë "terroristë islamikë", atëherë problemi, me siguri, do të ishte zgjidhur deri tani. (Të qeshura.)
Kjo është një batutë për të peshkuar të qeshura të kollajta. Askush nuk mendon që problemi i dhunës islamiste do të zgjidhej nëse Obama do të përdorte terminologjinë e duhur; gjithsesi, shumëkush, përfshirë dhe mua, është i mendimit që ai nuk mund ta adresojë problemin siç duhet nëse nuk e identifikon atë më parë në mënyrë të saktë.
Organizata si ISIL janë të mbaruara për legjitimitet. Ato përpiqen ta paraqesin veten si udhëheqës fetarë dhe luftëtarë të shenjtë që flasin në emër të Islamit. Unë vetë refuzoj t'u jap legjimitet.
Në të vërtetë, ISIL-it (ose ISIS, Shteti Islamik, Daesh) nuk i intereson shumë se çfarë mendon Obama apo jo-muslimanët e tjerë për të. Asaj i intereson vetëm se çfarë mendojnë muslimanët sunitë. Kështu pra, Obama mund t'ua mohojë legjitimitetin sa të dojë; ISIS as nuk do ta vejë re e as nuk do ta vrasë mendjen për këtë gjë.
Nocioni që Amerika është në luftë me Islamin nuk merr parasysh faktin që fetë që egzistojnë në botë janë pjesë përbërëse e asaj çfarë jemi. Ne nuk mund të jemi në luftë me asnjë fe tjetër, sepse fetë e ndryshme të botës janë pjesë e vetë strukturës së Shteteve të Bashkuara, e karakterit tonë kombëtar.
Sipas të njëjtës logjikë foshnjore, Hitleri nuk ka mundësi të ketë qenë në luftë me Judaizmin, sepse hebrenjtë ishin pjesë e vetë strukturës së Gjermanisë.
Sinagoga në Oranienburgerstrasse në Berlin, më e madhja në botë në kohën kur u ndërtua, në vitin 1866. U shkatërrua nga nazistët në vitin 1938. |
mënyra më e mirë për ta luftuar terrorizmin është të mos u japësh legjitimitet këtyre organizatave dhe të tregosh që këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Islami nuk shtypet; ne e kremtojmë dhe e ngremë në qiell suksesin e amerikanëve muslimanë.
Jo. Mënyra më e mirë për të luftuar dhunën muslimane është (1) duke mos u zënë rrugën atyre që zbatojnë ligjin si dhe gjithë të tjerëve që janë në vijën e parë të frontit dhe (2) duke ndihmuar që t'u dëgjohet zëri muslimanëve anti-islamistë.
nuk mund të themi që Islami vetë është në themel të problemit. Kjo përbën tradhti ndaj vlerave tona. Alienon amerikanët muslimanë, është lënduese për ata fëmijë që përpiqen të shkojnë në shkollë dhe janë anëtarë të Boj Skauts dhe që mendojnë të shërbejnë një ditë në radhët e ushtrisë sonë.
Kjo e përmbledh fare mirë mendësinë e Institucioneve sipas të cilës, nuk duhet folur hapur për lidhjet e Islamit me dhunën; thjesht, diçka e tillë duhet pëshpëritur pas dyerve të mbyllura.
Muslimanët kudo në botë kanë përgjegjësinë të flakin tutje ideologjitë ekstremiste që po mundohen të depërtojnë në brendësi të komuniteteve muslimane. Këtu, në këtë xhami, si dhe anembanë vendit dhe botës, udhëheqësit muslimanë po e dënojnë terrorizmin me këmbëngulje, vazhdimisht dhe pa asnjë rezervë.
Vendosja e shenjës së barazisë mes "flakjes tutje të ideologjive ekstremiste" dhe "dënimit të terrorizmit" tregon se sa në mënyrë sipërfaqësore e kupton Obama sfidën islamiste, duke e reduktuar atë thjesht në dhunë politike për trill të njërit apo tjetrit. Jepi fund dhunës dhe u zgjidh problemi. Vështirë të jetë kaq e lehtë; sepse Islamizmi i ligjshëm paraqet një kërcënim shumë më të madh sesa disa fanatikë me bomba në trastë.
kjo nuk është një përplasje mes civilizimeve, mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo është një betejë mes muslimanëve paqedashës kudo në botë që përbëjnë shumicën dërrmuese dhe një pakice të vogël radikale. Kam besim që në fund, betejën do ta fitojë shumica dërrmuese. Muslimanët vetë do të vendosin për të ardhmen e fesë së tyre. Gjithashtu kam besim dhe për drejtimin që do të marrë kjo çështje.
Do ta kisha formuluar krejt ndryshe, por gjithsesi jam dakort me këtë opinion.
Në qoftë se e keni pyetur veten nëse i përkisni këtij vendi, më lejoni t'jua them aq qartë sa kam mundësi si president i Shteteve të Bashkuara që jam: Ju i përkisni këtij vendi. Ju jeni pikërisht aty ku duhet të jeni. Edhe ju jeni pjesë e Amerikës. Ju nuk jeni ose muslimanë ose amerikanë. Ju jeni muslimanë dhe amerikanë.
Jam gjithashtu dakort dhe me këtë opinion.
Jemi me fat që jetojmë në një komb ku edhe nëse ngecim ndonjëherë, edhe nëse nuk ia dalim ndonjëherë, nuk rreshtim kurrë së luftuari për idealet tona. Ne i afrohemi gjithnjë e më shumë atij bashkimi që sa vjen dhe bëhet më i përsosur. Jemi një vend ku, nëse punon shumë dhe nëse respekton rregullat e lojës, në fund ia del mbanë gjithmonë, pavarësisht se kush je apo se si lutesh. Ndoshta jo gjithmonë gara nis në kushte të barabarta, por këtu, më shumë se në çdo vend tjetër egziston mundësia për t'u futur në garë. Pas më shumë se 200 vjetësh, trashëgimia jonë e përzier, ai mozaik i quajtur Amerikë, nuk është aspak dobësija jonë, përkundrazi ajo është forca jonë më e madhe. Është ajo çfarë na bën ne fanar të botës mbarë.
Fjalë patriotike dhe të ngrohta thënë për Shtetet e Bashkuara, diçka jo e zakontë për një majtist që rrallëherë ka diçka të mirë për të thënë për vendin e tij. Më vjen mirë që i dëgjoj.
Për ta përmbledhur sa më lart, ky fjalim i ka kapur gjërat më shumë gabim sesa saktë, duke kaluar nga gabime faktike, në bërje dredhash, në shtrembërime. Disa gjëra janë kapur drejt, sidomos nga fundi, por në tërësi, kemi të bëjmë me një produkt të dobët, tipik të Obamës.