Për burimet e përdorura në këtë artikull, klikoni këtu.
Jo, nuk është ISIS apo milicitë bastisëse shiite. Është Diga e Mosulit, më e madhja në Irak dhe rrëzimi i mundshëm i saj, mund të shkaktojë vdekjen e miliona vetëve. Ata që janë në dijeni të kësaj çështjeje janë të shqetësuar që katastrofa mund të godasë këtë pranverë, kur me shkrirjen e borës mund të krijohet një trysni uji të pakontrollueshme.
Diga e Mosulit e parë nga lart |
E ndërtuar ngutshëm në kohë lufte, nga një firmë ndërtimi gjermano-italiane për diktatorin Saddam Hussein, Diga e Mosulit u ngrit aty ku është për arsyen e thjeshtë se njëri nga miqtë e besuar të Hussein-it ishte nga zona në fjalë dhe e përdori influencën e tij për ta ngritur aty, pavarësisht nga fakti që inxhinierët që në fillim e dinin që baza e saj poroze prej gipsi nuk do të ishte në gjendje të mbante një strukturë të tillë gjigante.
Pamje e punonjësve në punë e sipër për përforcimin e Digës së Mosulit, 3 shkurt, 2016. |
Ajo që në atë kohë njihej si Diga e Sadamit u inagurua në vitin 1984. Që në dy vitet e para lindi nevoja që në mënyrë të vazhdueshme, d.m.th. ditë e natë, t'i injektohej një sasi jashtëzakonisht e madhe çimentoje mikrofine - 100.000 tonelata pëe dhjetëvjeçarë me radhë - për të shmangur shëmbjen. Ky proçes mbushjeje nuk arriti ta zgjidhë problemin; ai thjesht nuk lejoi përkeqësimin e tij.
Kaluan vite dhe fatmirësisht nuk pati asnjë katastrofë gjatë kohës që [diga] ishte nën mbikqyrjen e amerikanëve. Më pas, gjatë periudhës fatale 10-ditore, nga 7 deri më17 gusht, 2014, ISIS e mori digën nën kontroll. Është e vërtetë që ata as nuk e sabotuan e as nuk e hodhën në erë strukturën e digës, por proçesi i mbushjes me çimento u ndërpre për 6 javë me radhë dhe gjithë regjimi i mirëmbajtjes - sidomos puna e kualifikuar dhe furnizimi me çimento - që nga ai moment e tutje sa erdhi e u bë më pak i qëndrueshëm.
Si rrjedhim, gjatë 19 muajve të fundit, diga ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e dobët, dhe puna ka arritur në atë pikë që i ka bërë ekspertët të shqetësohen që një valë e madhe e ujrave që shkrijnë në pranverë mund të rezultojë më e fortë nga ç'mund të mbajë diga dhe të sjellë kështu shembjen e saj. Fakti që dy nga portat e rasteve të emergjencës në digë janë të prishura dhe nuk mund të hapen për ta lehtësuar kështu trysninë e madhe të ujit, e bën situatën dhe më kritike.
Pasojat e shembjes [së digës] janë të tmerrshme: Në një hark kohor prej rreth 4 orësh, një mur uji nga 12 deri në 20 metra i lartë do të lëshohet drejt Mosulit, një qytet prej disa milionë banorësh. Më pas, vala përmbytëse do të vërshojë përgjatë luginës së lumit Tigër drejt qyteteve të tjera, përfshirë dhe kryeqytetin e vendit, Bagdadin, përpara se të shndërrohet në një përmbytje masive. Numri jashtëzakonisht i madh i viktimave të menjëhershme të kësaj katastrofe do të pasohet nga thatësira, sëmundjet, mungesa e energjisë elektrike, kaosi dhe kriminaliteti duke garantuar kështu një fatkeqësi dhe numër viktimash të përmasave biblike.
Për vite me radhë, proçesi i heshtur për konsolidimin e digës si dhe fjalët e bukura e zotimet boshe arritën ta mbajnë fshehur situatën e rrezikshme në Digën e Mosulit. Por sinjalet në rritje të alarmit dhënë nga qeveria amerikane që nga fillimi i 2016-ës, të bazuara kryesisht në matjet dhe vlerësimet e bëra nga inxhinierët e Trupave Ushtarake Amerikane, duket se më në fund ia kanë hapur sytë irakenëve lidhur me rrezikun që i kanoset. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad ka nxjerrë një material përgatitor aspak të zakontë i cili përmban informacion që ka të bëjë me Digën e Mosulit si dhe këshilla praktike (fatkeqësisht vetëm në anglisht) lidhur me proçesin e evakuimit, nevojat që lidhen me çështjet edukative si dhe ndihmën humanitare.
Në dallim [nga qeveria amerikane], qeveria irakene, nuk ka rreshtur së lëshuari një lumë garancish të gënjeshtërta se gjoja nuk egziston asnjë problem. Mohsen al-Shimari, ministri iraken për Burimet Ujore dhe njëkohësisht zyrtari i ngarkuar me çështjen e digës, ka deklaruar "Rreziku nuk është aspak i afërt, është tepër larg. Gjasa që të ketë rrezik është 1 në 1.000" (që është në vetvete një rrezik i papranueshëm). Ose ngul këmbë që Diga e Mosulit nuk përbën një rrezik më të madh se digat e tjera. Në raste të tjera madje deklaron "Diga nuk ka asnjë problem që mund të sjellë shembjen e saj". Vini re mungesën e koherencës, në vetvete kjo një shenjë mashtrimi.
Tërësisht në përputhje me moskokëcarjen e papërgjegjshme madje kriminale, autoritetet irakene nuk kanë bërë thuajse asgjë për t'u përgatitur në rast të një shembjeje të mundshme. Sigurisht, kanë deklaruar se egziston një plan në rast gjendjeje të jashtëzakonshme, por askush nuk e ka parë këtë plan, dhe akoma më keq askush nuk i di detajet e tij. Kështu që nuk dihet ç'dobi do të sjellë [ky plan] në rast krize. Është e vërtetë që është firmosur një marrëveshje prej 300 milionë dollarë me Trevin, një firmë italiane, për riparimin dhe mirëmbajtjen e Digës, por kjo nuk paraqet një zgjidhje afatgjatë; ajo është thjesht mbyllje e një vrime të vogël.
Më keq akoma, qyteti që është më i rrezikuar nga diga, Mosuli, është nën sundimin e Shtetit apokaliptik Islamik, i cili me mospërfilljen e tij për jetët e njerëzve si dhe armiqësinë ndaj botës së jashtme nuk lejon as ndihmën ndërkombëtare dhe as marrjen e masave për të përballuar krizën. Por ka një rreze të vogël drite në gjithë këtë situatë; sundimi mizor i ISIS-it ka bërë që popullsia e Mosulit të bjerë nga 2 milionë e gjysëm që ishte dy vjet më parë në rreth 1 milion aktualisht, duke ulur kështu numrin e viktimave të mundshme aty.
Po të supozojmë se diga i mbijeton borës së shkrirë të këtij viti, ka gjithsesi vetëm një zgjidhje afatgjatë: të përfundojë Diga e Badushit përgjatë Digës së Mosulit gjë që do të sillte zvogëlimin e pasojave të shembjes. Ndërtimi i saj filloi në kohën kur nisi proçesi i konsolidimit të Digës së Mosulit në vitin 1986, por u ndërpre në vitin 1990. Kjo digë ndihmëse do të kushtojë 10 miliardë dollarë, një shumë kjo që qeveria irakene nuk e përballon dot. E megjithatë, ky projekt duhet të ketë përparësi absolute në vend.